Drejtuesit e shkollave të mesme thyejnë urdhrin e MASH-it. Kërkojnë para
Në vigjilje të 100-vjetorit të Pavarësisë është mobilizuar i madh e i vogël. Zbukurimet kanë zënë vend pothuajse kudo, në çdo cep, në çdo qytet të vendit. Sloganet që mbajnë mbishkrimin: 100-vjetori i Pavarësisë, flamujt që valëviten, ti zë syri kudo.
Por krahas atmosferës festive që ndihet në rrugët e kryeqytetit, vërehet se nuk mbetet mbrapa puna që kanë bërë drejtoritë e shkollave për zbukurimin e këtyre institucioneve. Nismës së Bashkisë së Tiranës nuk i janë përgjigjur vetëm njësitë e tjera vendore, por edhe disa shkolla 9-vjeçare e të mesme që pozicionohen në kryeqytet. Por, e gjitha kjo përkthehet në një kosto të caktuar, shuma parash që variojnë mesatarisht nga 200-500 lekë të reja, ndërsa nuk përjashtohen rastet kur nxënësit kanë paguar vetëm 100 lekë të reja. Mobilizim sa shpirtëror aq edhe fitimprurës.
Nxënësit e tri shkollave të mesme në kryeqytet, një nga të cilat profesionale, “Hoteleri Turizmi” kanë paguar para për zbukurimin e ambienteve të brendshme e të jashtme të këtyre institucioneve. E ndërsa në urdhëresat apo udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës thuhet se shpenzimet për organizimin e festave mbulohen nga vetë institucioni, drejtoritë e shkollave veprojnë sipas “kokës” së tyre. Drejtorët e këtyre shkollave u kanë kërkuar nxënësve para, tarifa që fillojnë nga 100 deri në 500 lekë të reja, me justifikimin se të gjitha do të shpenzohen për zbukurimin e shkollës. Kjo, sipas drejtuesve, si një formë kontributi për këtë vit jubile që ka ngritur peshë emocionet e një kombi të tërë. Zbukurimi i shkollave ka nisur prej një apo dy muajsh, ku disa institucione kanë preferuar flamuj modest apo piktura në mure, shpenzime që i kanë paguar nga fondi i shkollës, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur që përveç parave të grumbulluara mënjanë për ditë si këto, t’u kërkojnë nxënësve para shtesë.
“Unë jam nxënëse në shkollën e mesme ‘Besnik Sykja’. Një nga mësuesit e kësaj shkolle erdhi më datë 1 nëntor dhe na komunikoi se duhet të dorëzojmë 200 lekë të reja në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, para që do të shpenzohen për krijimin e një atmosfere festive në këtë institucion. Kërkesa e drejtorisë së shkollës nuk më duket aspak e drejtë. Paguajmë mjaftueshëm për mirëmbajtjen e klasës apo për shërbime të tjera. Pse u dashka të shtojmë të tjera, për më tepër 200 lekë të reja, kur një flamur kushton vetëm 300 lekë të reja. Po të shumëzosh paratë e paguara me numrin e nxënësve që ka shkolla shifra del me shumë zero. Ku shkojnë vërtet këto para”, tha Ardita Begolli, gjimnaziste te “Besnik Sykja”.
E ndërsa disa gjimnaze kanë kërkuar fond shtesë për festimin e kësaj date, që përkon me ditë pushimi, shkollat 9-vjeçare, një pjesë e tyre nuk i kanë vënë nxënësit përballë kësaj përgjegjësie. Drejtorët e këtyre institucioneve, nëpërmjet njohjeve familjare kanë preferuar të njohurit e tyre, në rastet kur ai studion për pikturë për të bërë disa vizatime modeste në muret e shkollës. I tillë është rasti i shkollës “Naim Frashëri”, institucion që po zbukurohet nga një studente e diplomuar në Universitetin e Arteve të Bukura, dega pikturë. Ajo nuk ka kërkuar para në këmbim, e ka bërë këtë gjest në shenjë mirënjohjeje për 100-vjetorin e Shqipërisë shtet, atdheun e saj, të prindërve dhe gjyshërve të saj.
Detyrimi
Nxënësit e tri shkollave të mesme në kryeqytet, një nga të cilat profesionale, “Hoteleri Turizmi” kanë paguar para për zbukurimin e ambienteve të brendshme e të jashtme të këtyre institucioneve. E ndërsa në urdhëresat apo udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës thuhet se shpenzimet për organizimin e festave mbulohen nga vetë institucioni, drejtoritë e shkollave veprojnë sipas “kokës” së tyre. Drejtorët e këtyre shkollave u kanë kërkuar nxënësve para, tarifa që fillojnë nga 100 deri në 500 lekë të reja, me justifikimin se të gjitha do të shpenzohen për zbukurimin e shkollës
Reagimi
“Unë jam nxënëse në shkollën e mesme ‘Besnik Sykja’. Një nga mësuesit e kësaj shkolle erdhi më datë 1 nëntor dhe na komunikoi se duhet të dorëzojmë 200 lekë të reja në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kërkesa e drejtorisë së shkollës nuk më duket e drejtë. Paguajmë mjaftueshëm për mirëmbajtjen e klasës apo për shërbime të tjera. Pse u dashka të shtojmë të tjera, për më tepër 200 lekë të reja, kur një flamur kushton vetëm 300 lekë të reja. Shifra që përfitohet nga kontributi i nxënësve është marramendëse. Ku shkojnë këto para”, tha Ardita Begolli, gjimnaziste tek “Besnik Sykja”
9-vjeçaret
E ndërsa disa gjimnaze kanë kërkuar fond shtesë për festimin e kësaj date, që përkon me ditë pushimi, shkollat 9-vjeçare, një pjesë e tyre nuk i kanë vënë nxënësit përballë kësaj përgjegjësie. Ata kanë gjetur një zgjidhje modeste, pa rënduar xhepat e prindërve të fëmijëve që mësojnë në këtë shkollë. I tillë është rasti i shkollës “Naim Frashëri”, institucion që po zbukurohet nga një studente e diplomuar në Universitetin e Arteve të Bukura, dega pikturë. Ajo nuk ka kërkuar para, e ka bërë këtë gjest në shenjë mirënjohjeje për 100-vjetorin e Shqipërisë shtet, atdheun e saj, të prindërve dhe gjyshërve të saj
Familjet duhet të paguajnë edhe shërbime të tjera
Punonjësi i sigurisë – Gjatë vitit shkollor, familjarët të cilët kanë nga një fëmijë në shkollë duhet të paguajnë periodikisht rrogën e punonjësit të sigurisë që qëndron në portën hyrëse të shkollës
Ngrohja – Në shkolla tona ende nuk është instaluar sistemi i ngrohjes. Nxënësit përdorin rezistenca. Mësuesja mbledh paratë çdo fillim dimri dhe më pas blihen pajisje ngrohëse.
Detergjentet – Në fund të javës sipas një rrotacioni të planifikuar, nxënësit e shkollave kryeqytetase bëjnë pastrimin “gjeneral”. Çdo muaj ata kontribuojnë për blerje detergjentesh.
15.11.2012
Burimi: Gazeta Shqip