Para disa kohësh, së bashku me tim bir, Ardianin, morëm pjesë në një festival të poezisë, në qytetin rumun Kurtea de Arxhesh.
Në të ishin të pranishëm autorë nga shumë vende të botës.
Ndodhej edhe poeti serb, me prejardhje maqedonase, Nikolla Cëncar Popovski.
Para disa kohësh, u zhvillua festivali i poezisë në Rumani
Në tavolinën e gjelltores ku hanim, u gjenda ballëpërballë me të.
Tanimë ia dinim emrat njëri-tjetrit, sepse ishin lexuar me zë të lartë qysh në hapjen e festivalit dhe secili, me të dëgjuar emrin e vet, ishte çuar më këmbë.
“Ju bëftë mirë!” – iu drejtova sërbomaqedonasit, Popovski.
Ky, jo vetëm bëri sikur nuk dëgjoi, por, gjatë gjithë kohës, më hidhte ca vështrime sikur donte të më hante mua, jo gjellët që kish përpara.
Nuk u mjaftua me kaq, por, në zellin e dollive, ngriti e përplasi gota për të gjithë e me të gjithë.
Vetëm me mua jo. E quajta të udhës të bëja një lëshim duke ngritur shëndet edhe për të.
Vazhdova me disa fraza për rolin që ka poezia në afrimin e njerëzve.
Të gjitha në serbisht, megjithse është një gjuhë që nuk e njoh mirë. Popovskit, që nuk dinte rumanisht, i erdhi tjetër çehre.
Pastaj theksova se, si poet, ai mbase ma kalonte, por tani doja t’i flisja pak si historian.
“Megjithëse banoj në Bukuresht vetëm prej disa vitesh, kjo më mjafton ta quaj veten bukureshtas.
Njëlloj si ata që ndodhen aty brezpasbrezi. Kam të njëjtat të drejta”, – vazhdova ligjërimin.
Dhe, më tej:
“Po sikur të më shkrepë një ditë e t’u them themelvënësve të kryeqytetit rumun, se unë jam atje më i hershëm prej tyre, si do të më përgjigjeshin?”
Popovski nuk e bëri të gjatë:
“Po të isha në vend të tyre, do të të thosha: “Qenke i pacipë dhe bukëshkalë”.
Për fat të keq kjo po ndodh në Kosovë, zoti Popovski, shqiptarët janë atje qyshse jeta është jetë, ndërsa sllavët kanë ardhur në Ballkan, pra edhe në Kosovë, shumë shekuj më vonë”.
U detyrua ta pranonte këtë të vërtetë historike.
Kulmi ishte se mirëkuptimi ynë tërboi ca tipa që, në mungesë të një identiteti të qartë, vjedhin e rrojnë me identitete të tjerësh dhe janë shumë më agresivë se të zotët e punës.
Fatmirësisht, u gjet një gazetar nga qyteti Pitesht, që na fiksoi në celuloid dhe të pasnesërmen botoi në faqe të parë fotografinë time me Popovskin, me diçiturën:
“Një shqiptar e një sërb që janë kundër luftës”.
Për Lajm Shqip
Kopi Kyçyku