Mister për fatin e personit, i cili goditi me gur mjetin e Berishës pas mitingut në qytetin e Burrelit. Fillimisht u tha se u dhunua nga truprojat dhe u shoqërua në polici
Protagonisti, i cili sulmoi makinën e kryeministrit me gurë në Burrel, është “zhdukur” që prej 48 orësh, ndërkohë që askush nuk di të thotë se ku ndodhet. Policia mohon shoqërimin e tij në komisariat, duke u shprehur se nuk ka pasur asnjë incident, por banorët shprehen të bindur se ai është marrë me forcë nga uniformat blu dhe ende ndodhet i izoluar. Bëhet fjalë për 53-vjeçarin Halit (Petrit) Hoxha, fati i të cilit mbetet enigmatik që prej dy ditësh, në momentin kur u dhunua nga truprojat e kryeministrit, pasi sipas dëshmitarëve goditi me një gur makinën, sapo Berisha kishte mbyllur mitingun në Burrel dhe ishte nisur për në Bulqizë.
Dy ditë më parë, dhjetëra banorë të pranishëm deklaruan se sapo ishte mbyllur tubimi elektorat i Partisë Demokratike, i cili u zhvillua në sheshin “Demokracia” në qytetin e Burrelit, kryeministri Berisha, i është drejtuar makinës për të udhëtuar drejt Bulqizës. Në ato momente, sipas dëshmitarëve, sapo Berisha ka hipur në mjet, Halit (Petrit) Hoxha ka qëlluar me një objekt, i cili dukej si gur, duke e shoqëruar këtë veprim të tij me fyerje ndaj kryeministrit. Pa arritur të kryejë asnjë veprim, truprojat e Gardës së Republikës kanë neutralizuar Hoxhën. “Pikërisht përballë dyqanit ku shiten gazetat, mjeti i kryeministrit u nis me shpejtësi në drejtim të kryqëzimit të Barhanit, ndërsa agresori tentoi të kalonte në një rrugicë të lagjes ‘Partizani’. Aty erdhën truprojat, të cilët ishin të veshur civilë dhe të kollarisur, të cilët e goditën disa herë agresorin, ndërkohë që u afrua edhe një furgon policie. Hoxha ra përtokë nga dhuna e ushtruar me qyta pistolete dhe humbi ndjenjat”, u shprehën qytetarët e Burrelit, ndërkohë që më tej treguan se erdhi një furgon policie dhe e mori me shpejtësi.
Por dje, policia tha sërish zyrtarisht se nuk është shoqëruar asnjë person, pasi nuk ka pasur incident gjatë mitingut të kryeministrit. Nga ana tjetër, banorët dhe burime të sigurta të gazetës u shprehën se 53-vjeçari vazhdon të jetë i izoluar në komisariat. Sipas tyre, ai nuk është lënë i lirë që nga momenti që u dhunua. Madje, mësohet se ai të jetë shprehur se ka qenë i dehur në momentin e incidentit. Por, burime të sigurta thonë se që nga ai moment, nuk e kanë parë të dalë nga policia. Nga ana tjetër, mësohet se ai është person i vetmuar, pasi është divorcuar kohë më parë, prandaj nuk ka pasur edhe interesim të lartë për të. Disa banorë shpjegojnë se nga kontaktet që kanë pasur me policinë, kanë mësuar se 53-vjeçari pritet të lirohet, pasi do të procedohet penalisht në gjendje të lirë, duke qenë se nuk ka sjellë ndonjë rrezik të lartë për kryeministrin dhe se ka qenë i papërgjegjshëm në ato momente.
Hoxha, deri para pak vitesh, ishte metalurg në Uzinën e Ferrokromit në Burrel dhe prej disa ditësh kishte marrë premtimin për një vend pune. “Kandidatët e PD-së për deputetë në Qarkun e Dibrës i kishin premtuar 53-vjeçarit një vend pune. Madje, ai ka pasur takimin me dy prej tyre në orët e mëngjesit. Nuk dihet me saktësi, cila ka qenë përgjigjja që ato i kanë dhënë”, shpjeguan banorë të zonës. Sipas tyre, të gjitha këto mendohet se kanë ndikuar në gjendjen e tij emocionale për të sulmuar mjetin e Berishës.
Pas incidentit të Berishës, dje është regjistruar një tjetër incident në qytetin e Burrelit. Sipas të dhënave, disa postera të Partisë Demokratike janë grisur nga persona të paidentifikuar. Policia është njoftuar për këtë incident nga shtabi elektoral i Partisë Demokratike në këtë qytet dhe menjëherë kanë nisur hetimet për identifikimin e përgjegjësve. Sipas policisë, janë shoqëruar disa të dyshuar, por nuk ka prova, pavarësisht akuzave për palën kundërshtare në këtë garë elektorale. Denoncimi për grisjen e posterave është bërë me dije nga nënkryetari i Partisë Demokratike në Mat, Hajdar Kurti. Mësohet gjithashtu se pas këtij akti, pjesëtarë të shtabit elektoral të PD-së kanë dalë në ruajtje të posterave të tjerë të vendosur në qytet.