Nga Kopi Kyçyku, kur në mbledhjet e përmuajshme të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Pogradecit zgjateshin diskutimet pa bereqet, shënoja në një bllok lloj-lloj shprehjesh në frëngjisht për ta ushtruar atë gjuhë.
Të ngjashme mund të lexoni:
Një ditë, me të mbyllur mbledhjen, kur të gjithë ishin larguar, kryetari, pra eprori im, më tha:
Shoku Kopi, kam vënë re se mban rregullisht shënime. Të lutem m’i jep t’u hedh edhe unë një sy”.
U trondita, po s’kisha nga t’ia mbaja: ia dhashë. Të nesërmen në mëngjez më thirri në zyrë. Vajta me gjak të ngrirë. Bllokun e pashë po atje ku ia kisha lënë një ditë më parë.
Ja, kështu mbahen shënimet” më përgëzoi.
E shikova në beben e syrit: nuk ishte as ironi e ca më pak qortim. E hodha lumin, thashë vete.
Në mbledhjen tjetër vazhdova avazin tim, i bindur se s’kish për ta përsëritur kërkesën. Por jo: edhe një herë e njëjta gjë!
Të nesërmen, kur pashë se nuk po më thërriste në zyrë, sajova një shkak dhe i shkova vetë.
E gjeta duke folur në telefon me Ahmet Shtyllën, zëvendëskryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Korçës. Ishte në qejf. Më bëri me shënjë nga blloku, i cili gjendej në pozicionin e zakonshëm dhe, duke vënë dorën e majtë në zemër, në shenjë falenderimi, më la të kuptoja se mund ta merrja.
U largova i lehtësuar dhe atë bllok nuk e përdora më për frëngjisht. Me siguri që kryetari nuk e kish hapur fare, por herën e tretë, ku i dihej?…
Vite më vonë, drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, Çajup Rusmali, ua rrëfeu për shaka të gjithë pjesëtarëve të organizatës bazë të Partisë të Televizionit: e kishte marrë vesh pikërisht nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Loni Gusho, i cili në çdo mbledhje rrinte pranë meje. Kish parë gjithçka!
Për Lajm-shqip
Kopi Kyçyku