Mesfushor shkatërrues, i palodhur, me një teknikë të admirueshme dhe shpërthyes me kundërshtarin… Ky është Nuredin Orelesi, lojtari nigerian i Skënderbeut, i cili shkroi historinë për skuadrën korçare mbrëmjen e së martës, me golin e tij në minutën 116 ndaj ekipit të Neftchit. Orelesi ka shënuar shumë gola deçizivë për ekipin kampion të Shqipërisë, Skënderbeun, por goli ndaj Neftchit i ka dhuruar shumë emocion dhe lot, pasi kualifikoi skuadrën e tij në raundin e tretë të fazës kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Pas një feste të gjatë, 24- vjeçari nigerian, me humorin që e karakterizon, nuk mundet ende të fshehë emocionet e fitores. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” lojtari i Skënderbeut rrëfen lidhjet e forta me familjen e tij, emocionet e përjetuara pas golit historik, dhuratën e klubit të Skënderbeut dhe deri tek dëshira për të qenë lojtar i Barcelonës në të ardhmen. Orelesi ka ardhur në Shqipëri në moshën 20-vjeçare dhe fillimisht ka luajtur me Dinamon, për t’u vendosur më pas në skuadrën kampion të Skënderbeut, ku aktualisht ka edhe dy vjet kontratë. 24-vjeçari nigerian është një ndër futbollistët më të kërkuar në Shqipëri, ndërsa ka pasur edhe oferta të tjera nga skuadra ukrainase, gjermane dhe turke.
Orelesi, urime për fitoren! Në ndeshjen ndaj Neftchit keni shkruar historinë për skuadrën korçare, cilat janë emocionet tuaja dhe çfarë i thoni vetes pas kësaj?
Ishte mrekulli. Më vjen mirë që ndodhi kështu. Për mua është hera e parë që do të luaj në Champions League dhe ende jam i emocionuar për këtë. Kur shënova golin, ende nuk po më besohej, gjithçka më dukej si një ëndërr. Por tani ndihem shumë i kënaqur dhe i them vetes: Vazhdo më lart!
E keni festuar këtë fitore?
Deri në mëngjes. Ka qenë një fitore e merituar dhe kemi festuar të gjatë, pasi ne e donim shumë atë. Fatmirësisht ia arritëm.
Thuhet që keni marrë edhe një dhuratë nga klubi për golin e shënuar. E konfirmoni këtë dhe nëse po, çfarë është kjo dhuratë?
(Qesh) Është një orë. Nuk di të them sa kushton. Gjithsesi, është dhuratë shumë e bukur dhe më bën të ndihem shumë mirë dhe i vlerësuar.
Cila ka qenë telefonata juaj e parë pas ndeshjes?
Mamaja ime. Sapo mbaroi ndeshja, isha shumë i emocionuar dhe doja afër familjen time. Gjëja e parë që bëra, shkova në dhomën e zhveshjes, mora telefonin dhe fola me mamin tim. I thashë që unë ia kisha dalë dhe kisha fituar. Kisha arritur qëllimin tim dhe isha shumë i lumtur. Ajo nuk e kishte ndjekur ndeshjen, pasi nuk kishte pasur mundësi, por natyrisht u emocionua shumë dhe shpërtheu në lot. Natyrisht, më përgëzoi dhe më uroi më pas shumë fat. Pastaj bëra edhe një tjetër telefonatë, por këtë herë në Kanada, tek vajza me të cilën unë kam një lidhje të gjatë. Ajo e kishte ndjekur ndeshjen dhe natyrisht, i kishte përjetuar fort emocionet e lojës që unë zhvilloja në Shqipëri. Ishte krenare për mua. Më pas festova me shokët e ekipit, tifozët, etj.
Kujt ia dedikoni fitoren?
Familjes sime, nënës sime. Ajo është gjithçka për mua.
Ju keni lënë Nigerinë dhe jeni në Korçë. Ju ka mbështetur familja juaj për këtë?
Në fakt, vendin tim e lashë se dua të luaj futboll. Kjo është një skuadër vërtet e mirë dhe unë dua të eci përpara. Natyrisht, nëna ime nuk dëshironte që unë të largohesha dhe nuk e ka pasur me qejf largimin tim drejt Shqipërisë. Por unë i tregova asaj se e doja futbollin dhe kjo ishte në të mirën time. Pas kësaj, nëna dhe familjarët e tjerë, babai, motrat dhe vëllezërit e mi më këshilluan të jem i kujdesshëm dhe i përqendruar në qëllimet e mia. Dhe unë erdha në Shqipëri, fillimisht luaja tek Dinamoja dhe më pas kalova te Skënderbeu. Dhe do të vijoj të jem këtu, pasi kam një kontratë edhe për dy vjet.
Për këto që ju keni arritur deri tani, e konsideroni fat apo ka ardhur për shkak të punës?
Mendoj që tek mua fati dhe puna janë ndërthurur fort me njëra-tjetrën. Por nëse i referohemi ndeshjes me Nefchin, natyrisht që aty më ndihmoi fati. Ne patëm shumë raste për të shënuar, por ishte fati im të bëja gol dhe të kualifikoheshim, duke realizuar ëndrrën tonë.
Cilat janë dy momentet që kanë ngelur më mendjen tuaj? Ai më i bukuri dhe më i hidhuri?
Padyshim që momenti më i bukur i jetës sime është goli dhe fitorja me Neftchin. Sa i takon momentit më të hidhur, është ai i humbjes me Apoel dhe me Debrecen, që ende nuk më hiqen nga mendja.
Kur keni nisur të luani futboll?
Kam nisur të luaj futboll që në moshën 7-vjeçare, në Nigeri. Më pëlqente shumë futbolli dhe kam qenë shumë aktiv, ndonëse në moshë të vogël. Madje shikoja edhe shumë futboll në televizor. E adhuroja të isha një futbollist i zoti dhe të shënoja gola pafund. Në qytetin tim në Lagos kam qenë shumë aktiv dhe luaja me ekipet aty. Madje në fëmijëri kam pasur edhe një idhull, ai është futbollisti holandez Edgar Devis. Doja shumë t’i ngjaja atij.
Thuhet që jeni shumë besimtar, jeni duke e agjëruar këtë Ramazan?
Po është e vërtetë, jam shumë besimtar. Do doja ta agjëroja shumë gjatë Ramazanit, por për shkak të ndeshjeve, kemi rregulla të forta dhe nuk mundem, por do doja shumë vërtet. Besimi në Zot për mua do të thotë shumë.
Si është një ditë e juaja në Korçë?
Dita ime është normale, përfshin trajnimin, pushimin dhe kafen me miqtë e mi, të cilët në fakt janë shokët e ekipit. Më pëlqen jeta këtu dhe ndihem mirë. Natyrisht, Korça është një qytet i bukur dhe me klimë fantastike, është bukur të punosh në Korçë.
Po kuzhina korçare si të duket? Ke një pjatë të preferuar?
Sigurisht që edhe kuzhina është e mrekullueshme. U mësova shpejt me kuzhinën korçare. Më pëlqen shumë pjata e pilafit. Nuk do e ndërroja me asgjë. Është pjata ime e preferuar në Korçë.
Keni menduar për pushime?
Jemi të ngarkuar se kemi ndeshje të tjera që na presin, por nëse do të kem pushime, do të shkoja të takoja familjen time në Nigeri. Më ka marrë malli fort për ta, edhe pse flas shpesh në telefon. Gjithsesi, unë pushimet e mia i parashikoj pranë familjes.
Si e shikoni të ardhmen tuaj?
Shumë lart. Të ardhmen time e shikoj siç e kam parë kur kam qenë fëmijë, por nuk e di konkretisht se çfarë do ndodhë me të, pasi të përfundoj kontratën me Skënderbeun. Unë nuk i zgjedh skuadrat, varet nga fati. Megjithatë, dua të arrij suksesin. Fillimisht ajo që mendoj është që të fitojmë ndeshjen e radhës, më pas do më pëlqente të luaja me Barcelonën. Është ëndrra ime të luaj me Barcelonën dhe po punoj shumë për t’ia arritur këtë.
26.07.2013
Burimi: Balkanweb