Astrit Patozi, ish numri dy i PD-së ka reaguar ashpër sot në ditën e Kongresit të Partisë Demokratike. Sipas Patozit, sot u vulos ‘partia private’ e Lulzim Bashës. Sipas tij, Basha ngriti Murin e Berlinit në mes të demokratëve.
Patozi: Basha ngriti Murin e Berlinit në mes të demokratëve
Në një postim në rrjetet sociale Patozi ka bërë thirrje për ngritjen e partisë Demokratike numër 2.

Ja postimi i plotë:
Mbajeni mend mirë këtë datë! Është dita kur historia e Partisë Demokratike pritet si me thikë. Sot u legalizua gati me unanimitet kthimi në ndërmarrje private të një personi i forcës politike që përmbysi diktaturën komuniste dhe udhëhoqi shumicën e proceseve transformuese të Shqipërisë në 28 vitet e fundit.
Ndaj sot nuk është një ditë e zezë vetëm për demokratët. Është ndoshta hera e parë në botë që një forcë politike mbledh Kongresin e saj vetëm për të ndryshuar statutin dhe e konsideron këtë si një fitore, ndërkohë që nuk është mbushur ende viti që kur statuti pararandës u flak botërisht në koshin e plehrave si një tefter pa vlerë. Duhet të jetë me siguri rasti unikal në planet kur një parti e madhe e shkruan me dorën e vet 3 vjet përpara që do t’i humbasë zgjedhjet dhe se pas disfatës do të drejtohet sërish nga i njëjti kryetar. Këtë, të paktën mund të na e kishin kursyer.
Mos u çudisni që u përpoqën më kot t’i shisnin disa diskutime kritike në Kuvend si shenjë e ndryshimeve. Pozitive që gjoja po ndodhin në Partinë Demokratike. Lodhen kot, sepse e kanë pothuajse të pamundur që të gënjejnë njeri me këtë. Sepse problemi ynë këto vitet e fundit nuk ka qenë kurrë se të ndalojnë të flasësh, por se nuk lejojnë që të dëgjohesh.
Për fat të keq, sot Partia Demokratike ngjason shumë me Berlinin e pasluftës, kur sovjetikët dhe gjermano-lindorët morën vendimin për ndërtimin e murit famëkeq. Ky Kuvend ishte perdja e hekurt e Lulzim Bashës për të ndarë demokratët dhe për të izoluar përfundimisht nga çdo gjë perëndimore atë që ka mbetur nga Partia Demokratike e drejtuar prej tij.
Për Lajm-Shqip
Ylli Pata
Të ngjashme mund të lexoni: