Në prag të sezonit të ri turistik, Gjirokastrës i janë shtuar dy operatorë të rinj në fushën e turizmit.
“Albania Dreams” dhe “Kazaku Tours” janë agjensitë që kanë nisur rishtas veprimtarinë me shërbime turistike të shumllojshme dhe cilësore.
Ndër shërbimet që ofrojnë dy operatorët e rinj përfshihet: paketa turistike, makina me qera, rezervime, ture dhe guida turistike.
Për Gentiana Lili, shefe e Sektorit Turistik të Turizmit dhe Trashëgimisë në Bashki, operatorët turistik i kanë munguar Gjirokastrës.
“Operatorët turistik vendas i kanë munguar turizmit në Gjirokastër. Ka shtim të kapaciteteve akomuduese, por rolin e menaxhimit e kanë kryer operatorë të huaj ose vendas, jashtë Gjirokastrës. Është hera e parë që qyteti aq i preferuar turistik, pasuri botërore e UNESCO-s, ka operatorët e saj turistik. Kjo është risia e ketij sezoni të ri turistik”, tha për Lajm-Shqip Shefja e Sektorit të Turizmit, Gentiana Lili.
Menaxheri i Agjensisë Turistike “Albanian Dreams”, Vasil Garo e vlerëson këtë inisiativë e risi, jo vetëm si biznes. Ai mendon se një operator turistik është një vlerë dhe kontribut për zhvillimin turistik të zonës.
“Agjensisë Turistike “Albanian Dreams” është një dritare për të bërë më të prekshme vlerat tona turistike dhe kulturore në mbarë globin. Shërbimet e ofruara do lehtësojë lëvizjen dhe orjentimin e vizitorëve drejt destinacioneve turistike në gjithë territorin e qarkut të Gjirokastrës. “Albanian Dreams” në bashkëpunim me operatorët e hotelerisë, gastronomisë, transportit dhe monumentet e kulturës, do ofrojë paketa të reja turistike”: thotë menaxheri Vasil Garo, inisiatori i këtij operatori të ri turistik me zyrë kryesore në hyrje të qytetit të Gjirokastrës.
Udhëtime brenda dhe jashtë vendit të kësaj agjensie, kanë çmime konkuruese dhe preferenciale. Oferta për udhëtimet familjare, bileta avioni në kohë dhe çmime rekord. “Albanian Dreams” sipas menaxherit, për herë të parë ofron shërbimet e transportit dhe makina me qera brenda një pakete.
Për herë të parë dy operatorë të rinj turistik në Gjirokastër.
Mesazhi promocional i “Albanian Dreams është “Ju ëndërroni. Ne ju zgjojmë dëshirën për të zbuluar botën!”
“Kazaku Tours” është operatori tjetër i liçensuar dhe që është gati për tregun turistik të këtij sezoni në qakun e Gjirokastrës. Menaxheri i këtij operatori Andrea Kazaku thotë se ofrohen dy shërbime kryesore për turistë.
“Ne ofrojmë ture turistike në fshatrat piktoresk të qarkut dhe shërbimin “Rent a Car” makina me qera. Paketat e agjencisë tonë përfshijnë oferta të një game të gjerë, të larmishme dhe konkurruese. Paketat janë me kohë-qëndrimi, nga një deri në pesë ditë”, thotë menaxheri Andrea Kazaku.
Për sezonin e ri turistik, në bashkinë dhe qarkun e Gjirokastrës do të ketë një shtim të kapaciteteve akomoduese, jo vetëm në qytet, por edhe në fshat.

Për Lajm-shqip
Engjëll Serjani