Më në fund PD dhe PS bien dakord për hapjen e negociatave. Bashkimi Evropian ka bashkuar politikën shqiptare.
Në takimin e 12 të Stabilizim Asocimit të Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë palët arritën të dalin me një rezolutë të përbashkët për drogën, krimin dhe shit-blerjen e votave.
Në fund të takimit, u bë e ditur se është arritur dakordësia mes palëve politike për rezolutën finale.
Në rezolutë përfshihet amendamenti për Tahirin, si dhe ai për blerjen e votave.
Dakordësia është përshëndetur edhe nga kryetari i grupit të PS, Taulant Balla.
Ai u shpreh se më në fund kemi një dokument të përbashkët edhe me opozitën.
“Kemi një dakordësi të plotë mazhorancë-opozitë, ku rekomandohet hapja e negociatave dhe caktimi i një date. Jemi të gjithë bashkë për të punuar për Shqipërinë europiane”, u shpreh Balla.
Gjatë tryezës së zhvilluar ditën e sotme, kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian, Monica Macovei, i ka drejtuar mesazhe të forta politikës shqiptare.
Mesazhet kanë qenë të lidhur zgjedhjet dhe luftën ndaj krimit e korrupsionit.
Macovei i kërkoi politikës të bashkohet për të zbatuar Reformën në Drejtësi, si dhe të nisë menjëherë ndjekjet penale për rastet e korrupsionit.
Macovei tha se duhet të marrë fund presioni dhe përdorimi i administratës gjatë procesit zgjedhor.
Gjatë tryezës Macovei theksoi se një ligj zgjedhor ndihmon vendin për të punuar të gjithë së bashku.
“Nuk duhet bërë presion, nuk duhet përdorur administrata, është një fenomen që po ndodh në shumë vende.
Dua t’i bazohem raportit të OSBE-ODIHR për Shqipërinë, disa prej rekomandimeve janë realizuar.
Ka shumë punë përpara për të bërë”.
Zyrtarja e lartë e BE deklaroi se zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit ishin më të mirat.
“Nuk mund të themi se kanë qenë zgjedhjet më të këqija, përkundrazi kanë qenë zgjedhje të mira”, shtoi ajo.
Për Lajm-shqip
Ylli Pata