Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj të hënën pasdite ka reaguar lidhur me ekstradimin në Itali të Nezar Seitajt. Personit të vetëm të arrestuar në Shqipëri pas akuzave për lidhje me bandën e Habilajve.
Përmes një shënimi në Facebook, Gjonaj sqaron se Seitaj u ekstradua drejt Italisë në zbatim të vendimeve të gjykatave shqiptare dhe kërkesës për ekstradim nga Ministria e Drejtësisë Italiane dhe konform ligjeve dhe akteve ndërkombëtare.
Ajo thekson se organet e akuzës nuk i pengon asgjë. Përkundrazi kanë të gjitha mjetet ligjore të parashikuara për të bashkëpunuar me ato italiane. Me qëllim për të marë dhe për të përfituar çdo informacion që do t’iu nevojitet për efekt hetimi.
Pavarësisht parashtrimit të saj, ende nuk është sqaruar nga autoritetet përkatëse nëse ekstradimi drejt Italisë i Nezar Seitajt është në përputhje me ligjin. Pasi financieri i bandës së Habilajve po hetohej nga organet shqiptare për drogën e kapur në Babicë të Vlorës.
Reagimi i plotë:
Nezar Seitaj u ekstradua në Itali, në zbatim të vendimeve të gjykatave shqiptare dhe kërkesës për ekstradim nga Ministria e Drejtesise italiane. Konform ligjeve dhe akteve ndërkombëtare.
Ai sot është në duart e prokurorisë italiane. Por opozita vijon të konsumojë përdite energji për një alarm fals. Duke e trajtuar rastin sikur i pandehuri u arratis apo u la i lirë dhe jo që iu dorezua pikërisht drejtësisë italiane.
Organet e akuzës shqiptare nuk i pengon asgjë.
Përkundrazi kanë të gjitha mjetet ligjore të parashikuara për të bashkëpunuar me ato italiane. Me qëllim për të marrë dhe për të përfituar çdo informacion që do t’ju nevojitet për efekt hetimi.
Çdo veprim ndryshe nga ekstradimi do të përkthehej dhe nga shteti italian si mungesë vullneti për të bashkëpunuar në luftën kundër krimit të organizuar.
Jam e bindur se nëse nuk do të ishte ekstraduar, kjo opozitë kaq haptaz e trembur prej reformës në drejtësi, do të thoshte “nuk i’a dorëzuan antimafias italiane. Po e mbajnë këtu për ta mbrojtur me duart e kapura të drejtësisë.
29.01.2018