Gjatë vizitës në Landin e Veriut të Rhine-Vestphalisë të Gjermanisë, Presidenti Meta u prit në takim nga Kryeministri i këtij Landi, Armin Laschet.
Presidenti Meta nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
Ai vlerësoi rëndësinë që këto marrëdhënie kanë jo vetëm për Shqipërinë por edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor. Presidenti Meta shprehu mirënjohje për ndihmën që Gjermania dhe populli gjerman i kanë dhënë Shqipërisë. Si dhe shqiptarëve në planin dypalësh, gjatë anëtarësimit në NATO dhe integrimit në Bashkimit Evropian. Ai theksoi se kjo mbështetje mbetet jetike për hapjen e negociatave me BE-në vitin që vjen.
Ne dëshirojmë më shumë investime e projekte dypalëshe e rajonale me Landin Tuaj, në fushën e ekonomisë, energjisë, infrastrukturës, turizmit, mjedisit e bujqësisë. Kjo gjë do të afronte më shumë Shqipërinë më këtë Land të rëndësishëm të Gjermanise, si dhe përvojë në shërbime sociale, edukim profesional dhe punësim.
Presidenti Meta falënderoi Kryeministrin Armin Laschet për mikpritjen dhe mbështetjen që i ka ofruar diasporës shqiptare në këtë Land të rëndësishëm në integrimin e tyre në shoqërinë gjermane dhe kthimin e tyre në ura bashkëpunimi dhe faktorë të rëndësishëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Presidenti Meta e falënderoi Kryeministrin Laschet për mbështetjen e tij në organizimin. Së bashku me Konsullen e Nderit të Shqipërisë në këtë Land, znj. Anduena Stephan, të Ditëve të Dialogut me Diasporën Shqiptare në kuadër të 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Kryeministri Laschet vlerësoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë. Ai u shpreh optimist për hapat e mëtejshme drejt Bashkimit Evropian. Ai siguroi për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Shqipërisë në këtë proces veçanërisht interesin e këtij Landi me Shqipërinë.
Presidenti i Republikës Meta e ftoi gjithashtu Kryeministrin Laschet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ai e priti ftesën me kënaqësi.