PRESHEVE – Autoritetet serbë hoqën të dielën pllakën përkujtimore kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që ishte vendosur para Kuvendit të Komunës në Preshevë. Ky akt u shoqerua me reagime në Prishtinë dhe në Tiranë.
Sot mijëra shqiptarë po protestojnë në sheshin qendror të Preshevës në shenjë revolte kundër aktit të autoriteteve serbe për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së.
Në protestë po marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e partive politike dhe kryetarët e komunave të Preshevës dhe Bujanocit, familjarë të dëshmorëve dhe veteranë të UÇPMB-së. Protesta deri tani po zhvillohet e qetë dhe pa incidente, ndërsa policia po mban rendin. Nuk janë vërejtur forca policore të xhandarmerisë serbe.
Partitë politike i kanë bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës të solidarizohen dhe të marrin pjesë në protestë. Përveç protestës, liderët politik të këtij rajoni kanë theksuar se do të formojnë grupin e unitetit dhe do të hartojnë një platformë të re kërkesash për zgjidhjen përfundimtare të statusit të shqiptarëve në këtë rajon.
Gjatë natës në Preshevë ka qenë qetësi dhe pa ndonjë incident, ndërsa qytetarët nuk kanë vërejtur lëvizje të shtuar të forcave të xhandarmerisë serbe në brendi të qytetit. Siç mësohet një numër i madh i xhandarmerisë serbe janë stacionuar në zonën në afërsi të kufirit me Kosovën, në pjesën e Karadakut.
BERISHA: DO SHQYRTOJMË MARRËDHËNIET ME SERBINË
Kryeministri Berisha reagoi sërish ashpër në lidhje me heqjen e memorialit të UÇPMB-së nga sheshi qendror i Preshevës. Në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të PD-së, kryeministri tha se pas këtij akti qeveria shqiptare do të shqyrtojë të gjitha marrëdhëniet me Serbinë. Sipas kryeministrit, “ky akt dëshmon se ka vetëm një rrugë, bashkimi i kombit shqiptar, në mënyrë që shqiptarët të gëzojnë ato që fituan me gjak.”
“Me forcën e mitralozave, autoblindave, njësive speciale, u shkul nga qendra e Preshevës përmendorja e heronjve të kombit shqiptar të Luginës së Preshevës. Eshtë në të drejtën e autoriteteve lokale të vendosin institucionet e tyre kulturore, shtatoret dhe simbolet e tyre. Gjer dje ata u ulen në marrëveshje me ta, por jo vetëm që nuk i zbatuan marrëveshjet por me një gjuhë të denjë vetëm për ta, i krahasuan me Al Qaedan. Urrejtja ndaj shqiptareve është e akumuluar në shekuj, është e induktuar në qeliza dhe këto zhvillime tregojnë se është iluzion të mendosh se ata do të mund të çlirohen nga urrejtja ndaj shqiptarëve. Uroj dhe dëshiroj që shqiptaret të punojnë për bashkimin e tyre me njëri-tjetrin, si rruga më e sigurt e ndërtimit të së ardhmes, por edhe e çlirimit të fqinjëve tanë nga fobitë shekullore të akumuluara ndaj shqiptarëve.”- u shpreh Berisha.
Më tej Berisha i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos përdorin standarde të dyfishta për serbët në Mitrovicë dhe shqiptarët në Preshevë.
“Serbia nuk mund të kërkojë as një të drejtë më shumë se ato që përcaktojnë konventat ndërkombëtare. Ne mbetemi të përkushtuar për paqen, por nuk mund të pranojmë qëndrime të tilla.”- tha Berisha.
Ndër të tjera, shefi i qeverisë bëri të ditur se do t’i propozohet Bashkisë së Tiranës që një rrugë në kryeqytet të marrë emrin “Heronjtë e Preshevës”.
MINISTRI TAVO SHTYN VIZITËN NË BEOGRAD
Ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo ka shtyrë vizitën e planifikuar për sot në Beograd, Serbi. Ky zhvillim pason ngjarjet në Preshevë ku xhandarmëria serbe hoqi lapidarin e dëshmorëve shqiptarë.
DACIC PRESHEVA CESHTJE E BRENDSHME E SERBISE
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi sot në Beograd se situata e sigurisë në Preshevë është e qetë dhe se ngjarjet atje janë “çështje e brendshme” e Serbisë.
“Situata e sigurisë është e qetë. Mendoni se ajo mund të varet nga lapidari? Do të ishte një vend i shkretë sikur të varej”, u ka thënë Daçiq gazetarëve në Beograd.
Ai po ashtu ka deklaruar se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Prishtinën dhe se procesi i tillë nuk ka asnjë lidhje me Luginën e Preshevës.
Të dielën, pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë larguar lapidarin e ushtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, i cili ka qëndruar para Kuvendit Komunal në Preshevë.
Një gjë e tillë ka nxitur reagimin e shumë autoriteteve, si shqiptare ashtu edhe ndërkombëtare, dhe është thënë se mund të ndikojë dialogun Prishtinë-Beograd.
DAÇIÇ: NUK NEGOCIOJMË ME TERRORISTËT!
Ambasadat amerikane dhe Britanike në Beograd kanë shprehur keqardhje për vendimin e njëanshëm të Qeverisë së Serbisë për ta hequr monumentin e UÇPMB-së në Preshevë. Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se “ka mbaruar rrëfimi për monumentin në Preshevë”. Sipas tij, ai nuk ka shkaktuar krizë, por se ajo është shkaktuar “nga shqiptarët në jug të Serbisë”.
“Unë nuk besoj se veteranët e Al-Qaedas pyeten në Shtetet e Bashkuara apo ata që kanë bërë akte terroriste në Londër e Madrid, nëse duan të vendosin monument”, ka thënë Dacic. “Fakti se Serbia dëshiron të negociojë, dikush këtë e sheh si dobësi tonën”.
“I keni dëgjuar deklaratat e tyre, se ata do të vazhdojnë të luftojnë me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Cili komuniteti ndërkombëtar? Mbase unë e njoh bashkësinë ndërkombëtare dhe negocioj me ta”,- ka shtuar ai.
“Në Serbi do të respektohen ligjet. Thaçi mund të vë doganierët në pikëkalimet administrative e pastaj thonë se duhet të respektohen ligjet e Kosovës, e kur duhet të respektohen ligjet e Serbisë, hajt të bisedojmë. Nuk ka negociata me terroristët”, tha Dacici dhe shtoi: “Me ata që lëvdojnë terrorizmin nuk mund të negociohet. Mund të negociohet me ata që duan të jenë pjesë e sistemit tonë politik dhe kushtetues. Nëse ne nuk kemi tregojnë tolerancë të mjaftueshme, atëherë unë nuk e di se kush”.
LAPIDARI I UÇPMB-së NË BAZËN E XHANDARMERISË NË BUJANOC
Lapidari i UÇPMB-së ndodhet në bazën e xhandarmerisë në periferi të Bujanocit. Kjo bëhet e ditur nga agjencia e lajmeve INA. Dëshmitarë okularë kanë thënë se lapidari akoma vazhdon të qëndrojë i mbështjellë në rimorkion e kamionit, që u transportua nga Presheva.
Dje qarkulluan informacione se lapidari mund të kishte udhëtuar drejt Beogradit apo Nishit, por kjo gjë sot është përgënjeshtruar. Autoritetet komunale të Preshevës nuk kanë konfirmuar dhe nuk dijnë saktësisht vendndodhjen e lapidarit të hequr.
NGJARJET 20 JANAR- SERBIA HEQ MEMORIALIN E UÇPMB
20-janar- Autoritetet serbë hoqën sot pllakën përkujtimore kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që ishte vendosur para Kuvendit të Komunës në Preshevë. Ndersa sot ky akt u shoqerua me reagime në Prishtinë dhe në Tiranë, të hënën është paralajmëruar një protestë. Lidere politike e shtetit nga Tirana e Prishtina duke denuar aktin e heqjes se lapidarit u bene thirrje shqiptareve te Lugines te tregojne qetesi dhe vetepermbajtje. Në vendin ku ndodhej pllaka përkujtimore sot janë ndezur qirinj. Përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe qetësinë pas veprimeve të forcave serbe.
Forcat speciale të xhandarmerisë serbe sot në orën 7:15 minuta të mëngjesit kanë larguar lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së të vendosur në qendër të Preshevës
Rreth 200 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të kenë qenë roje të mjeteve të rënda që shkulën lapidarin nga sheshi para komunës për ta ngarkuar në një kamion. Gjatë këtij operacioni ishte i pranishëm edhe komandanti i xhandarmërisë së Serbisë, Bratisllav Dikiq, i cili nuk ka dashur të prononcohet për media.
Sipas mediave në Serbi, sheshi i Preshevës tashmë është tërësisht i pastruar dhe nuk ka shenja se aty ka ekzistuar ndonjë përmendore. Momentalisht nuk dihet se ku është dërguar lapidari.
Nga ana tjetër, në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, theksohet se “përmendorja e ngritur në mënyrë ilegale”, sot është larguar nga qendra e Preshevës dhe se aksioni ka kaluar pa incidente.
Kryeministri serb dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçic ka deklaruar se pas skadimit të të gjitha afateve ligjore, me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, pjesëtarët e xhandarmërisë e kanë hequr lapidarin e vendosur në mënyrë jolegale në Preshevë.
“Serbia ka treguar durim të mjaftueshëm, por edhe ka dërguar mesazh të fuqishëm se ligji duhet të respektohet dhe se askush nuk është më i fortë se shteti”,- ka thënë Daçic.
Shqiptaret ne Presheve
Përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe qetësinë pas veprimeve të forcave serbe.
Ata bënë thirrje që çështja e Luginës së Preshevës urgjentisht të trajtohet edhe në Bruksel në bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë.
Pllaka përkujtimore qe vendosur në Preshevë në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe ajo u kushtohej kryengritësve shqiptarë që luftuan për më shumë të drejta të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në maj të vitit 2001, konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe, mori fund me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë, i cili edhe kësaj radhe ishte përfshirë në përpjekjet për të gjetur një kompromis ndërmjet Beogradit dhe shqiptarëve në zonë.
Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë shprehu keqardhjen që negociatat për gjetjen e zgjidhjes së kompromisit u dëmtuan nga largimi i monumentit nga ana e qeverisë serbe dhe se “negociatat është dashur të vazhdojnë për gjetjen e zgjidhjes, që do të respektonte dëshirat e të dy komuniteteve
PRISHTINË, PROTESTOJNË TIFOZAT “PLISAT”: STOP POSHTËRIMIT!
Tifozët e Prishtinës ‘Plisat’ kanë organizuar sot pasdite rreth orës 18:00 protestë të qetë para Teatrit Kombëtar në Prishtinë në përkrahje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me moton ‘Në Mbrojtje te ushtarëve te lirisë dhe vlerave te tyre”.
Me parullën kryesore “Deri ku do të na poshtërojnë”, tifozët “Plisat” kanë kërkuar që të reagohet fuqishëm pas largimit të lapidarit dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit (UÇPMB).
Protestuesit po ashtu kanë mbajtur edhe pankarta me mbishkrimin UÇPMB si dhe kanë ndezur fishekzjarrë. Protesta ka përfunduar e qetë.
PRESHEVË, SHQIPTARET TE HENEN NE PROTESTË
Nesër në Preshevë do të mbahet një protestë gjithëpopullore e shqiptarëve të Luginës. Ky ka qenë vendimi i marrë sot në mbledhjen e liderëve politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës lidhur me shqyrtimin e situatës më të re pas heqjeje së lapidarit të dëshmorëve nga sheshi i Preshevës, siç u quajt, nëpërmjet një akti vandal të xhandarmërisë së Serbisë.
Siç raporton, Presheva Jonë, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka bërë një pasqyrim të situatës, ndërsa kërkoi që të përfshihet në delegacionin për bisedimet Kosovë-Serbi.
Mustafa i bëri thirrje gjithashtu edhe faktorit ndërkombëtar që të ndërhyjë për qetësimin e gjendjes. Liderët politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës do të takoheshin sot për të biseduar për fatin e lapidarit, por siç u shpreh një nga të pranishmit në takim, kryetari Bujanocit, Nagip Arifi, “Serbia na preu ne besë”.
MINISTRIA E JASHTME E SHQIPERISE: FAKTORI NDËRKOMBËTAR TË REAGOJË NË MBROJTJE TË SHQIPTARËVE
Ministria e Punëve të Jashtme është shprehur sot me anë të një deklarate për shtyp se ka ndjekur me shqetësim zhvillimet në Luginën e Preshevës.
Ministria e Jashtme duke dënuar ashpër këtë akt i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të reagojë menjëherë në mbrojtje të shqiptarëve në Preshevë.
“Lajmi i sotëm për heqjen e monumentit të dëshmorëve nga xhandarmëria serbe, në mënyre të njëanshme, dhe duke injoruar dialogun e nisur mes autoriteteve lokale dhe qëndrore nën kujdesin e faktorit ndërkombëtar është një tjetër dëshmi e një politike diskriminuese dhe agresive e autoriteteve të Beogradit kundrejt pakicës shqiptare në Serbinë e Jugut.
MPJ e dënon ashper këtë akt dhe i bën thirrje faktorit ndërkombëtar, të reagojë menjëhere në mbrojtje të të drejtave të pakicës shqiptare në Serbinë e Jugut. MPJ u bën dhe një herë thirrje autoriteteve lokale në Luginën e Preshevës dhe popullsisë atje të përmbahen kundrejt këtyre provokimeve në vazhdimësi, duke i mbështetur plotësisht ata në kauzën e tyre, se askush nuk do të mund të mohojë a tjetersoje luftën e drejtë për lirinë dhe të drejtat njerezore qe u bë ndaj regjimit antishqiptar serb”.
BERISHA NE FACEBOOK: TË RËNËT TANË NUK VDESIN KURRË!
Kryeministri, Sali Berisha reagoi nëpërmjet faqes së tij në Facebook lidhur me heqjen e lapidarit të UÇPMB-së. Kreu i qeverisë e cilësoi këtë një akt që dëshmon edhe njëherë se bashkimi i kombit shqiptar është vendimtar për të ardhmen.
“Akti i heqjes se monumentit të heronjve te kombit shqiptar të Luginës së Preshevës, është dëshmi tjetër e albanofobisë që sundon politikën zyrtare të Beogradit ndaj shqiptarëve. Ky akt dëshmon dhe njëherë se bashkimi i kombit shqiptar është vendimtar për të ardhmen e tij, por dhe për clirimin e fqinjëve tanë nga albanofobia dhe pasiguria që ndiejnë ata që kanë pushtuar trojet e shqiptarëve dhe shërbehen me praktika rraciste dhe fobie ndaj tyre.”- shkruan Berisha.
Berisha i bën thirrje qytetarëve dhe udhëheqësve politike të Preshevës që të shmangin provokimet, te ruajne gjakftohtesine ndaj terrorit policesk te Beogradit, duke i garantuar se Shqipëria do të bëjë gjithçka në të gjitha institucionet ndërkombetare për t’i dhënë fund terrorit policor ndaj shqiptareve që jetojnë në trojet e tyre etnike në Luginën e Preshevës.
“Ata që shkulën monumentin e heronjve të Preshevës duhet ta dinë se; Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!”- përfundon reagimi i Berishës.
QEVERIA SHQIPTARE: TË NDALET STUHIA E ALBANOFOBISË
Qeveria shqiptare dënon heqjen e përmendores së dëshmorëve në Luginën e Preshevës. Në reagimin zyrtar të shpërndarë për mediat, qeveria e konsideron heqjen e memorialit të UÇPMB-së si një tjetër dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve të Beogradit. Sipas qeverisë shqiptare, përmes këtij akti Beogradi ka shkelur ligjet dhe konventat ndërkombëtare.
“Qeveria shqiptare u bënë thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij.”- nënvizohet në njoftim.
Reagimi i plotë i qeverisë shqiptare
“Qeveria Shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitroloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, i përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës që ranë për tu bërë të pavdekshëm në luftë për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar kundër regjimit barabar të Milloshevicit. Qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti shqiptare e Slobodan Milloshevicit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit. Me këtë akt të rëndë autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Europës si dhe Kartën Europiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Europës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t’i zbatojë. Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë pa asnjë lëkundje liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat nuk mund të kenë në asnjë rast standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e veriut. Qeveria shqiptare iu bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë që po shfaqet rëndom në rajon si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij.”
TOPALLI: QEVERIA SERBE DËSHMOI URREJTJEN NDAJ SHQIPTARËVE SI NË KOHËN E MILLOSHEVICIT
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dënoi sot në emër të Kuvendit të Shqipërisë heqjen e përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Sipas Topallit kjo skenë të sjellë në mend kohët e Milloshevicit.
“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dënoj me ashpërsinë më të madhe burracakërinë e primitivëve që hoqën me autoblinda, fadroma, ushtarë e policë, monumentin e Preshevës. Skenë që nuk ndodh kund në Europë, skenë që të sjell në mend kohët e Milloshevicit”.
Sipas Topallit, akti i sotëm është një provokim i rëndë si ndaj shqiptarëve dhe ndaj Europës.
“Ngjarja e sotme është ogur i keq, që shkon tamam në të kundërtën e parimeve e vlerave europiane, e që risjell edhe sot në vëmendje fobinë ndaj shqiptarëve. Ata, sot hoqën monumentin, por ngritën më lart shqiptarizmën e frymën e bashkimit të shqiptarëve në të gjitha trojet, e kudo që janë. Qeveria Serbe, sot dëshmoi të njëjtën urrejtje të shekullit e shekujve të kaluar. Akti racist i sotëm është primitiv, i dënueshëm, armiqësor ndaj shqiptarve, por edhe provokim ndaj Europës dhe dëmtim i klimës e vullnetit për dialog. Qeveria serbe gabon nëse mendon se kjo është rruga dhe kështu do bëjnë dialogun”.
PRISHTINA ZYRTARE: HEQJA E LAPIDARIT, AKT I SHËMTUAR
Qeveria e Kosovës shprehet e indinjuar me veprimin e autoriteteve të Serbisë për heqjen me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës.
“Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit”,- thuhet në deklaratën me shkrim të Qeverisë së Kosovës.
“Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit, tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët”, thuhet në deklaratë.
Ky veprim i autoriteteve serbe, cilësohet si i shëmtuar dhe jocivilizues. Veprime të tilla, “nuk e ndryshojnë dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë, përkundrazi, vetëm sa e forcojnë atë dhe na rikujtojnë se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar”, vazhdon reagimi i Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi të Serbisë.
“Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike”, – thuhet në këtë deklaratë.
Në fund të reagimit thuhet se “ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”.
KOSOVE-PRESIDENCA: HEQJA E PËRMENDORES NË PRESHEVË NË KUNDËRSHTIM ME TË DREJTAT THEMELORE TË NJERIUT
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës vlerëson se heqja e përmendores në Preshevë është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.
“Heqja e përmendores nuk është në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur nëpërmjet institucioneve të kuvendeve komunale, që janë institucione legjitime dhe legale. Kjo tregon mungesën e gatishmërisë që nëpërmjet dialogut të gjendet zgjidhja si një mekanizëm tashmë i dëshmuar demokratik”, theksohet në deklaratën e Zyrës së Presidentes së Kosovës.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës bën thirrje për qetësi dhe për krijimin e një klime të mirëbesimit që do të rivendoste dialogun me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme.
KOSOVE-LDK-JA DËNON HEQJEN E LAPIDARIT TË DËSHMORËVE TË UÇPBM-SË
Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme sjelljen e sotme të shtetit serb, i cili në mënyrë të vrazhdë hoqi nga sheshi i Preshevës Lapidarin e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
“Ky akt është në vazhdën e veprimeve të njohura të regjimeve të Beogradit, kundër të cilave kanë luftuar dëshmorët shqiptarë të Kosovës Lindore, emrat e të cilëve janë skalitur në atë lapidar, të cilin Beogradi zyrtar sot e vodhi brutalisht”, theksohet në deklaratën e LDK-së.
LDK-ja e vlerëson këtë akt si një mjet presioni ndaj shqiptarëve të mbetur në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ndaj i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta shtojë kujdesin për qytetarët e atjeshëm shqiptarë, të cilët janë më të shtypurit dhe më të diskriminuarit në Evropë.
KOSOVË-KRASNIQI: SHQIPTARËT E PRESHEVËS TË MOS BIEN PRE E PROVOKIMEVE TË BEOGRADIT
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, nëpërmjet një deklarate, ka dënuar ashpër heqjen e lapidarit të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), nga ana e policisë dhe xhandarmërisë serbe sot në Preshevë.
Krasniqi vlerëson se ky veprim i Beogradit, dëshmon edhe njëherë se pushteti aktual i Serbisë nuk ka ndryshuar asgjë nga logjika, mentaliteti dhe veprimet e pushtetit të Sllobodan Milosheviçit.
“Veprimet e tilla nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon, e as procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kjo është edhe një dëshmi se Beogradi vazhdon të jetë prodhues i destabilitetit, nxitës i konflikteve dhe urrejteve ndërmjet kombeve”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Kuvendit.
Pas situatës së krijuar, Krasniqi bën thirrje për gjakftohtësi, në mënyrë që shqiptarët e kësaj treve të mos bien pre e provokimeve të Beogradit, sado të dhimbshme qofshin ato.
ASOCIACIONI I KOMUNAVE TË KOSOVËS DËNON HEQJEN E LAPIDARIT NË PRESHEVË
Asociacioni i Komunave të Kosovës, në emër të komunave të Republikës së Kosovës, reagon kundër heqjes së lapidarit të dëshmorëve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke vlerësuar se me këtë akt është cënuar e drejta më themelore e qytetarëve të kësaj ane, e përkujtimit të të rënëve të tyre.
Po ashtu, Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se vendosja e lapidarëve dhe e përmendorëve është e drejtë ekskluzive e pushtetit lokal dhe me këtë rast veprimi i Beogradit cënon edhe parimet bazë të kompetencave dhe të drejtave të autoriteteve lokale në komunën e Preshevës.
LSI: SHQIPTARËT E LUGINËS SË PRESHEVËS TI SHMANGEN PROVOKIMEVE
“Provokim të hapur ndaj popullsisë shqiptare e ka cilësuar në një reagim të saj Lëvizja Socialiste për Integrim, duke dënuar aktin e heqjes së memoralit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë.
Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama është shprehur se: “Heqja e memoralit të dëshmorëve, është një provokim për popullsinë shqiptare, prandaj LSI fton shqiptarët e Luginës së Preshevës që tu shmangen këtyre provokimeve. Beogradi, jo xhandarë por dialog me shqiptarët e Luginës së Preshevës.”
“Dëshmorët e UÇPMB-së, janë dëshmorë të kombit shqiptar” ka thënë më tej Luan Rama.
SHQIPERI-ALEANCA KUQ E ZI REAGON PËR HEQJEN E MEMORIALIT NË LUGINEN E PRESHEVES
Aleanca Kuq e Zi dënoi sot vendimin e qeverisë së Sërbisë për heqjen e “Memorialit të UÇPMB-së” në Preshëvë dhe e konsideroi veprimin e policisë sërbe, “një akt provokues dhe kërcënues për shqiptarët në Luginën e Preshevës”.
Në një njoftim për median AK deklaron se “Qeveria e Sërbisë shkeli sot “Konventën e Kombeve të Bashkuara për luftën kundër gjithë formave të diskriminimit, racizmit dhe të ksenofobisë”, dhunoi haptazi “Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, që është arritja më e madhe e Traktatit të Lisbonës së Bashkimit Evropian. Serbia injoroi “Konventën e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Komuniteteve Pakicë”.Gjithashtu vendimi i qeverisë së Sërbisë shkeli haptazi “Konventen për Autonominë e Qeverisjes Vendore të Këshillit të Evropës”.
FRD: ZGJIDHJA TE VIJE ME DIALOG
Për heqjen e lapidarit në Luginën e Preshevës ka reaguar gjithashtu dhe Partia Fryma e Re Demokratike.
Nëpërmjet kreut të saj, Bamir Topi, FRD-ja ka mbështetur qëndrimet dhe veprimet e drejtuesve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“FRD mbështet qëndrimet dhe veprimet e drejtuesve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Zgjidhja duhet të vijë me dialog dhe jo me ultimatume nacionaliste pasi Shqiptarët janë dhe mbeten faktor paqeje në rajonin e Ballkanit. I bëjmë thirrje qeverisë të jetë më pranë banorëve të Preshevës, është detyrim kushtetues” është shprehur kreu I FRD-së, Topi.
21.01.2013
Burimi: Balkanweb