Paralajmërimi i kryeministrit për ujin, fluks i lartë në sportelet e Durrësit
Paralajmërimi i kryeministrit
Vetëm pak ditë pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama për aksionin kombëtar për ujin, reagimi qytetar ka qenë i menjëhershëm.
Pranë sporteleve të Ujësjellës-Kanalizime Durrës është vënë re një rritje e ndjeshme e numrit të qytetarëve.
Ata interesohen të hapin kontrata të reja si dhe të bëjnë pagesën e detyrimeve të prapambetura.
Vetëm në tre ditët e fundit pranë sporteleve të UKD-së janë lidhur 39 aktmarrëveshje.
Ndërkohë që, janë bërë edhe 51 aplikime për hapjen e kontratave të reja si dhe vendosjen e 82 matësve të ujit.
Burime nga sektori i shërbimit të klientit bëjnë të ditur se gjatë ditëve të para të muajit janë paraqitur edhe 14 qyetarë.
Ata kanë aplikuar për pika lidhje për furnizim me ujë të pijshëm.
Një vit më parë, UKD nënshkroi 514 aktmarrëveshje me qytetarë që kanë fatura të papaguara ndër vite.
Duke paguar tashmë debinë e mbartur me anë të kësteve.
UKD iu bën thirrje debitorëve si dhe personave të tjerë që nuk kanë matës për ujin e pijshëm apo që kanë lidhje të paligjshme që të paraqiten pranë sporteleve të Ujësjellësit për të rregulluar gjendjen e tyre duke bërë aplikimet e duhura.
Gjatë takimit të zhvilluar disa ditë më parë me kryebashkiakët dhe drejtuesit e ujësjellësave, kryeministri Rama vendosi si afat datën 1 shkurt 2018.
Brenda kësaj date qytetarët duhet të vetëveprojnë për eleminimin e paligjshmërisë në furnizimin me ujë të pijshëm, pasi pas kësaj date abuzuesit do të denoncohen dhe dërgohen për ndjekje penale.
Për Lajm Shqip
V.Q