Dilemat: ERE ngre dyshime: Nuk sqarojnë se ku i çojnë 25 milionë euro të ardhura mujore
Kompania CEZ deklaron se është me humbje dhe se nuk mund të investojë. Gjithashtu, për shkak të gjendjes së dobët financiare, CEZ nuk kryen dot importe të energjisë elektrike për nevojat e vendit, detyrim që rrjedh nga kontrata e privatizimit, dhe këtë funksion po e kryen KESH, me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Në letrat (korrespodencë) që kompania ka pasur me Entin Rregullator të Energjisë (ERE), vihet në dukje fakti se, bilanci paraqitet tejet kritik, madje në gjendje falimenti, ku shpesh i kërkon “mëmës” në Pragë hua, dhe së fundmi bankave private. Kompania ka ndërprerë investimet, aq sa për këtë vit, deri në tetor ka realizuar vetëm 1 për qind të planit, ose rreth 60 mijë euro. Gjatë periudhës së debatit mbi krizën në sektor dhe hamendësimeve se si mundet një kompani gjigante si CEZ deklaron papritur humbje të mëdha dhe se është duke falimentuar, kanë qenë të shumta pikëpyetjet se ku i çon shoqëria të ardhurat që krijon nga faturimi. Në vitin 2011, sipas bilanceve të raportuara nga tatimet, CEZ krijoi rreth 350 milionë euro të ardhura, duke u pozicionuar në vendet e para të klasifikimit për xhiro të lartë.
Këtë dyshim e ka edhe ERE, e cila prej muajsh përpiqet të zbardhë bilancet e CEZ. “Janë afro 25 milionë euro të ardhura në muaj, që siguron CEZ dhe Enti nuk e ka mësuar asnjëherë se ku shkojnë. U kemi kërkuar informacion, por nuk marrim përgjigje”, thotë zyrtarisht ERE. Sipas kompanisë çeke, humbjet në rrjet janë tepër të larta, aq sa gjysma e energjisë nuk paguhet, dhe se shoqëria ka detyrime të larta edhe ndaj palëve të treta. CEZ është bërë objekt “sulmi” edhe i përmbaruesve privatë, duke i bllokuar llogaritë bankare, pasi nuk ishte në gjendje të shlyente detyrimet ndaj kompanive të tjera.
Prej të paktën dy muajsh, ERE dhe CEZ janë në diskutime të forta për verifikim të dhënash, duke përfshirë edhe të ardhurat. Pak kohë më parë, kreu i Entit, Sokol Ramadani, është shprehur se, “verifikimet e nisura janë për të qartësuar dhe bindur rreth asaj çfarë deklaron CEZ për gjendjen e vështirë financiare”.
Në qershor të këtij viti, një ekip i tatimeve hetoi bilancet e kompanisë, kurse në gusht e gjobiti për 27 milionë euro për shkak se nuk deklaronte faturimet e energjisë, pavarësisht se CEZ deklaronte se ishin humbje, d.m.th, nuk ishin të arkëtuara.
Misteri mbi transfertat e CEZ jashtë vendit është bërë objekt diskutimi edhe në Kuvend, ku deputeti socialist Erjon Braçe, ngriti akuza të forta për skemën e kalimit të parave.
“Bëhet fjalë për një rrjet kompanish, në total katër të tilla, që kanë krijuar një skemë piramidale përfitimi”, deklaroi Braçe. Sipas tij, krijimi i “CEZ Albania” dhe faturimi për “CEZ Shpërndarje” është skemë se si shpenzimet rriten artificialisht dhe “CEZ Shpërndarje” ka tre vjet që del me humbje. Në fakt, në Shqipëri ligjërisht funksionojnë tri kompani të CEZ-it, dhe që janë “CEZ Albania”, “CEZ Trade Albania” dhe “CEZ Shpërndarje”. E para është kompani që lidhet direkt me Pragën, pra është filial i saj në Tiranë, e dyta është shoqëri e krijuar për shitjen dhe blerjen energjisë me shumicë (importi-eksport, gjithnjë për llogari të CEZ Grup në Pragë), dhe e treta është kompani e krijuar nga OSSH-ja, ku çekët kanë 76 për qind të aksioneve dhe shteti 24 për qind. Dyshimet më të mëdha janë te shërbimet e konsulencës dhe lëshimi i faturave për “punë të ndryshme”, për llogari të dy kompanive, “CEZ Albania” dhe “CEZ Trade Albania”, ku shteti shqiptar nuk ka kontroll pasi varen direkt nga Çekia. Megjithatë, zyra e CEZ në Tiranë shprehet e qetë se bilancet e saj auditohen nga kompani të pavarura dhe se të dhënat janë transparente. Sa për humbjet, kompania thotë se në 6-mujorin e parë ka dalë minus 100 milionë euro.
Shuli: Kompania të hetohet, rastet e liberalizimi të shpërndarjes
Kompania CEZ jo vetëm që nuk ka ulur humbjet, duke i mbajtur në nivele të larta, por nuk ka kryer investimet e duhura, për të ndryshuar imazhin në përmirësimin e shërbimeve. Maksim Shuli, ekspert i naftës dhe energjisë, nënkryetar i Agjencisë së Energjisë, në vitet 2002-2007, thotë se njeh mirë sistemin dhe ka punuar indirekt për privatizimin e kompanisë OSSH. Duke marrë shkas nga libri “Nafta dhe Politika”, botuar në 2012, autori tregon se skenarët e errët të privatizimit ishin parashikuar kohë më parë, por qeveria nuk mori masa, duke shkaktuar krizën aktuale në sektorin energjetik.
Shuli thotë për “Shqip” se, ministri i asaj kohe i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, nuk arriti të ulte nivelin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, edhe pas privatizimit, të cilin e konsideronte të suksesshëm. Sipas tij, humbjet ishin 36 për qind dhe nuk u ulën në këto tre vjet, madje janë më të larta. “Kjo situatë është parashikuar me kohë, qeveria është njoftuar mbi rreziqet, por nuk mori masa”, tregon eksperti i sektorit, dikur edhe ish-drejtor i “Albpetrol”-it.
“Disa nga problemet kryesore janë: humbjet e mëdha ende 36%, kjo do të thotë se kompania nuk ka bërë asgjë për këtë gangrenë që e kemi prej vitesh; mungesa e investimeve, ku ende nuk po shohim që të ndryshojnë fytyrën dhe sjelljen e kësaj kompanie; faturimi më shumë se 30 ditë, është absurd ta mendosh një gjë të tillë, që ky faturim shkon deri në 60 ditë, një vjedhje ashiqare, çmimi i lartë, madje më i larti në të gjithë rajonin në këtë vend që është më i varfri”, tregon Shuli. Ai sugjeron nisjen e hetimeve të kompanisë nga Parlamenti, prokuroria dhe ministria e linjës. “Nëse janë të vërteta këto që po shikojmë dhe dëgjojmë, atëherë kjo kompani duhet të ndërpresë marrëveshjen me shtetin tonë. Duke menduar se edhe vlera e privatizimit të saj u bë në kushte jo transparente, atëherë del domosdoshmëri edhe një herë rishikimi i kësaj kontrate”, shprehet Shuli, duke theksuar se këto qëndrime i ka mbajtur kohë më parë se “përplasja CEZ-qeveri” të merrte përmasat e aktuales.
Sa i takon shpërndarjes së energjisë elektrike, eksperti thotë se nuk duhet të jetë në dorë të një kompanie të vetme. Një shoqëri konsulence, “Lahmeyer International”, ka kryer një studim, i quajtur “Projekti i rehabilitimit dhe ristrukturimit të sektorit të energjisë elektrike”, ku përcaktohen qartë rrugët e reformave dhe të ristrukturimit, dhe më pas drejt privatizimit të shpërndarjes. Sipas studimit, duhet të ishin të paktën tri kompani në rrjetin e shpërndarjes, dhe jo një shoqëri, sikurse kemi CEZ-in.
Eksperienca e huaj, për sa u përket kompanive të shpërndarjes, në Europën Perëndimore, Europën Juglindore dhe atë Lindore tregon për një treg të liberalizuar. Kështu, në Francë, EDF-1 është shitësi me pakicë dhe shpërndarësi kryesor, kurse në shpërndarje janë një numër i madh kompanish të pavarura në varësi të pushtetit lokal, por në përgjithësi ato janë kompani të vogla dhe llogariten për afërsisht 5 për qind të konsumatorëve. Në Gjermani është pothuaj e njëjta gjë, ajo ka 930 kompani shpërndarje, ndërsa Italia ka 178 kompani shpërndarje.
Në Europën Juglindore: Bosnja ka 4 kompani, Rumania ka 8 kompani, Serbia 27 kompani dhe vetëm Maqedonia dhe Kroacia kanë nga një kompani shpërndarje. Në Europën Lindore: Republika Çeke ka 7 kompani, Hungaria 6 kompani, Polonia 33 kompani dhe Sllovakia ka 3 kompani shpërndarje.
“Këtu, te ne është e pabesueshme që shpërndarjen ta ketë vetëm një kompani me probleme kaq të mëdha, sa nuk dihet se një ditë do të zgjidhen apo jo”, përfundon eksperti.
07.11.2012
Burimi: Gazeta Shqip