Qeveria ditën e sotme ka shkarkuar nga detyra drejtorin e portit të Shëngjinit, Gjovalin Tusha. Ai e ka mbajtur këtë post për katër vite.
Në vend të tij, Qeveria ka emëruar Ermal Pacajn, kryetar i FRESSH për Lezhën.
Pacaj është i njohur si nga njerëzit e afërt të ish-deputetit socialist, Arben Ndoka. Këtë të fundit ambasadori amerikan e ka përmendur si një nga zyrtarët më të lartë të kapur nga krimi dhe korrupsioni.
Lidhur me deklaratën e ambasadorit Donald Lu, reagoi edhe Ndoka. Ai ka reaguar përmes një shënimi në ‘Facebook’. Ai ka thënë se në politikë është futur për të ndihmuar njerëzit.
Gjithashtu, kryetari i FRESSH-it dhe njëkohësisht drejtori i ri i portit të Shëngjinit, deklaratën e bërë nga Ndoka në Facebook, e ka shpërndarë në rrjetin e tij social.
Mirëpo, ky nuk është postimi i vetëm. Në profilin personal të Ermal Pacaj në ‘Facebook’, vihet re një postim në mbështetje të fortë ndaj ish-deputetit Ndoka.
Në një tjetër postim në datën 30 qershor, Pacaj e krahason ish-deputetin Ndokaj me një personazh të njohur të letërsisë botërore. Bëhet fjalë për Zhan Valzhanin e Viktor Hygoit.
“T’gjithe e njohim dhe e duam Valzhanin e Hygoit, personazhi i vepres monumentale “Te Mjeret”, te cilin Zhaveri e hetoi, e ndoqi dhe e luftoi, por nuk e mundi dot. Dhe me te njejten babezi si te Zhavierit , te padrejtet ne emer te drejtesise, hajdutet ne emer te ndershmerise dhe politika ne t’pa emrin e saj e luftuan edhe Benin”, shkruan Pacaj në Facebook.
Me shumë gjasa qeveria e kryeministrit Edi Rama ka vendosur që të sfidojë hapur ambasadorin amerikan. Ai ka vënë në pikat kyçe të shtetit njerëz të afërt me persona që vetë Lu, i ka akuzuar si të inkriminuar.
Burimi: Opinion