Patozi: Berisha gaboi, nuk pati garë, fituesi ishte i paracaktuar.
TIRANE – Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi hedh akuza të forta për garën e 22 korrikut dhe zgjedhjen e Lulzim Bashës si pasues të Berishës, duke e cilësuar atë si joreale dhe të deformuar. I ftuar dje në emisionin “Top Story” të gazetarit, Sokol Balla në Top Channel, Patozi tha se “Berisha gaboi” ndërsa bëri publik faktin se nuk ka votuar ditën e zgjedhjeve, pasi sipas tij, nuk kishte asnjë vlerë. “Unë nuk i përkas asaj pjese 80 për qind që ka votuar Bashën dhe as 20 për qind që ka votuar Olldashin. Më 22 korrik e kam pasur kutinë e votimit vetëm 2 metra në lartësi fizike në zyrën time, sepse zyra ime është mbi sallën ku bëhej votimi. Dhe unë nuk kam shkuar për të votuar, sepse kam besuar se vota ime nuk kishte vlerë. Z.Olldashi me kërkoi miqësisht që të votoj, pavarësisht se e dinte se vota ime nuk kishte vlerë por, i thashë që ‘ti merr vendimet e tua dhe unë të miat’”, – deklaroi Patozi.
GARA
Nënkryetari i PD-së përmendi një sërë faktesh që sipas tij, kanë cenuar 22 korrikun, duke u shprehur hapur se nuk kishte garë të barabartë, se Basha ishte i përzgjedhuri i Berishës dhe se në garë njëri ishte i nënës dhe tjetri i njerkës. “Unë nuk mora pjesë në votim, nuk ishte gjest force, por dëshpërimi për shkak se në partinë time nuk po zhvillohej një garë korrekte dhe nuk doja të merrja pjesë. Kjo nuk na takonte. Nuk ishte garë korrekte për shkak se fituesi ishte paracaktuar. Berisha mund të propozonte pasuesin e tij, një ndër rivalët, por nuk e bëri këtë. Ne u vumë në kushtet e një gare të pabarabartë. Krijuam një hendek. Të jeni të sigurtë se demokratët nuk do të ndaheshin për Bashën dhe Olldashin, të dy kanë merita, por mes demokratëve mund të krijohej një frakturë. Në finish njëri ishte i nënës dhe tjetri i njerkës dhe ky ishte një gabim i madh. Kjo është e dëmshme për PD-në”, – u shpreh Z.Patozi. Lidhur me legjitimitetin e Lulzim Bashës në krye të PD-së, ai përmendi se duke qënë i përzgjedhur, ai është fitues. “Në një garë jo korrekte, vetë Lulzim Basha e ka të qartë se si është zgjedhur fitues. Ai është legjitim, duke qenë i përzgjedhur, i parapëlqyer do të fitonte. Përdori të gjitha mjetet që fitorja të ishte plebishitare a thua të harrohej 23 qershori. Ky ishte një shans i humbur, të cilin PD-ja besoj se do ta arrijë. Ishte një garë fiktive për të legjitimuar një vullnet të paracaktuar, i cili mund të ishte bërë në mënyrën më të mirë të mundshme, siç është zgjedhur Berisha pa rival, apo me duartrokitje, apo siç veprojnë PPE-të”, theksoi nënkryetari i PD-së.
BERISHA
Për zgjedhjen e Bashës në krye të PD-së, nënkryetari demokrat fajëson liderin historik, Sali Berisha, duke përmendur se nuk është i dërguari i Zotit në Shqipëri. “Berisha është një politikan i madh, udhëheqës i përmasave të jashtëzakonshme, ka shkruar historinë e PD-së dhe vlerësimi im për mbetet një. Çdo politikan ka një bilanc; që nga ‘91 Berisha e ka lënë 13 vjet PD-në në pushtet dhe 8 vite në opozitë. Mjafton të themi këtë dhe e kemi mbyllur bilancin matematik. Por duke thënë këto, kurrë nuk kam pasur bindjen se Berisha është i dërguari i Zotit në Shqipëri dhe si i tillë nuk mund të përjashtohet nga teoria e gabimeve. Ky është një gabim tjetër dhe nuk mund të presim që t’i gjejë vetë gabimet. Për mua ky është një gabim i Sali Berishës, u bë me apo për dashje që në fillim të rrugës, kjo nuk ka vlerë, por në bilancin që përmenda nuk besoj se e lëviz peshoren e bilancit të Sali Berishës. E ka unikal kontributin vlerën e tij, por të gjithë bëjnë gabime”, u shpreh Patozi.
BASHA
Sa i përket kontributit e Lulzim Bashës në PD, Patozi pranon se ka aftësi të mira, por i kujton se karrierën e ka bërë në mënyrë të vrullshme, pa këmbë në tokë. “Basha ka pasur një karrierë të vrullshme, nuk i ka vënë këmbët në tokë, se i ka hipur kalit, por them se i ka të justifikuara, ka aftësi shumë të mira, por ka sfida përpara për t’i kaluar jo me sportivitet, por me seriozitet. Kryetari i ri i PD është legjitim” – theksoi z.Patozi. Në kushtet të tilla, nënkryetari demokrat beson tek një ringritje e PD-së dhe jo tek përçarja e saj pas dorëheqjes së Sali Berishës. Patozi kërkon shpërndarjen e përgjegjësive të të gjithë lidershipit të PD-së, përfshi edhe përgjegjësinë e Lulzim Bashës për humbjen në Tiranë më 23 qershor. “Uroj dhe besoj se kjo nuk ka për të ndodhur. Unë jam gati të kontribuoj që kjo të mos ndodhë. Unë e kam paralajmëruar një situatë të tillë. U kam rënë kambanave në mbledhjen e fundit të kryesisë, u kërkova rivalëve që t’ia kursenin PD-së një lloj beteje të pajustifikuar, sepse demokratët janë mjaft të goditur nga humbja e 23 qershorit. U kërkova që fushatën të mos e zhvillonin me patetizëm dhe për humbjen e zgjedhjeve nuk mund ta mbante përgjegjësinë vetëm kryetari. Z.Basha nëse e ndjen, mban përgjegjësi për humbjen e Tiranës. Mendoj që ka përgjegjësi duke u nisur në bazë të hierarkisë që ka, si kryetar bashkie. Po ashtu ka përgjegjësi edhe z.Olldashi si pjesë e qeverisë”, deklaroi z.Patozi.
FUNKSIONET
I pyetur mandej për funksionet që do të mbajë në PD, Patozi pohoi se “unë nuk do jem as nënkryetari i PD-së dhe as i grupit parlamentar. Nuk do kandidoj për asnjë nga pozicionet ekzekutive në PD, kryesi, sekretariat, nënkryetar etj, dhe pozicioni im në Parlament do jetë jashtë çdo ofiqi parlamentar që do të thotë që do jem ushtar i përkushtuar i ekipit të PD-së në parlament dhe jashtë tij por do jem në një farë mënyrë i vetëzhveshur nga të gjitha gradat, pra do jem me karabinë model 56”, – tha Patozi.
26.07.2013
Burimi: Balkanweb