Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë rastin “Përlesi”.
Prokuroria Durrës kërkoi që lidhur me masën e dënimit për Drane Kolën të marrë parasysh rrezikshmerinë mesatare të vepres penale dhe rrezikshmerinë mesatare të autorit të saj faktin se e pandehura Drane Kola është person me personalitet. të pastër juridik. Në lidhje me masën e dënimit për Aleko Perlesin iu kërkua gjykatës nga prokuroria Durrës që të marrë parasysh rrezikshmërinë mesatare të veprës penale dhe rrezikshmërinë mesatare të autorit të saj faktin se i pandehuri Aleko Perlesi është person përsërites i dënuar më parë nga Gjykata.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë:
Prokuroria e Durrësit, në mbështetje të nenit 378/1 të Kodit të Procedurës Penale i paraqiti Gjykatës konkluzionet përfundimtare për çështjen penale nr.48 te vitit 2014.
Çështja penale për akuzat “Pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga neni 287/2 gërmat “b” dhe “c” të Kodit Penal është në ngarkim të të pandehurve Aleko Perlesi dhe Drane Kola.
Procedimi penal filloi pas kallëzimit të shtetases me iniciale Q.P. (M) më 11 tetor 2013 ndaj të pandehurit Aleko Perlesi, sipas të cilit ky i fundit me paratë e fituara nëpërmjet shfrytëzimit të prostitucionit ka blerë apo po ndërton prona të paluajtshme në zonën e Durrësit dhe i ka vendosur në emër të pandehurës Drane Kola, ish bashkeshortja e tij.
I pandehuri Aleko Perlesi, me vendimin nr.146, dt.15.03.2007 të Gjykatës Durrës u dënua me 4 vjet e 8 muaj burg për “Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese” sipas nenit 114/a/2,5 te K.Penal, në dëm të shtetasve me iniciale V.P., E.M.,K.D, etj.
Ky procedim penal ndaj të pandehurit Aleko Perlesi ka filluar mbi bazën e letërporosisë së autoriteteve gjyqësore franceze, të cilët nga ana e tyre kishin filluar hetime për veprimtarinë e shfrytëzimit të prostitucionit në zonën e “Nancy” në Francë të disa femrave shqiptare dhe rumune nga Aleko Perlesi me djemtë e tij Dritan dhe Xhevahir Perlesi.
Sipas vendimit të gjykatës, një vajzë e re ka denoncuar ekzistencën e një rrjeti të gjerë prostitucioni shqiptar e rumun, të vendosur në zonën e Nancy në Francë, por të shtrirë edhe në qytete të tjera si Avignon, Lyon dhe Toulouse.
Ky grup drejtohej nga familja Perlesi dhe Mehmet Ademov.
Po sipas vendimit të gjykatës V.P., E.M., K.D. kanë qenë prostituta në Francë që nga viti 2002 për llogari të “klanit” Perlesi, por duke u implikuar edhe në organizimin dhe kontrollin e prostitutave të tjera për llogari të klanit familjar.
Nga ekzaminimi i parave të dërguara me “Western Union” në 2002-2005 nga shtetaset e mësipërme, rezulton se përfitues i shumave të parave është edhe i pandehuri në atë gjykim Aleko Perlesi.
Kështu që Prokuroria Durrës i kërkoi gjykatës:
• Deklarimin fajtor të pandehurës Drane Kola për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim në kuadrin e fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale si dhe fitim i pronësisë duke ditur që në çastin e marrjes në dorëzim që kjo pasuri është produkt i veprës penale, vepër kjo e parashikuar nga neni 287/2 germa “b” dhe “c” te Kodit Penal dhe dënimin e saj me 7 (shtate) vjet burgim.• Deklarimin fajtor të pandehurit Aleko Perlesi, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose i veprimtarise kriminale” e kryer në bashkëpunim në kuadrin e fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale si dhe fitim i pronësisë duke ditur që në çastin e marrjes në dorëzim që kjo pasuri është produkt i veprës penale, vepër kjo e parashikuar nga neni 287/2 germa “b” dhe “c” te Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 (tete) vjet burgim.
• Duke u referuar dhe të Vendimi gjyqësor nr.8 date 14.6.2016 dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Për Krime të Rënda Tirane si dhe të vendimi gjyqësor nr.324 datë 19.4.2014 dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me objekt vendosje të masës së sigurimit pasuror u kërkua nga Gjykata konfiskimi i:
• a) Pasurise nr.12/40, toke arë 420 m2 ne Rreth, Shijak në emër të shtetases Drane Kola.
• b) Konfiskimin e Pasurise nr.27/44, tokë arë 2930 m2, në Rreth, Shijak në emër të shtetases Drane Kola.
• c)Konfikskimin e Pasurisë nr.27/20, tokë arë 2750 m2, ne Rreth, Shijak në emër të shtetases Drane Kola.
• D) heqjen e sekuestros për llogaritë bankare ne Bankën Kombëtare Tregtare në emër të shtetasve Drane Kola, Athina Perlesi dhe Valbona Perlesi.
• Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve në shumën 5.000 lekë t’i ngarkohen solidarisht të pandehurve Drane Kola dhe Aleko Perlesi.
Erjona Keta
24.12.2018