Ruçi, letër ambasadorëve: Paketa kushtetuese të votohet në shtator
Partia Socialiste ka kërkuar që votimi i draftit të imuniteteve të shtyhet dhe të votohet në shtator, duke theksuar se ndryshimet në Kushtetutë kërkojnë një diskutim të menduar dhe një debat mes konstitucionalistëve dhe grupeve të interesit. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i ka dërguar dje një letër ambasadorëve të akredituar në Tiranë dhe kreut të Parlamentit, Jozefina Topalli, ku i bën me dije qëndrimin final të opozitës në lidhje me çështjen e imunitetit. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, thekson në letrën e tij: “Si ndryshime shumë të rëndësishme dhe një moment vendimtar për demokracinë parlamentare mes ligjbërësve dhe popullit shqiptar, PS-ja i sheh ndryshimet kushtetuese si të një rëndësie të veçantë dhe po ashtu edhe vëmendja duhet të jetë e veçantë për të garantuar një proces transparent”. Në letër, Ruçi shton se nisma ligjore që ndryshojnë themelin e shtetit shqiptar duhet të përfshijnë në diskutim qytetarët, ekspertët, por edhe ndërkombëtarët, në një diskutim të hapur. Më pas, kreu i grupit parlamentar të PS-së bën të ditur pesë pikat që PS-ja ofron për zgjidhjen përfundimtare të çështjes:
1– Të mblidhet konferenca e kryetarëve dhe të hartohet një projekt për ndryshimet kushtetuese, për t’i paraqitur në sesionin e ardhshëm plenar të Parlamentit, në shtator, duke i përfshirë në programin e punës së Kuvendit.
2– Të publikohet ky projekt në faqen e internetit të Parlamentit, që qytetarët të kenë mundësi për t’u informuar rreth tij.
3 – Të ftohen grupe të ndryshme interesi për të sjellë opinionet e tyre dhe komentet me propozimet përkatëse për ndryshimet.
4– Të organizohet një takim mes Këshillit të Legjislacionit dhe Komitetit të të Drejtave të Njeriut për të bërë të mundur përçimin te publiku të draft/propozimeve, duke përfshirë edhe ekspertët konstitucionalistë në proces.
5– Projekti me ndryshime t’u dërgohet organeve kushtetuese si Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe grupeve të interesit të prekura nga këto ndryshime, që propozohen për t’i lejuar ata të sjellin këndvështrimin e tyre duke shprehur opinionin mbi këtë çështje.
Pesë kushtet e PS-së bëjnë të qartë tashmë qëndrimin e opozitës se nuk do të votojë përfundimisht asnjërën nga të dyja nismat e paraqitura prej Partisë Demokratike dhe LSI-së njëanshmërisht, por do të kërkojë hartimin e një drafti të plotë të ndryshimeve kushtetuese jo vetëm për imunitetet, por edhe për pjesë të tjera të ligjit themeltar të shtetit, që kanë të bëjnë me organizimin e drejtësisë. Në fakt, qëndrimin e ka paralajmëruar një javë më parë lideri i opozitës, Edi Rama, i cili bëri të ditur se PS-ja nuk do të përsërisë gabimin e vitit 2008, kur ndryshoi Kushtetutën bashkë me PD-në për kompetencat e Presidentit dhe të Kryeministrit në mënyrë të menjëhershme. Votat e opozitës janë të domosdoshme në lidhje me ndryshimet kushtetuese, pasi për t’u miratuar në Kuvend duhen gjithsej 96 vota, ndërkohë që mazhoranca e vetme ka vetëm 73.
Propozimet e socialistëve
1– Të mblidhet konferenca e kryetarëve dhe të hartohet një projekt për ndryshimet kushtetuese, për t’i paraqitur në sesionin e ardhshëm plenar të Parlamentit, në shtator.
2– Të publikohet ky projekt në faqen e internetit të Parlamentit, që qytetarët të kenë mundësi për t’u informuar rreth tij.
3 – Të ftohen grupe të ndryshme interesi për të sjellë opinionet e tyre dhe komentet me propozimet përkatëse për ndryshimet.
4– Të organizohet një takim mes Këshillit të Legjislacionit dhe Komitetit të të Drejtave të Njeriut për të bërë të mundur përçimin te publiku të draft/propozimeve, duke përfshirë edhe ekspertët konstitucionalistë në proces.
5– Projekti me ndryshime t’u dërgohet organeve kushtetuese, si Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe grupeve të interesit të prekura nga këto ndryshime.
17.07.2012
Burimi: Gazeta Shqip