Një raport i fundit i Bankës Botërore, të cilin ju mund ta konsultoni konstatoi në seksionin “përqindja e 15-vjeçarëve që janë analfabetë funksionalë, 2009” (% of 15-year olds that are functionally illiterate, 2009), se 57% e nxënësve 15-vjeçarë në Shqipëri janë analfabetë funksionalë, pra, dinë të lexojnë, por nuk kuptojnë se çfarë kanë lexuar.
Rezultatet e raportit, që bazohet në studimin PISA të OECD-së, tregojnë se kjo është një nga normat më të larta të analfabetizmit funksional në gjithë rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore. Po kështu, disa kohë më parë, një tjetër raport i Bankës Botërore, në vitin 2011, konstatonte se “një shqyrtim i kohëve të fundit i aftësive njohëse, duke përdorur rezultatet e nxënësve në teste të standardizuara të krahasueshme në nivel ndërkombëtar, zbuloi se Shqipëria kishte vlerësimin më të ulët për aftësitë njohëse dhe se vetëm 40% e nxënësve i kishin arritur njohuritë bazë në matematikë dhe shkencë”. Këtyre konstatimeve u shtohet dhe ai i publikuar po nga Banka Botërore, në 2006, ku pohohet se “rezultatet arsimore të Shqipërisë janë të dobëta, sidomos kur maten përkundër nevojave të tregut të punës dhe me arritjet e vendeve të tjera në rajon, me të cilët forcat punonjëse të Shqipërisë do të konkurrojnë. […] Nxënësit shqiptarë arritën rezultate shumë të dobëta në programin PISA në letërsi, matematikë dhe shkenca natyrore.”.
Pasoja? Ekonomistët e Bankës Botërore përballë këtij fakti deklarojnë se, sot, ekonomia e Shqipërisë rrezikon seriozisht kolapsin, si pasojë e mungesës së burimeve njerëzore të afta për punë; se analfabetë të tillë mbeten vërtet të papunë dhe të pa integruar në jetën shoqërore.
Analiza
Kuptimi i gjendjes dhe i shkaqeve që e prodhojnë, nis nga kuptimi rreth dukurisë. Analfabetë funksionalë janë personat që kanë ndjekur shkollën dhe marrin një diplomë, por që nuk arrijnë t’i ndërtojnë, shtojnë apo përsosin në vijimësi kompetencat në nivelin e kërkuar nga tregu i punës. Fillimisht, personi mund të riprodhojë tekstin, por nuk e kupton atë mjaftueshëm. Në vitin 2009, në këtë gjendje ishin në Finlandë vetëm 4.8% e nxënësve të moshës 15 vjeç, në Islandë 11.4% dhe në Estoni 13.6%. Te ne treguesi ka shkuar në 57%. Sigurisht, nuk cilësohen të tillë personat që nuk dinë shkrim / këndim dhe që, në vitin 2008, përbënin 10% të popullatës sonë. Shifër të cilën testimi i fundit e raportoi 15%!
Studimi, të cilit i referohen raportet e mësipërme, quhet “Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve”. (The Programme for International Student Assessment). Akronimi është PISA dhe është vlerësim i standardizuar dhe i dizenjuar të matë nivelet e arritjeve të nxënësve afër përfundimit të arsimit bazë (mosha 14 vjet e 9 muaj). Ai mbështetet nga organizata prestigjioze OECD, që nga viti 1997. Deri tani janë realizuar 4 cikle vlerësimi. Të dhënat për vlerësimin e katërt u mblodhën gjatë vitit 2009 dhe në të morën pjesë 65 vende. Në çdo cikël testohet një mostër përfaqësuese me 4500 – 10000 nxënës për çdo vend pjesëmarrës.
Thënë thjesht, vlerësimi PISA çmon kompetencat gjuhësore, matematikore dhe shkencore ndërtuar nga nxënësit për “të funksionuar” në botën reale. Kompetencat përmes të cilave nxënësit përdorin / zbatojnë njohuritë e fituara në shkolla për zgjidhjen e problemeve praktike, jetësore. PISA përbën hap thelbësor për krijimin e vetëdijes së përgjithshme të rëndësisë së konceptit “literacy” (që në shqip mund të përafrohet me togfjalëshin “formimi gjuhësor”). Termi, me prejardhje nga anglishtja, ka përcaktuar mënyrën, sipas së cilës “personat përdorin informacionin për të funksionuar në shoqëri”. Termi mori me shpejtësi kuptim më të përgjithshëm dhe tani nënkupton tërësinë e kompetencave minimale që duhet të zotërojë personi për të deshifruar sinjalet nga mjedisi i tij dhe për të plotësuar në mënyrë autonome nevojat e jetës së përditshme vetjake dhe profesionale.
Më saktësisht, edicioni PISA 2009, çmoi se 57% e nxënësve shqiptarë arrijnë deri te niveli 2, nga 6 nivele që përdoren për të përcaktuar cilësinë e arritjeve. Përse kjo gjendje?
Pa mohuar ndikimin e faktorëve, si varfëria, mediat apo degradimi i marrëdhënieve shoqërore, që sigurisht e ndikojnë edukimin, besoj se faktori me ndikim të fortë është shkolla. Më konkretisht, kurrikula e saj dhe cilësia e kompetencave profesionale të mësuesve.
Kushdo që ndjek rrjedhën bashkëkohore të reformimit të sistemeve arsimore, i njeh dallimet e mëdha të filozofive që orientojnë reformat kurrikulare bashkëkohore në vendet e OECD – produktin e të cilave çmon PISA. Reformat e kurrikulave në Finlandë, Singapor, Zelandë e Re, Kanada, Kinë etj., orientohen nga teoritë bashkëkohore të njohjes, të kurrikulës dhe të didaktikës, që shërbejnë si themele të strategjive mësimore që mundëson ndërtimin e njohurive dhe mjeshtërimin e kompetencave. Në këto vende, jo vetëm kuptimet e reja për dijet, njohuritë dhe nxënien, por dhe ndryshimet në natyrën e punës dhe në teknologji, për të mos përmendur të tjera, kanë ndikimet e tyre mbi llojin e arsimit që po u ofrohet të rinjve dhe mbi procesin zhvillues ku ata përfshihen. Kurrikulat e reja, që bazohen mbi kompetencat, kanë të përbashkët një grup aspektesh të karakterit të përgjithshëm dhe një bashkësi orientimesh për çdo fushë të nxënies. Sa u takon aspekteve të përgjithshme, përvojat e mira evidentojnë të paktën 5 konvergjenca: i) fleksibilitetin kurrikular; ii) formimin e kompetencave; iii) praktikat pedagogjike integruese; iv) rritjen e opsioneve për nxënësit; v) pedagogjinë e projekteve. Është ky konteksti ku bazohen testet e PISA-s. Ata nuk u referohen programeve arsimore të vendeve të veçanta, por synojnë të matin nivelet e përdorimit të njohurive dhe kompetencave në kontekstet reale jetësore, ose afërsisht të tilla. Ndërkaq, kurrikula shqiptare i referohet qasjes tradicionale që synon aftësimin e nxënësve për të zbatuar në situata thjesht didaktike dijet lëndore, thënë ndryshe riprodhimin e situatave standarde matematikore, gjuhësore, shkencore etj. Kjo i bën të pakrahasueshme arritjet e nxënësve tanë, me gjithë sa kërkon formimi i individit në një shoqëri të dijes dhe teknologjisë. Këtë kontradiktë themelore, fatkeqësisht nuk e kapërcen dot as “reforma e arsimit bazë” që po projekton qeveria Berisha. Gjithashtu, sikur të mos mjaftonte veprimi i këtij faktori frenues, sot konstatohet lehtë se kompetencat profesionale të pjesës më të madhe të mësuesve nuk u përgjigjen sfidave me të cilat përballen nxënësit tanë. Kontingjenti i mësuesve në karrierë po ndien pasojat e politikës blegtorale për zhvillimin profesional në punë. E gjithë sa u trumbetua si reforma e trajnimit profesional, rezultoi në disa seanca mediokre që po zhvillohen nga agjenci private, të fokusuar mbi fitimin e tyre. Sa u takon mësuesve të rinj, mjafton t’u hidhet një sy programeve të studimit me të cilët ata formohen, për të kuptuar se sa “të dalë boje” janë filozofitë arsimore dhe kurrikulat përkatëse që ofrojnë stafet akademike të fakulteteve të edukimit.
Përfundimi
Që fëmijët të mund të marrin arsimin cilësor që meritojnë, na duhet të rimendojmë thellësisht shkollat dhe arsimin. Shndërrimi i gjendjes ekzistuese, më së pari, kërkon reformimin e thellë të strukturës dhe brendisë së kurrikulës dhe praktikave pedagogjike; drejtues me vizion të qartë për shkollën dhe mësues të aftësuar profesionalisht. Kjo është më e pakta që mund të kërkojë çdo prind për fëmijët e tij.
02.05.2013
Burimi: Gazeta Shqip