Nisur nga situata e fundit me ndalimin e tre shqiptarëve në Jemen, Ministria e Jashtme në faqen e saj zyrtare informon qytetarët e saj lidhur me disa zona të cilat paraqesin rrezikshmëri për të udhëtuar drejt tyre, për shkak të situatës së brendshme.
“Niveli i kërcënimit terrorist është i ndryshëm nga vendi në vend. Ka vende dhe rajone, ku organizatat terroriste janë aktive dhe terroristët kanë mbështetjen e popullatës lokale, ose për shkak të mungesës së masave të sigurisë efektive, aktet terroriste ose rrëmbimet, mund të kryhet relativisht lehtë” sqaron MPJ.
Sipas zyrës së Ministrisë së Jashtme, 8 janë shtetet drejt të cilave nuk udhëtosh i sigurtë: Jemeni, Republika e Kongos, Afganistan, Libi, Nigeri, Mali, Somali dhe Algjeri.
“MPJ fuqimisht rekomandon që qyetarët duhet të informohen me kujdes më përpara, për kushtet e destinacionit. Informacioni i MPJ-së, përmban: këshilla udhëtimi, informacion mjekësor, etj. Informacionet janë rishikuar dhe përditësuar rregullisht dhe është informacion i besueshëm.
MPJ këshillon qytetarët e vet qe të marrin në konsideratë informacionet, paralajmërimet rekomandimet, që gjenden në faqen e MPJ-së, ndërsa sjell në vëmëndje se vendimi përfundimtar mbi fillimin e një udhëtimi është përgjegjësi e vet udhëtarit“, thuhet në deklaratë.
Ndërkaq ende nuk dihet asgjë për fatin e tre shqiptarëve të ndaluar nga autoritetet jemenase në portin e Al Mukalla në Jemen.
Në seancën e fundit gjykata jemenase ka vendosur për boshatisjen e anijes EOS që ishte ngarkuar me 180 tonë municione, por ende nuk ka një njoftim për lirimin e 3 shqiptarëve që akuzohen për trafik armësh.
Prokuroria ka kërkuar shkakrimin e anijes, e ndërsa një pjesë e armatimit do të shkojë drejt ministrisë së mbrojtjes të Jemenit për hetime.
11.02.2013
Burimi: Gazeta Tema