Në vitin 1978, megjithse „krisja” e pariparueshme shqiptaro-kineze dukej sheshit, po ta thoshe me zë të lartë, merrje veten në qafë.
Ishte duke u mbyllur një nga lokalet në rrugën „Hoxha Tahsin” dhe banakieri me pahir pranoi të më jepte një paketë cigare.
Oficeri i policisë, me sa dukej i dehur, po u thoshte ca batuta të tharta antimaoiste, dy vetëve.
Ata mezi i rrokëzonin fjalët për shkak të shishes me „ujë të bardhë, por turbullues” që vazhdonin ta zbraznin në gotat që mbanin përpara.
Vetëm një fjalë shpëtoi jetën e një oficeri.
Në një tavolinë prapa derës, ndodhej edhe një tjetër, që nuk ma zunë sytë.
Dola.
Të nesërmen, dezhuri më njoftoi se më kërkonte dikush na Prokuroria. Zbrita i tronditur.
Ai ma përmendi ndodhinë e një nate më parë dhe më kërkoi të konfirmoja thëniet e oficerit.
Pohova se vërtet ishin nxjerrë ato fjalë, por jo nga goja e oficerit.
Duke menduar se denoncimin e kishte bërë ndonjë nga të dehurit, ua vura fajin pikërisht atyre se, nga njëra anë e meritonin.
Por edhe, në fund të fundit, duke qenë në atë gjendje, do të kishin rrethana lehtësuese.
– Jo!, – shpërtheu „prokurorasi”, – që, me atë fytyrën e zbehtë e me këmishën më të gjerë se qafa ku kish lidhur një kravatë laramane e të zhubrosur, m’u duk si nazist.
– Informacionin na e ka dhënë një komunist, që ishte esëll dhe i dëgjoi fare qartë.
– Ai nuk qenka komunist, por provokator, që orvatet të njollosë uniformën e oficerit – guxova t’ia kthej gjoja i nxehur.
– E jep me shkrim këtë? – gati m’u kanos.
– Po!, – vazhdova me vendosmëri, por edhe me gjak të ngrirë.
Kjo nuk m’u kërkua as në atë çast e as më vonë.
Në vitin 2010, vëllai i oficerit, ky tashmë ka vdekur, duke lënë pas tre jetimë, më falenderoi me mirënjohje.
Ai më vuri në dukje se, po të arrestohej i vëllai, pasojat do të ishin nga më të rëndat.
Në qarkullimin rrugor ishte futur për aftësitë që kishte.
Ama po të merrej vesh se kishte pasur një dajë të pushkatuar…
Për lajm-shqip
Kopi Kyçyku