Opozita nuk i “ndahet” Kuvendit, ja çfarë do të ndodhë më 5 mars…
Seanca e rradhës e Parlamentit do të mbahet më 5 mars, me një orë ende të pacaktuar. Anullimi i seancës së sotme plenare solli edhe shtyrjen e protestës së opozitës. Ky vendim u mor gjatë takimit në Konferencën e Kryetarëve.
Gjithashtu Konferenca e Kryetarëve vendosi dhe seancën tjetër të radhës më 13 mars si dhe anulimin e seancës të parashikuar për ditën e sotme.
Ndërkohë burime nga Partia Demokratike bëjnë me dije se, protesta do zhvillohet në orën që do caktohet mbajtja e seancës.
Gjithashtu, opozitarët shprehen se protestë do të ketë në çdo kohë që do të ketë edhe parlament.
Vetëm brenda muajit shkurt, opozita ka protestuar tri herë rradhazi, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas Partisë Demokratike, kjo do të sillte zgjedhje të lira e të ndershme për vendin.
Më herët, deputetët e opozitës u dorëhoqën nga mandati i tyre në shenjë proteste kundër mazhorancës.
Erjona Keta
28.02.2019