Në ditën ndërkombëtare të familjes, Partia Socialiste nepermjet Taulant Balla ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka rrënuar ekonomikisht familjet shqiptare gjatë qeverisjes së tij. Deputeti socialist Taulant Balla në një dalje publike nga selia rozë ka deklaruar se një nga arsyet për të mos votuar Sali Berishën është fakti se ndërsa familjet shqiptare varfërohen çdo ditë, Familja e tij veçse pasurohet.
“Sot në ditën ndërkombëtare të familjes, shqiptarët duhet ta kenë të qarte se ndërkohë që buxhetet e familjeve të tyre rrënohen dita ditës, vetëm një familje pasurohet çdo ditë e më shumë.
Familja në pushtet, në sajë të interesave korruptivë dhe klientelistë shndërroi partinë demokratike në një parti familjare dhe nëpërmjet saj shndërroi shtetin në një pushtet familjar, në shërbim të devotshëm të përmbushjes të interesave të familjes.
Një shtetth i vogël, i zvogëluar aq shumë sa një numër celulari në rubrikën e Argitës e Shkëlzenit, të cilët me telefon vejnë dhe heqin drejtorë, deputetë apo ministra.
Një shtetth i vogël që ka braktisur familjen shqiptare në mëshirë të fatit dhe që tani kujtohet për t’u kërkuar votën, me të vetmin qëllim, mbrojtjen e pushtetit, të pasurive dhe të privilegjeve të veta.
Sali Berisha dështoi me familjet shqiptare sepse sot në Shqipëri numërohen 1 milionë shqiptarë të papunë.
Premtoi që do të krijonte 160 mijë vende të reja pune dhe ndërkohë nga vetë shifrat e INSTAT-i i tij provojnë se nga 2008, 51 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e punës.
Sot Sali Berisha iu detyrohet familjeve shqiptare 211 mijë vende pune borxh.
Varfëria reale është rreth 40% dhe në disa rrethe edhe mbi 50%.
Varfëria reale e matur në kontekstin e fuqisë blerëse është mbi 62%, më e larta në rajon.
Sot familjet e varfra përfitojnë mesatarisht vetëm 35 cent USD (36 lekë) në ditë për çdo familjar.
Në krahasim me vitin 2008, numri i familjeve që jetojnë me ndihmë ekonomike është rritur me 6 mijë familje më shumë.
Çmimi i energjisë elektrike është rritur me 80 %:
Uji është dy herë më i shtrenjtë se në vitin 2005;
çmimet e ushqimeve janë rritur me 60% – 100%,
Shëndetësia e të gjitha shërbimet publike janë tashmë një mall i shtrenjtë i papërballueshëm.
Sot shqiptarët janë të zhytur në borxhe, më shumë në rrugë informale se formale.
Këto borxhe janë thjesht për konsum mujor.
Familjet shqiptare i dërgojnë me sakrifica fëmijët të studiojnë;
por sistemi arsimor i rrënuar jo vetëm që nuk u rrit shanset e punësimit, por është duke i lënë në rrugë, me diplomat në sirtar. Por, ndërkohë Ministria e Financave dhe Saliu tregojnë një tjetër realitet që s’ka lidhje fare me realitetin e jetesës së shqiptarëve.
Por ka gjasa të ketë lidhje me jetesën e familjes së tij biologjike.
Askush nuk e vë në dyshim që ekonomia e Saliut, Argitës, Shkëlzenit është rritur;
askush nuk e vë në dyshim që shërbimet publike nuk i kanë zhgënjyer kurrë Saliun, Argitën Shkëlzenin;
askush nuk e vë në dyshim që klima për të bërë biznes për Argitën, Shkëlzenin është më miqësorja në botë;
askush nuk e vë më në dyshim që drejtësia i ka shërbyer më së miri Argitës, Shkëlzenit, e oborrtarëve të tyre.
Por dhe 39 ditë kanë mbetur për të çliruar Shqipërinë nga pushteti sundues i familjes parti shtet. Dhe 39 ditë mbeten nga dita kur familjet shqiptare do të marrin frymë lirisht dhe në një qeverisje të re që ka shqetësim parësor shtetin jo pushtetin.
Një qeverisje e fokusuar në cilësinë e jetës së familjes e çdo anëtari të saj si dhe të jetës komunitare. Një qeverisje që do të sigurojë vende pune, do të rivendosë drejtësinë sociale dhe ekonomike, që do rivendosë lirinë së konkurrencës e të pjesëmarrjes në vendimmarrje. Do të fuqizojmë institucionet kushtetuese duke vendosur një kufi të qartë e të pakapërcyeshëm mes shtetit dhe pushtetit.
Ne do të rivendosim rendin publik dhe do të çlirojmë sipërmarrësit nga kanosja e ekonomisë kriminale.
Pushteti i klientelës do të marrë fund dhe ai do t’u kthehet familjeve shqiptareve”, deklaroi Balla.
15.05.2013
Burimi: Gazeta Shqip