LSI është pro amnistisë fiskale, por më parë ajo duhet të konsultohet me të gjitha grupet e interesit. Ilir Meta, nënvizoi dje, pas miratimit nga Kuvendi të faljes fiskale, se për arritjen e një hapi të tillë duhen ligje të mirëmenduara, të cilat të krijojnë besimin e duhur për çlirimin e kapitaleve. “Më duhet të theksoj se Lëvizja Socialiste për Integrim është pro një amnistie fiskale për biznesin, por natyrisht që kjo duhet të realizohet pas konsultimeve të gjera me të gjitha grupet e interesit, në mënyrë që të mos bëhen ligje thjesht për qëllime elektorale, të nxituara, por të hidhet një hap i menduar mirë dhe që të sjellë një çlirim të të gjitha potencialeve të biznesit për të ardhmen e tij”. Deklarata e Metës u bë gjatë dorëzimit nga kreu i BiznesAlbania të librit me kërkesat e biznesit. Paketa e Bregasit përmbledh kërkesat e 25 shoqatave më të mëdha të vendit, gati 30 mijë ndërmarrje, me mbi 200 mijë të punësuar. “Konkurrueshmëria e partive na ka rritur sedrën dhe na kë bërë më aktivë për të bërë paketën tonë të propozimeve dhe për të pasur si të thuash “menynë” tonë ekonomike për zhvillimin e këtij vendi. Zoti Meta shprehu mbështetje totale të këtyre propozimeve dhe na premtoi se në rast se partia e tij do të jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme të vendit, kjo paketë e jona do të jetë pjesë e kontratës, që qeverisja e ardhshme do të bëjë me komunitetin e biznesit, me qëllim që premtimet, të cilat, sigurisht bëhen më shumë në fushata elektorale, të shndërrohen në dokumente ligjore dhe juridike dhe në kontrata të detyrueshme dhe të zbatueshme për qeverisjen, për politikën, por edhe për komunitetin e biznesit”.
01.06.2013
Burimi: Panorama