Muajin tjetër, një anëtar i qeverisë “Rama 2” zhvillon vizitën e parë zyrtare të administratës Trump. Bëhet fjalë për ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Ajo do të zhvillojë një vizitë në Pentagon, e ftuar nga homologu i saj amerikan, gjenerali James Mattis. Por në fakt ekziston misteri i vizitës së ministres Olta Xhaçka në Pentagon.
Mattis dhe Xhaçka u takuan para disa ditësh në samitin ministerial të NATO-s që u zhvillua në Bruksel. Aty dhe u konfirmua vizita zyrtare e ministres shqiptare të Mbrojtjes. Ushtria amerikane ka marrë përsipër që të modernizojë Forcat e Armatosura Shqiptare. Ato do të modernizohen me pajisje logjistike luftarake për këmbësorinë dhe Forcat Speciale Operacionale.
Një pjesë e kësaj ndihme ka mbërritur dhe pritet që ajo të shtohet në muajt në vazhdim. Kohët e fundit Ballkani po kthehet në një depozitë të madhe armatimi. Kjo vjen si pasojë e vendimit të qeverisë serbe për të blerë një arsenal të madh armësh strategjike nga Rusia.
Vetëm dje, Beogradi konfirmoi shtesën e armatimit me një numër helikopterësh antitank. Serbia ka marrë ndërkohë një numër të konsiderueshëm avionësh gjuajtës bombardues Mig 29. Pritet të mbërrijnë në Beograd disa bateri sistemesh raketore S300 me rreze të mesme veprimi.
Ky shtim i armëve ruse në kufi të zonës së NATO-s natyrisht ka shqetësuar SHBA-në. Ajo i ka kërkuar Beogradit të mos qëndrojë në dy karrike.
Kroacia nga ana e saj ka bërë gati blerjen e sistemeve raketore amerikane dhe disa armëve të artilerisë nga ana e ushtrisë së SHBA-së.
Ushtria shqiptare po rinovon thuajse totalisht arsenalin e saj rus dhe kinez. Këmbësoria shqiptare nuk mban më armën që e ka hequr që nga viti 1945, të famshmen Ak47 – kallashnikovin rus.
Armë të prodhimit turk dhe italian do të shërbejnë si pajisje luftarake të Forcave të Armatosura. E gjithë flota e MIG-ëve është hequr nga qarkullimi dhe është shkrirë shumica e tankeve T20.
Lëvizshmëria luftarake e ushtrisë po zëvendësohet nga pajisje të blinduara amerikane. Forcat ajrore shqiptare nuk janë të pajiasura me avion gjuajtës por vetëm me helikopterë francez. Ato janë të kompanisë Eurocopter e helikopterë Sar franko-gjermanë. Si dhe një kontigjent me helikopterë italianë Augusta që u falën nga qeveria italiane para 10 vjetësh.
Por ku qëndron misteri i vizitës së ministres Olta Xhaçka në Pentagon?
Në Pentagon, do të flitet edhe për vazhdimin e armatosjes së ushtrisë afgane nga Shqipëria. Dy vjet më parë, një parti prej 10 mijë kallashnikovësh janë dërguar në Kabul si donacion. Në vitin 2014, ushtria shqiptare dërgoi një sasi të madhe armatimi për kurdët Peshmerga në Irak.
Bëhet fjalë për 22 mijë fishekë kallashnikovi, 15 mijë granada dore dhe 32 mijë predha artilerie. Kurdët Peshmergë ishin pjesë e koalicionit amerikan në luftën ndaj ISIS-it në pjesën veri të Irakut.
Kurdët Peshmergë që janë krahu i armatosur i partisë Demokratike të Kurdistanit, dyshohet se tashmë po bashkëpunojnë me YPG-në në Siri. Ata po përplasen me forcat turke në Afrin.
Prej vitit 2016 nuk kanë shkuar më armë shqiptare drejt kurdëve.
Për Lajm-Shqip
Ylli Pata