Edi Rama i është drejtuar vendeve të BE-së me një apel të pazakontë. Me një kërkesë për ndihmë për të luftuar drogën, apo baronët e drogës sikundër shkruan ai. Thirrja e Ramës në fakt vjen në një kohë kur lufta kundër drogës është artikuluar si një kusht i fortë nga ana e Bashkimit Evropian për hapjen e negiociatave.
Në pamje të parë, ftesa e Ramës duket një lojë politike për të treguar vullnetin e qeverisë së tij për ta luftuar këtë fenomen kriminal, si kundërpeshë e akuzave të popzitës, por edhe zerave kritikë që vijnë nga Brukseli në formën e këshillave.
Por po ti lexosh më vëmendje argumentat pse Rama u drejtohet qeverive të BE-së, kupton se kjo nuk është thjeshtë një përpjekje për të shpëlarë imazhin politik të bërë pis. Kjo pasi edhe shifrat e kultivimit të kanabisit treguan tjetër gjë nga sa thoshte Ministria e Brendshme.
Rama thotë se Shqipëria nuk mund ta mposhtë dot e vetme këtë “shumëkombëshe” kriminale. Prandaj duhet ndihmave e vendeve partnere.
Por ndihma e tyre kërkohet për një arsye shumë më motivuese për vendet e tjera. Më shumë sesa ndihma ndaj një vendi të vogël që përpëlitet të dalë nga kthetrat e krimit. Rama thotë se ata, pra kriminelët, baronët e drogës, prostitucionit dhe klandestinëve, më së shumti jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian, të cilëve ai u drejtohet për ndihmë.
Rama kujdeset të thotë se këta baronë përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Po aq kërcënim përbëjnë edhe për sigurinë e vendeve ku jetojnë dhe kanë vendosur aktivitetin e tyre kriminal.
Ne mund të biem dakord të mendojmë se Rama është i sinqertë me vendet partnere. Gjithashtu mendojmë se shqetësohet për sigurinë e tyre nga kriminelët me origjinë nga Shqipëria. Por kjo nuk mund të jetë bindëse për të justifikuar veprimin e tij.
Më shumë, ai duket se synon të bëjë pjesë të bëtejës kundër krimit ndërkombëtar që implikon edhe Shipërinë, vendet e BE-së. Vende që tashmë kanë vënë kusht luftën ndaj tij, për të hapur negociatat. Me pak fjalë, Rama po përpiqet t’i bëjë këto vende sa partnere në luftën ndaj këtij krimi, aq edhe bashkëpërgejgjëse për suksesin apo dështimin e luftës ndaj tij.
Kjo do të ishte një mundësi për t’i thënë Brukselit dhe vendeve që nuk do ta ratifikonin hapjen e negociatave. Ne ju thamë, hajdeni ta luftojmë bashkë këtë betejë. Pasi kjo nuk është vetëm lufta jonë, por edhe juaja. Sepse kriminelët vërtet janë me origjinë nga Shqipëria, por ata jetojnë dhe punojnë edhe në vendet tuaja. Aty investojnë paratë e krimit dhe të drogës”.
Sido të jetë rezultati, lëvizja e Ramës është një gjetje politike.
Pasi mbi të gjitha ajo bazohet në një të vëretët të madh. Trafikantët vërtet bahçen e kanë në Shqipëri, por paratë i investojnë edhe në vendet e tjera të Evropës.
Për Lajm-Shqip
Mentor KIKIA
20.11.2017