Posti i ambasadorit në NATO/ Ja kë po zëvendëson ish-kreu i SHISH…
Kryeministri Edi Rama i ka përcjellë sot Presidentit emrin e Visho Ajazi Likës për ambasador të Shqipërisë në NATO.
Tashmë pritet që kreu i shtetit të firmosë propozimin e kryeministrit. Visho Ajazi Lika, ish-kryetar i SHISH-it, i dorëhequr nga kjo detyrë më 30 tetor, do të marrë detyrën e re.
Por kush është ambasadori që pritet të zëvendësojë Visho Ajazi Lika në NATO?
Prej nëntorit të 2013-ës këtë detyrë e kryen ish-deputeti demokrat Leonard Demi. Ai i u propozua në këtë funksion nga kryeministri Edi Rama, vetëm pak muaj pasi u ul në karrigen e kryeministrit, pas zgjedhjeve parlamentare të atij viti.
Rama në atë kohë surprizoi teksa i propozoi Presidentit të asaj kohe, Bujar Nishanit, të dekretonte ish-deputetin e PD-së. Ai ka mbajtur edhe detyrën e kryetarit të Komisionit të Sigurisë në Parlamentin e Shqipërisë, për ambasador të Shqipërisë në NATO.
Sipas Kushtetutës, ministri i Jashtëm i propozon Kryeministrit kandidatin për ambasador. Kreu i qeverisë ia paraqet Presidentit për ta emëruar.
Në Rregulloren e Kuvendit parashikohet se kandidatët për ambasadorë duhet të kalojnë në një seancë dëgjimore në Komisionin e Punëve të Jashtme.
Relacioni që përgatitet nga Komisioni i bashkëngjitet dosjes së secilit kandidat kur i dërgohet kreut të shtetit për ta firmosur.
Burimi: Syri
13.11.2017