TIRANE- Prokuroria e Tiranës bën me dije se ka mundur të gjejë prova që përfshijnë Arben Frrokun, në vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.
Lajmi konfirmohet për News 24 nga burime të prokurorisë, sipas të cilave bëhet me dije se janë gjetur prova shkencore që implikojnë biznesmenin Frroku në vrasjen e Lamajt. “Dyshojmë për gjurmë gishtash dhe fije floku”, bëjnë me dije burimet e Prokurorisë.
Sipas tyre dyshohet se prova është gjetur në makinën e vrasësve, c’ka tregon se Arben Frroku ka qënë në këtë makinë dhe i ka njohur këta persona. Dyshohet se prova mund të jetë një fije floku ose shenja gishtash.
Po sipas të njejtave burime, pritet që provat t’i nënshtrohen analizave shkencore.
Ndërkohë që Frroku i arrestuar në Selanik të Greqisë, me akuzën e vrasjes së kryekomisarit, pritet të të paraqitet para Gjykatës së Lartë në Athinë, në datën 30 maj 2013.
Arben Frroku u arrestua në 24 shkurt në një hotel në Selanik, ndërsa në 4 prill u zhvillua në Gjykatën e Selanikut seanca gjyqësore, që vendosi ekstradimin e tij, vendim që u apelua që në sallë nga pala mbrojtëse dhe çështja u dërgua për shqyrtim në gjykatën e Lartë në Athinë.
PRENDI: NUK KA ASNJË PROVË SHKENCORE QË IMPLIKON FRROKUN
Ora 17:37- Menjëherë pas lajmit të bërë me dije nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, se ka prova që implikojnë Arben Frrokun në vrasjen e Dritan Lamajt, vjen edhe reagimi i avokatit të Arben Frrokut, Tonin Prendi.
Sipas tij, nuk rezulton të ketë asnjë provë shkencore për avokatin e tij. “S’mund të shkruhet ‘ka prova’ dhe ‘do u nënshtrohen analizave”, thotë ai.
Prendi shton se përderisa pritet që provat t’i nënshtrohen analizave, nuk janë prova. “Pasi t’u bëhen analizat shkencore, quhen prova shkencore”, thotë ai.
Fakti që po bëhen hetime, sipas avokatit nënkupton mbledhjen e provave.
02.05.2013
Burimi: Balkanweb