Nga pazari, te përfundimi i një historie
Çdo veprim i bërë në një moment të saktë mund të kursejë ose pakësojë efektet anësore të një zgjedhjeje. Në një bestseller amerikan janë shkruar këshillat që duhet të ndiqen. Qëllimi? Koha të mos çohet dëm
Edhe në Bibël shkruhet që ka një kohë për të lindur dhe një për të vdekur. Por a nuk do të ishte më mirë sikur ta përcaktonim kohën për të prerë një pemë për shembull, për t’u regjistruar në palestër, për të marrë një apartament me qira, apo thjesht për të blerë një palë çorape të reja? Tashmë dihet që koha është flori dhe nuk duhet çuar dëm. Edhe sot, në epokën e zhvillimit të teknologjisë, çdo gjë kërkon kohën e vet: hapja e “Facebook”-ut, vajtja në punë, dalja me miqtë, marrja me gjërat personale, kujdesi për veten, etj. Të fiksuar pas rrjeteve sociale, shumë njerëz e kanë të vështirë të mos informohen mbi të rejat e fundit që ndodhin aty. Për këtë arsye, qëndrojnë gjithë ditën në “Facebook” dhe “Twitter”, por nuk e kuptojnë se kështu humbasin shumë kohë. Sipas këshillave të një bestselleri amerikan, orari më i mirë për të frekuentuar rrjetet sociale është ora 7:00 e mëngjesit, ora 5:00 e pasdites dhe në mbrëmje pas orës 10:00: konkretisht para se njerëzit të lëvizin për të shkuar në punë, para se të largohen nga puna dhe para se të bien në gjumë.
Kur çdo gjë paska kohën e vet, a ekziston ndonjë orë për të krijuar një lidhje, apo për t’i dhënë fund asaj? Si për djemtë ashtu edhe vajzat, koha më e mirë për të krijuar një marrëdhënie është darka dhe kjo nuk ka aspak lidhje me romanticitetin. Gjithçka është çështje kimike. Në darkë presioni i gjakut dhe rrahjet e zemrës zvogëlohen. Në këtë mënyrë ulet tensioni dhe rreziku për ndonjë atak kardiak është më i vogël. Sipas “American Heart Association”, në qoftë se ka një kohë për infarktet është pikërisht mëngjesi. Më të rrezikshme janë tri orët e para pas zgjimit, por një e treta e infarkteve mund të ndodhin edhe gjatë gjashtë orëve të para pas zgjimit. Një minutazh kaq të saktë “American Heart Association” ua këshillon në veçanti punëdhënësve që të mos ua komunikojnë vartësve vendimin e pushimit nga puna para orës 10:00 të mëngjesit.
Këshillat mund t’ju duken qesharake, por këto dhe disa të tjera janë marrë nga një zotëri, Mark Di Vincenzo, i cili prej shumë vitesh ka punuar si gazetar dhe ka shkruar një libër që u klasifikua te bestsellerët e “New York Times”. Suksesi i librit “Të blesh keçap në maj dhe të fluturosh në mesditë”, u shit aq shpejt sa këto ditë do të publikohet një libër tjetër, që titullohet “Të blesh këpucët të mërkurën dhe të çatosh në orën 4”. Ju do të pyesni pse këpucët blihen të mërkurën? Sepse statistikat na tregojnë se është dita më e përshtatshme e javës për të bërë blerje. Të hënën, për shembull, është dita ideale që meshkujt të blejnë këpucë për vete, sepse sipas sondazheve të bëra kushtojnë gjysmë për gjysmë. E marta është dita e çorapeve dhe e mbathjeve, sërish për meshkuj, e mërkura është dita e blerjes së këpucëve dhe e rrobave për fëmijë (sepse kushtojnë 40% më pak), e enjtja është dita e blerjes së çantave për gra (36% më pak), e premtja është dita e bizhuterive, rripave, shalleve (42% më pak), e shtuna është dita e xhaketave dhe xhupave (51% më pak), ndërsa e diela është dita e kostumeve të banjës (52% më pak).
Po regjistrimi në palestër, në ç’ditë duhet bërë? Në verë: ata që janë regjistruar në fillim të vitit, kur është gjithmonë edhe fluksi i ofertave të mira, nuk kanë pse të shqetësohen, por të ndjekin të njëjtin parim. Për të tjerët që kanë ndërmend të ndërrojnë shtëpi, për shembull, koha më e mirë për të paguar më pak qira është dhjetori: në dimër, për shkak të klimës, lëvizja është më e vështirë dhe çmimet bien. Kështu që mos humbisni rastin, por fiksojini në tru këto këshilla dhe kur të jetë momenti i duhur, vërini në zbatim.
Koha e duhur
Ora 11:00 dhe 14:00
Studimet e fundit tregojnë se është më e shëndetshme të konsumohen dy vakte të vogla (nga 300 kalori) në orën 11:00 dhe në 14:00
Mes orës 5:00 dhe 9:00
Nëse jetoni në një lagje të keqe, tërhiqini paratë në bankomat. Nga ora 5:00 deri në 9:00 është momenti ku verifikohen më pak vjedhje
Ora 16:00
Është koha e duhur për të çatuar
Pas orës 17:00
Mund t’i jepni fund një lidhjeje sentimentale, sipas ekspertëve, pasdite presioni i gjakut dhe rrahjet e zemrës janë më të ulëta dhe ka më pak gjasa që të ndodhë ndonjë atak kardiak
Ora 18:00
Bëni një intervistë pune. Sipas statistikave, kandidatët e parë që intervistohen merren në 17% të rasteve në punë. Kandidatët e fundit u bëjnë më shumë përshtypje intervistuesve dhe merren në punë 55% të rasteve.
11.09.2012
Burimi: Gazeta Shqip