Mesazhi i fortë politik i Kryemadhit ndaj Lulzim Bashës. Deklarata e kreut të LSI-së Monika Kryemadhi në intervistën për Ilva Taren ishte një sinjal i ri politik. Një zhvillim që natyrisht i drejtohet liderit të opozitës Lulzim Basha por edhe opinionit public shqiptar.
Mesazhi i fortë politik i Kryemadhit ndaj Lulzim Bashës.
Kreu i LSI-së, bëri të ditur se shënjestra e opozitës nuk duhet të jetë një ministër, por kreu i qeverisë. Duke ju përgjigjur kështu pyetjes për Xhafajn, zonja Kryemadhi bëri të ditur qëndrimin e saj politik. “S’ka pse të mbajë përgjegjësi për të vëllanë. Unë nuk e di çfarë bëjnë fëmijët e mi tani. Njëri është 18-vjeç, tjetri 20-vjeç. Unë vërtetë mbaj përgjegjësi morale për ta, por jo përgjegjësi ligjore. Por nga ana tjetër, është e rëndësishme të dihet nëse vëllai i z. Xhafaj i ka përdorur apo jo institucionet në favorin e tij. Qëndrimi ynë nuk është totalisht i ndryshëm, por në kemi nuanca të tjera. Unë mendoj se lufta jonë duhet të jetë ballore me Edi Ramën, pasi ai mund ta heqë z. Xhafaj dhe të vendos dikë tjetër në vendin e tij”, deklaroi Kryemadhi. Në fakt ka qarqe që mbrojnë idenë se ka pasur një lëvizje të Ramës për të sulmuar Xhafajn nga PD.

Përkatësisht sepse do të eleminojë një emër që shikohej si alternativë për të drejtuar qeverinë në rast largimi apo rrëzimi të qeverisë aktuale. Xhafaj mund të drejtonte një qeveri kujdestare deri në zgjedhje. Sulmi frontal i PD-së vetëm ndaj Xhafajt, shikohet nga LSI edhe si një shënjestër që nuk sjell frutet e duhura. Ndaj Kryemadhi i dërgoi një mesazh politik të qartë Lulzim Bashës që të korigjojë shënjestrën, që ta lëvizë nga Ministri i Brendshëm tek Kryeministri Edi Rama. Pasi nëse do të jetë e qartë opozita, një sukses i mundshëm i kauzës nuk prodhon lëvizje brenda llojit, por një ndryshim real politik. A do ta kuptojë PD-ja këtë mesazh? Duhet pritur deri në fund të qershorit…
Për Lajm-Shqip
Ylli Pata