Morëm përgjigjen pozitive nga Gjermania, ja cili është kushti. CDU i thotë “Po” Shqipërisë për negociatat, megjithatë pas kësaj vjen por, thotë deputeti i CDU-së, Johann Wadephul në intervistë për DW. Ai e sheh pozitive ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri.
DW: Rekomandimi i grupeve parlamentare, CDU/CSU është formuluar me një qëndrim pozitiv për hapjen e negociatave duke përcaktuar qartë edhe hapat e mëtejshëm, si e komentoni ju?
Kemi nevojë për një vendim të Bundestagut. Këtë ne e kemi përgatitur prej vitesh dhe me shumë kujdes, ashtu si edhe për Serbinë. Në rastin e të dy vendeve, Bundestagu merr një vendim. Qeveria gjermane që ka kontakt të ngushtë me të gjitha grupet parlamentare ka kërkuar të dijë se çfarë është e rëndësishme për ne. E rëndësishme për ne është që të themi Po, por edhe…Pra po, duhet të fillohet me bisedimet për negociatat, por…
DW:Cilat janë këto „por”…
Ne kemi nevojë për një orientim më të qartë ndaj vlerave europiane në disa fusha. Marrëveshja e koalicionit e thotë qartë, se kriteret duhet të plotësohen edhe në fillimin e negociatave, jo vetëm në anëtarësim. Kjo nënkupton një luftë më të ashpër kundër korrupsionit se deri më tani. Se reforma në drejtësi duhet të vazhdohet më me vendosmëri se deri më tani, se duhet të ketë një reformë zgjedhore që kërkohet prej kohësh si nga KE por edhe nga OSBE. Këto janë tri fusha ku ne themi se Komisioni që zhvillon bisedime i ngarkuar nga BE duhet t’i shohë me vëmendje.
DW: Ka për momentin diskutime, dhe këtu është i kërkuar edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, se Shqipëria mund të angazhohej duke ngritur qendra pranimi refugjatësh për azikërkuesit e refuzuar apo si stacion i ndërmjetëm për refugjatët në kontekstin e Frontex-it. Si e shikoni rrugën që po ndiqet?
Morëm përgjigjen pozitive nga Gjermania, ja cili është kushti…Kampi i refugjatëve…
Unë e shoh si një propozim interesant që më ka habitur. Por mendoj se është një propozim i mirë, që duhet parë, kjo është një ofertë që mundësisht duhet edhe të realizohet. Ne e dimë se Shqipëria është treguar mjaft mikpritëse. Edhe në krizën e atëhershme në Kosovë. Atëherë ishte një situatë tjetër, se bëhej fjalë për vëllezër e motra nga Kosova që flasin të njëjtën gjuhë e kanë të njëjtën kulturë. Në këtë rast do të ishte ndryshe, por si e thashë ky është një sinjal i mirë që duhet ndjekur.
Ky është edhe një propozim nga Austria. Edhe nga presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk që Shqipëria të përfshihej më shumë e të mbështetej, e që do të ishte një zgjidhje jashtë BE-së, por brenda Europës. Janë më shumë teza se sa gjëra konkrete, çfarë do të bënit ju si. CDU apo Gjermania për ta mbështetur këtë?
Ka dy gjëra, njëherë mendoj se qeveria shqiptare ofertën e ka serioze, dhe se verifikon kushtet juridike dhe teknike në vend për zbatimin. Por nga ana tjetër edhe Komisioni Europian duhet ta mbështesë këtë masivisht, edhe financiarisht por edhe nga ana logjistike. Të dyja palët ndeshen me një detyrë jo edhe aq të lehtë. Por ndoshta do të bëhet një detyrë e përbashkët. Ne jemi të hapur, mund ta përfytyrojmë këtë, e shohim një ofertë pozitive dhe Komisioni Evropian duhet të zhvillojë bisedime me Shqipërinë.
Adenisa Neziraj
23.06.2018