Një zë femëror i ngrohtë i një artisteje në Librazhdin e freskët … Bardha Alimeta është një nënë e devotshme. Një artiste me emër përtej kufijve të qytetit të saj, Librazhdit.
Një zë femëror i ngrohtë i një artisteje në Librazhdin e freskët…
Aktiviste prej dekadash në shoqërinë civile. Kur e pyet, se cfarë projektesh ka? Ajo ngre supet. Duke qeshur, thotë:-“ Nuk di. Jam duke shkruar një libër të ri. Po punoj për ekspozitën e tretë, e cila do hapet në Itali së shpejti. Po punoj për një projekt me gratë. Ja, do bëjmë këtë aktivitet… kam këtë promovim..Do realizoj panairin e zonës”..etj. Ndërkohë që e pyesja, habitesha, si ka kaq shumë energji! Dhe në të njëjtën kohë bën kaq shume vepra! Ku e gjen forcën valle?! Ajo vërtetë është një grua model i punës. Natyrshëm, të lindin pyetje. Si ndjehet Bardha në këto luhatje midis artit dhe politikes? Bardha si artiste dhe si aktiviste e shoqërisë civile? – “Une ndjehem ndonjëherë mes kësaj rrëmuje, që t’i them vetes, mjaft! Mos vazhdo më, mos bëj më asgjë. Bëj vetëm një rol.

Atë të gruas familjare, që mbaron punën e kthehet në shtëpi. Punë shtëpie e përkushtim familjes . Bukur është dhe kështu ..por jo për mua ..Mua ma mgrejnë rehatin ëndrrat”- janë përgjigjet e saj monologuese. Çdo ditë përshëndetet me qytetarët e saj. Kështu ndodh në qytete si Librazhdi. Sa del nga shtëpia, takohesh me të gjithë. Shumicën e njeh me emër. Bardha bën këtë ritual çdo mëngjes apo buzëmbrëmje. Ajo punon shumë për misionin dhe qëllimin e shoqatës “Gruaja ndryshe në Librazhd”. Ka vite që e drejton. Bardha shkruan bukur e pikturon. Flet thjeshtë e librat e saj janë më të shiturit. Shumë herë arti i ka shërbyer edhe si mesazh qytetar për politikat në vend.

Publikimet e ndryshne, i përcjell gjjithmonë, apo kritika për të drejtat e grave dhe problematika të ndryshme. Krijimet e saj vijnë nga jeta reale dhe godasin fenomenet sociale nëpërmjet artit. Ka botuar pesë libra në prozë dhe poezi. Dhe aty zënë vend problemet e shoqërisë sonë postkomuniste dhe tranzicionit të tejzgjatur. – “ Librat e mi vijnë tek lexuesi i thjeshtë si një pasqyrë. Ata shohin veten, sepse stili i të shkruarit është i thjeshtë dhe mesazhi është i qartë. Aty çdokush ka një pjesë të dhimbjes. E, për këtë unë ndjehem e lumtur, që jua kam dedikuar artin tim jetëve të këtyre njerëzve”- pohon Bardha.

Ka sakrifikuar si çdo prind për arsimimin e fëmijve. Por, dhe është shpërblyer nga rezultati i tyre. –“Jam e lumtur në gjërat e mia te thjeshta, por të bukura. Gjithmonë jam në progres. Gjithmonë kam diçka për të bërë deri sa të mos mundem një ditë. Uroj të jetë e largët për mua. Sa jemi në kohë, të punojmë fort për të realizuar planet dhe programet tona”-shton ajo. Për një moment i bie zilja e telefonit. Kërkon ndjesë , që duhet të largohet. Një aktivitet e pret në shoqatën e Gruas …

Për Lajm-Shqip
Alfrida Danushi