Saimir Tahiri ka belbëzuar sot në konferencën e shtypit kur është ndjerë i braktisur nga të gjithë e mbi të gjitha nga njeriu që e solli në politikë në vjeshtën e 12 vjetëve më parë-kryeministri Edi Rama.
I është marrë goja teksa po kundërshtonte akuzat ndaj tij dhe sulmet tashmë frenetike nga të gjithë të mëdhenjtë e opozitës, që duket se kanë siguruar një “peshk të madh” për ta goditur e për ta përdorur politikisht.
Por në fakt ç’do të ndodhë me rastin Tahiri politkisht, pas atij gjesti gati apokaliptik nga Prokurori i Përgjithshëm që refuzoi ta takojë, duke ndjellë kështu lajme të kobshme për ish-ministrin më jetëgjatë të Rendit Publik në Shqipëri?
Një fletë arresti në fakt ndodhet në zyrën e Adriatik Llallës që prej një viti por jo për çështjen “Habilaj” por për të ashtuquajturën aferë të përgjimeve, ku Ilir Meta akuzoi Saimir Tahirin se po e përgjonte dhe i kërkonte Ramës çdo të martë shkarkimin e tij.
Por edhe pse Saimir Tahiri sot nuk ka asnjë pushtet politik, një eskalim i situatës, pra një arrestim i tij do të kishte reperkursione destabilizuese në politikë.
Pasi siç e tha edhe në deklaratën për shtyp, ai dinte shumë gjëra për persona që “I kam pasur përballë” dhe mund të hapë dosjet.
Edhe pse deputeti aktualisht me Kushtetutë nuk ka imunitet, një arrestim i tij merret vetëm me vendim parlamenti dhe në bazë të një procedure të posaçme parlamentare, e cila do të kishte një kosto shumë të madhe për Edi Ramën.
Ndërsa një hetim nga Prokuroria normal, pra nisje e hetimit edhe pse në dukje disfavorizon Tahirin, realisht i jep atij një armë të madhe që mund t’i shfrytëzojë mirë nëpërmjet dosjeve që ka tërhequr nga Ministria e Brendshme.
Por, gjithsesi ish-ministri i Brendshëm është treguar të paktën naiv politikisht dhe si i tillë ka të gjitha gjasat për të shkatërruar përfundimisht karrierën e tij politike.
Në një intervistë në Top Story më shumë se një vit më parë, ai deklaroi se Habilajt nuk janë tregtarë droge dhe shpalli se nëse vërtetohet se ata janë kriminelë ai do të kërkonte ndjesë publike për shitjen e makinës. Sot erdhi dita dhe Tahiri bëri një ndjesë publikë që ngjau me një vetëvrasje politike.
Nëse ai do të mbajë qëndrimin e sotëm, gjysëm sentimental dhe gjysëm parimor, padyshim ish-ministri nuk ka gjë në vijë për arsye se batareja artilerike e opozitës mund ta fundosë plotësisht.
Por nëse Saimir Tahiri, do të nisë të flasë atë që di, pra të tregojë gjithçka mbi përpalsjet që ka pasur, historinë e vërtetë të drogës dhe rritjes së trafikut, atëherë ka shumë gjasa që jo vetëm të shpëtojë fytyrën por edhe të ngjallet politikisht duke marrë iniciativën.
Tahiri, megjithëse i ngjante Qemal Stafës dhe drejtoi një fondacion me emrin e ish-kreut të Rinisë Komuniste, ai nuk hyri në PS si një protagonist që vinte nga aksioni, por hyri nga dritarja që e futi Edi Rama, kur u bë kryetar i PS-së në vitin 2005. Dhe të parin politikan që solli brenda në kryesi ishte Saimir Tahiri, të cilin e emëroi Zëdhëndës të PS-së.
Nuk zgjati shumë dhe në zgjedhjet e 2009-s e kandidoi në qarkun e Tiranës, përkatësisht në Kombinat, duke e emëruar dhe kryetar të PS-së së kryeqytetit.
Pikërisht në vitin 2009 nisi dhe karriera politike aktive e Saimir Tahirit, i cili në konferencat e shtypit dilte me shkumësa dhe dërrasë të zezë si në shkollë. Një karrierë politike deklamative sa akuzoi në parlament të birin dhe vajzën e kryeministrit të atëhershëm, Sali Berisha.
Ky i fundit arrestoi të atin e Tahirit për kontrabandë ilaçesh, kur ai ishte një farmacist normal si shumë e shumë farmacistë. Dukej hapur që ishte një sulm politik.
Por pasi PS erdhi në pushtet, Edi Rama i dha digasterin më të vështirë në vend, pataten më të nxehtë, Ministrinë e Brendshme.
Një detyrë që pati dy fytyra; lavdinë e Lazaratit e më pas kanabisin në pjesën tjetër të vendit, por edhe intriga pallati, përgjime, shërbime sekrete e mbi të gjitha një luftë të tmerrshme me Ilir Metën.
Saimir Tahiri u mor personalisht me policët, operacionet e gjithçka, duke marrë mbi supe edhe të mirat por edhe problemet e policisë që nuk i pranoi kurrë. Në një farë mënyrë pranoi edhe dështimin por edhe lavdinë mbi vete.
Madje edhe drejtorët e Policisë nëpër qarqe që nuk i ndryshoi kurrë se i kishte si grup miqsh, si bord CEO-sh, me të cilët drekoi edhe kur Edi Rama i kërkoi largimin, duke publikuar edhe foton me ta.
Kreu i LSI-së e ka dashur të larguar Tahirin dhe e realizoi vetëm në fund, pasi Rama e ruajti si gur këmbimi kur Meta i kërkoi kokën e tij.
E përdori si fill, që u sakrifikua kur Edi Rama ishte i rrethuar nga të gjithë.
Dhe Tahiri synoi ta përdorë këtë kartë pas zgjedhjeve, kur ndaheshin postet. Rama e mbajti me shpresë se do t’i japë ndonjë digaster: ndoshta drejtësinë, bujqësinë apo edhe zv.kryeministër. Por ndryshe nga ç’i premtoi e la thatë, vetëm një deputet, madje edhe pa drejtuar ndonjë komision parlamentar.
Këtu nisi edhe rebelimi i Tahirit, rebelim që u botua për herë të parë nga tesheshi.com, i cili nisi të dalë nëpër emisione duke gërricur Kryeministrin dhe pasardhësin e tij.
Nisi të premtojë se do të flasë, do të formojë ndonjë lëvizje të majtë paralele politike. Por në fund është goditur egërsisht duke i dhënë alternativë që të vetëmbrohet në qoshe. Ç’do të bëjë Saimir Tahiri të dalë nga qoshja?!
E vetmja alternativë është të grushtojë, ndryshe do të vritet deri sa të bjerë nokaut dhe mund të jetë ai hapësi i serisë së “Peshqve të Mëdhenj” që Donald Lu premtoi se do të zihen deri në verën e ardhshme.
17.10.2017
Për Lajm-Shqip
Ylli Pata