Deputeti i PASOK-ut dhe ish- peshëngritësi i kombëtares greke, himarjoti Pirro Dhima, i është drejtuar anë të një korrespondence Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale greke, Jani Vrucis, ku i kërkon që kjo ministri dhe qeveria Samaras të ndërmarrë një nismë të veçantë për trajtimin me pensione të të moshuarve në ‘Vorioepir’, kanë bërë me dije mediat greke.
Pirro Dhima, nëpërmjet një letre zyrtare të lëshuar nga zyra e shtypit të tij, i drejtohet ministrit grek, Jani Vrucis, me një sërë pyetjesh, duke i thënë se qeveria dhe ministria duhet të ulë normën e viteve të banimit të përhershëm në Greqi pa kompromis, nga 20-vjet që është e sanksionuar në ligj. Gjithashtu ai i ka kërkuar Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale greke që të përfshijë dhe kategorinë e grave minoritare greke që nuk përfitojnë pension për shkak se ligji thotë se vetëm njëri nga bashkëshortët e përfiton dhe jo të dy.
“Me sa unë jam në dijeni, vorioepiriotët si homogjenë kanë të drejtën e një pensioni minimal prej gati 300 eurosh, në qoftë se ata mund të provojnë se vendbanimi i përhershëm i tyre në Greqi është prej 20 vjetësh, dhe nuk marrin ndonjë pension tjetër nga ndonjë institucion i shërbimeve sociale në Greqi, ose jashtë shtetit grek. Përtej krizës ekonomike që ka prekur kryesisht shtresat e popullatës tonë me të ardhurat e ulëta, ndërmjet tyre përfshihen edhe të moshuarit vorioepiriotë që jetojnë në Greqi. Minoriteti grek në Shqipëri sot lufton për të mbijetuar në një mjedis armiqësor,” citohet Dhima ndër të tjera në gazetën Shekulli.
Sipas Dhimës: “Qëndrimi si banor i përhershëm 20 vjeçar në Greqi, përveçse është shumë i vështirë të provohet me anë të dokumenteve të udhëtimit të asokohe kur ndodhi eksodi i emigracionit, është një periudhë e gjatë dhe vepron në kundërshtim me dhënien e pensioneve të OGA-së në pjesën më dërrmuese të të moshuarve që përfitojnë atë”.
Tre pyetjet e tij për ministrin janë:
-A do të marrin një pension të veçantë të moshuarit vorioepiriotë, për shkak të statusit të tyre të veçantë dhe të ulet periudha e vendbanimit të tyre në Greqi nga ajo që është sanksionuar në ligj, me qëllim që të lehtësojë marrjen e pensionit të tyre nga OGA?
-Në rastin kur marrin një pension paralelisht nga qeveria shqiptare, do të vendoset një tavan për pensionet progresive ku me të drejtë nuk do t’i kalojë 400 euro?
-A do të marrin pension të moshuarit “vorioepiriote” me qëllim që të marrë dhe ajo pensionin nga OGA, pavarësisht se merr apo jo pension bashkëshorti i saj?
02.02.2013
Burimi: Gazeta Tema