Në Shqipëri mungojnë burrat, INSTAT: Raporti në favor të grave…
Më herët Shqipëria ka qenë një vend që kishte më shumë burra se sa gra. Por duket se është emigracioni ai që ka përmbysur raportin gjinor të popullsisë. Ky fakt evidentohet nga INSTAT, në “Projeksionet e popullsisë 2019 – 2031”. Sipas INSTAT,raporti gjinor në Shqipëri 2011-2019 ka patur një ndryshim të madh.
Ky raport, qëndron në 99,8% burra për çdo 100 gra. Sipas projeksioneve të përditësuara, raporti gjinor pritet të thellohet në favor të grave duke arritur deri në 89,1% burra për çdo 100 gra.
“Gjatë periudhës 2011 – 2018, normat e emigrimit të burrave rezultuan të ishin më të larta se ato që u supozuan në projeksionet e mëparshme. Ndërsa për gratë rezultoi e kundërta, normat e emigrimit ishin disa herë më të ulta se ato të supozuara më parë. Këto ndryshime në sjelljet migratore, kanë sjellë edhe ndryshimin e strukturës gjinore të popullsisë” shkruhet në projeksionin e INSTAT.
Po të bëjmë një llogaritje për numrin e popullsisë, në vitin 2031 ajo parashikohet të arrijë në 2 milion e 745 mijë e 996 banorë. Ky numër është rreth 36 mijë banorë më pak krahasuar me numrin e popullsisë në Projeksionet e Popullsisë 2011 – 2031.
Erjona Keta
27.02.2019