Ministri i Jashtëm Gjerman, ishte shumë i qartë në Tiranë. Qershori i 2019, nuk është orari i nisjes së “avionit” për në BE. Është thjeshtë një tjetër afat. Kur Shqipëria duhet të kryeje Check up-in e radhës, për të treguar, nëse i ka plotësuar apo jo kushtet. Dhe reforma në drejtësi është kushti kryesor, për ta hedhur edhe këtë hap.
Por çfarë po ndodh aktualisht me zbatimin e kësaj pakete ligjore? Kjo, pas miratimit aq triumfator me ndihmën e ambsadorëve? Ka nisur të zbatohet vetëm Vettingu, i cili po hap gropa në gjykata e prokurori.
Mbeten përpara dy probleme shumë të mprehta:
1-Plotësimi i vendeve, që mbeten bosh nga largimi i gjykatësve dhe prokuroëve, që nuk kalojnë Vettingun.
2-Krijimi i strukturave të reja, KLP, KLGJ, SPAK dhe BKH.
Pa reformën nuk ka drejtësi, nuk ka as negociata
Mungesa e gjykatësve dhe prokurorëve, po çon sistemin në krizë funksionimi. Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë nuk janë funksionale praktikisht, dhe të njëjtin fat pritet të pësojnë së shpejti edhe gjykatat e apelit. Kur nuk janë ngritur KLP e KLGJ, mazhoranca kërkon të bëjë një amendim në ligjin për Magjistraturën. Ky, për tu dhënë mundësi juristësve të rinj, të futen në sistem. Por opozita refuzon bashkëpunimin, duke vënë si kusht rishikimin e paketës ligjore në tërësi.
Vettingu nxorri jashtë loje disa nga kandidatët për KLP-në dhe KLGJ-në, dhe kandidatët e rinj tashmë ngurrojnë të aplikojnë, ndërsa janë në pritje të Vettingut.
Në këto kushte, pas propozimit të PD-së për Vetingun e politikës, partitë mund të futen në një stinë të re debatesh. Kjo, duke lënë në hije atë, që duhej të ishte kryefjala.
Reformën në Drejtësi dhe krijimin e strukturave të vërteta të luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta. Ndaj, është detyra e çdo qytetari, që të kërkojë me forcë nga palët politike vazhdimin e kësaj reforme. Jo thjeshtë si kusht për hapjen e negociatave, por si nevojë emergjente, për të luftuar korrupsionin.
Detyrë e partive është të ulen e të gjejnë zgjidhjen për çështje, që kanë vërejtje, por reforma nuk duhet të pengohet.

Për Lajm-shqip
Mentor Kikia