PD dhe LSI bashkojnë votat, PS humbet mazhorancën në Këshillin Bashkiak Durrës
PD dhe LSI bashkojnë votat
PD dhe LSI kanë bashkuar votat në Këshillin Bashkiak të Durrësit, duke rrëzuar paketën e taksave dhe tarifave vendore për vitin 2018.
Paketa fiskale e propozuar nga Bashkia e Durrësit kishte ulje në disa taksa. Kryesisht për banorët e zonave rurale dhe bizneset e tregtimit të karburanteve.
Në emër të këshilltarëve socialistë, Alfred Mullaraj tha se bashkia ka ruajtur të njëjtin nivel taksash.
Madje për tarifën e pastrimit në zonat e fshatit ku nuk ofrohet ky shërbim, qytetarët nuk do të taksohen.
Ulje në këtë paketë ka pasur edhe për tarifën e çerdhes dhe kopshtit në masën 10 për qind. Kjo tarifë shërben për familjet që janë në skemën e ndihmës ekonomike.
Si dhe 20-30 përqind për familjet me shumë fëmijë.
Këshilltarët
Këshilltarët demokratë dhe ata të LSI-së propozuan ulje të tjera të taksave dhe zerimin e disa taksave për qytetarët.
Të djathtët propozuan që të mos rritet tarifa e plazheve private gjatë sezonit të verës.
Por, asnjë nga propozimet nuk u mor parasysh nga kryetari i bashkisë.
Një tjetër propozim i tyre ishte rishikimi i taksës fikse për banesat private dhe zerimi i taksave dhe tarifave që kanë nivel thuajse 0 të vjeljes së tyre nga administrata.
Me hedhjen në votim, paketa e propozuar u rrëzua me 20 vota kundër të PD-së dhe LSI-së, 19 vota pro dhe 1 abstenim.
Zgjedhjet
Pas zgjedhjeve të qershorit, kjo është hera e parë që LSI bashkon votat me Partinë Demokratike në nivel vendor
Ndërkohë, më herët kishte kundërshtuar, po jo me votë, dhe rritjen e çmimit të ujit të pijshëm për konsumatorët.
Edhe në disa pika të tjera të rendit të ditës, u vu re bashkimi i votave mes PD dhe LSI, duke i kthyer këto forca në mazhorancë brenda Këshillit Bashkiak të Durrësit.
Për Lajm Shqip
V.Q