Për çështje që lidhen me protestën e studentëve, e ftuar në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja ishte nënkryetarja e Komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Milva Ekonomi.
Sot ka pasur një mbledhje të grupit të PS-së, në të cilën Milva Ekonomi tha se sigurisht që është diskutuar edhe çështja e protestës.
“Për ne mbetet shumë i rëndësishëm fakti që studentët janë ata që tregojnë se e ardhmja e Shqipërisë ka nevojë për vëmendje. Ecila kërkohet t’u jepet përmes dialogut. Ata janë shtresa e intelektualëve të ardhshëm. Për këtë arsye ka nevojë që të forcohen edhe më shumë parimet demokratike në komunikim, siç është edhe dialogu! Për të gjitha kërkesat që ata kanë bërë, por edhe më shumë, ne jemi gati të dialogojmë”, tha Ekonomi.
Milva Ekonomi: Zgjidhja për studentët, brenda dhjetorit
Por përse qeveria nuk bën një kundërpropozim për 8 kërkesat e studentëve, por vijon t’i ftojë ata në dialog?
“Ato pika janë gjëra për të cilat duhet diskutuar në tavolinë. Rritja e shpenzimeve për arsimin sa 5% e PBB-së ka nevojë për diskutim. Edhe pse në këto vitet e fundit buxheti për arsimin ka ardhur duke u rritur, me një programatikë të caktuar, nga 2.9 në 3.32%. Ne duhet të ulemi e të shohim se ku janë burimet dhe mundësitë që kërkojnë më shumë dedikim nga buxheti, krahasuar me sektorët e tjerë. Kjo bëhet duke pasur disa ekonomistë, ndoshta nga Profesorati i Fakultetit të Ekonomisë, nga studentët e Ekonomikut. Apo edhe nga ne që kuptojmë sesi lëviz një projekt i GDP-së nga Ministria e Finacave, që gjithashtu duhet të jetë pjesë. Këto janë angazhime konkrete. Detyra që kemi ne është t’i ndjekim angazhimet që marrim përsipër”, shpjegoi më tej zonja Ekonomi.
Milva Ekonomi: Zgjidhja për studentët, brenda dhjetorit
Por e thënë në këtë mënyrë, duket sikur studentët kanë bërë një kërkesë të pamenduar mirë. A është realisht kështu, apo ata e kanë të mirëmenduar dhe të arsyetuar këtë kërkesë, e cila mbetet tashmë vetëm për t’u plotësuar?
“Kjo është një kërkesë që ka qenë pjesë edhe e programit të Partisë Socialiste, për të shkuar deri te 5% i GDP për arsimin e vazhdimisht e kemi rritur buxhetin. Tani, ajo që duhet negociuar është ndoshta se me çfarë shpejtësie do të duhet ta rrisim. Ndaj është shumë e domosdoshme të ulemi për dialog. Tjetër gjë e rëndësishme është mënyra sesi do të shpërndajmë përgjysmimin e tarifave. Dhe çfarë i kemi dhënë si bonus kësaj pike të studentëve. Blloku i paketës financiare të kërkesave është marrë në shqyrtim nga ne. Kryeministri ka dalë me një propozim dhe thotë se studentë ekselence nuk mund të jenë vetëm ata të 10-s, por edhe ata të 9-ave. Për këta ofrohet një mbështetje me bursë dhe mbulimin 100% të tarifës, sikurse ndodh edhe për ata studentë që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike. Për studentët me rezultate mesatare, në vitin e parë ofrojmë mbështetje 50% të tarifimit, e më pas çdo gjë në bazë të rezultateve. Studentët duhet të kuptojnë se ka një mënyrë tjetër për të diskutuar, deklaron më tej Milva Ekonomi.
Milva Ekonomi: Zgjidhja për studentët, brenda dhjetorit
Por deri më sot kemi parë deklarata e kundërdeklarata në distancë, apo përmes rrjeteve sociale. A ka përpjekje për të vendosur ura komunikimi, jo për ta manipuluar protestën. Por për të gjetur pikërisht rrugën e vërtetë drejt dialogut dhe zgjidhjes?
“Mendoj se në ditët në vijim do të zgjidhet. Kemi një rast si ai i Universitetit të Gjirokastrës, ku çështja e tarifave nuk përbënte problem. Në Vlorë, mësimi zhvillohet normalisht sot, sikurse edhe në Durrës. Senatet e universiteteve janë mbledhur dhe i kanë trajtuar çështjet. Kostoja për një student është një çështje që kërkon një analizë shumë të mirë nga të gjithë ata që kuptojnë. Përderisa në universitetet tona ekziston ndjeshmëria se duhen zgjidhur problemet qoftë edhe brenda, tregon se ky proces do të shkojë drejt dialogut”, tha nënkryetarja e Komisionit të Arsimit.
Bazuar në indiciet politike, a do të mbyllet me një rrugëzgjidhje brenda këtij viti protesta e studentëve sipas zonjës Ekonomi?
“Unë besoj se do të kemi një rrugëzgjidhje brenda këtij viti. E cila do të çojë në përfundimin e protestës së studentëve”, konfirmoi nënkryetarja.
Për lajm-shqip:
Majlinda Dumi
18.12.2018