Protestat/ Mblidhet Komisioni i Medias: Studentët shkundën Qeverinë…
Rektorët e universiteteve të vendit të pranishëm në Komisionin e Medias dhe Edukimit kanë folur për protestën e studentëve dhe qëndrimet e tyre në raport me arsimin e lartë.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni tha se mbështet kërkesat e studentëve.
Ai theksoi se mungesa e fondeve po cenon kërkimin shkencor.
“Gjatë dhjetorit dhe në janar të vitit 2019, institucionet e arsimit të lartë u përfshin në disa protesta. Kërkesat e studentëve i mbështesim dhe kemi ofruar bashkëpunim.
Unë personalisht si rektor të gjithë qëndrimet e asambleve i mbështesë për shkak se kërkesat e Asambleve kryesore kanë marrë në analizë situatën dhe janë shprehur me kërkesa.
Universiteti i Tiranës ka një buxhet shumë të vogël në nivelin e pagave.
Kam kërkuar rritjen e vazhdueshme për kërkimet shkencore dhe mungesa e fondeve dëmton punën e kërkimit shkencor në këto vite,” u shpreh Koni.
Ndërkohë, sipas rektorit të Mjekësisë, Arben Gjata u shpreh se protesta dhe reagimi i studentëve shkundi administratën dhe qeverinë.
“Unë të paktën në këto muaj kam qenë të paktën tre herë në seanca të tilla.
Kjo protestë e studentëve shkundi universitetin, administratën dhe qeverinë dhe i beri ato të reflektojnë.
Kaluam një situatë të vështirë me universitetet. Pjesa më e madhe e kërkesave të studentëve i kemi plotësuar dhe madje një pjesë tjetër e kemi kaluar.
Nuk i kemi plotësuar të gjitha kërkesat dhe për të analizuar problematikat janë mbledhur senati akademik dhe bordi i administrimit,” u shpreh Gjata.
Erjona Keta
06.02.2019