Nga Kopi Kyçyku/ Edhe një herë për botën tonë shpirtërore
Nga Kopi Kyçyku
Duke u ndodhur gjeografikisht e shpirtërisht midis Lindjes e Perëndimit, kemi pasur ndikime të dyfishta, sa nga njëra anë, aq edhe nga tjetra.
Këto ndikime nuk kanë qënë në gjendje konfliktore, as në dualizëm, dhe janë shkrirë në shpirtin tonë duke krijuar një sintezë të re, një baraspeshim, i cili na bën të dallohemi si nga bota lindore, ashtu edhe nga ajo perëndimore.
Gjatë shekujve, në karakterin tonë kanë gjetur vend edhe tepri përtacie e plogështie, që na kanë penguar të ndjehemi perëndimorë.
Por, më anë tjetër, jemi shquar edhe për zell, për nuhatje të së mirës e të së keqes; për vlerësim të së resë, të së përparuarës; për aftësi që të mos kapemi në befasi e të mos e humbim toruan.
Të gjitha këto na largojnë jo pak nga apatia orientale.
Për më tepër, cili popull i vogël mund të krenohet me një numur kaq të madh artistësh, dijetarësh e biznesmenësh të suksesshëm sa i yni?
Kemi pasur meritën të kuptojmë dhe të përthithim gjithçka që ka lidhje thelbësore me progresin njerëzor.
Keqdashja, egërsia, pabesia, nuk janë në natyrën e shqiptarit.
Mirësia e tij është e njohur dhe e shfaq veten në trajta nga më të larmet: nga mikpritja, deri tek vetëflijimi për të mbajtur fjalën e dhënë (besa e shqiptarit si purteka e arit).
Tiparet e ndritshme të karakterit tonë, që i gjejmë të mishëruara në fjalët e urta, në proverbat, në këngët epike e në poezi, na mundësojnë të përshtatemi në çdo rrethanë e kudo që na çon fati.
As mjegullnajat nuk ia turbullojnë mendjen shqiptarit. Mençuria e tij e përjashton naivitetin, mendjelehtësinë.
Shqiptari është gjithmonë realist, me këmbët në tokë, i vëmendshëm, rrallëherë i hutuar.
Ka besim në njerëzit, por gjithçka e verifikon në dritën e fakteve, jo të fjalëve.
Këtë ia ka mësuar dhe diktuar përvoja shumëshekullore. Ai është më i gatshëm të mbrohet, se sa të dorëzohet para ligësisë.
Pra, nuk është luftënxitës, por, po i shpalli ndokush luftë, nuk i ngre duart përpjetë, e pranon sfidën dhe ndeshet me guxim me kundërshtarin, sado i rrezikshëm qoftë ky.
Më shumë se me vajtjet në xhami e në kishë, besimin në Zot shqiptari e shfaq përmes ndershmërisë në marrëdhëniet me njerëzit, në punë e në jetë.
Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se nuk i le mënjanë as bestytnitë:
Nuk niset për udhë të gjatë të martën; nuk ulet në tavolinë po qe se numuri i drekuesve apo i darkuesve është trembëdhjetë; kthen rrugë kur i del përpara një mace e zezë etj.
Jeta e tij gjen pasqyrim në veprime konkrete, larg humbjes së kohës me kotësira.
Këto cilësi shpjegojnë më së miri se si, megjithse i rrahur egërsisht nga rrebeshet ç’kombëtarizuese të kohërave, ia ka dalë mbanë të mos e humbë identitetin dhe karakterin kombëtar.
Kudo që ndodhet në botë, me punë e banim.
Për Lajm Shqip
Kopi Kyçyku