Nga Mentor KIKIA: Dështimi i reformës në drejtësi do të ishte zhgënjim për shqiptarët
Nga Mentor KIKIA…
Me gjithë kundërshtimin e opozitës, zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm provizor është vetëm çështje ditësh. Dhe do të zgjidhet jo sipas formulës që parashikon ligji i ri për drejtësinë. Pasi nuk është krijuar ende KLP, por me një shumicë të thjeshtë në parlament. KLP-në opozita preferon ta reduktojë në 36 deputetë. Padyshim që temperatura e mjedisit politik, do të rritet, pasi opozita është e qartë në parashikimin e saj. Sipas saj, PS do të caktojë një prokuror të përkohshëm të sajin. Ai do të diktojë më pas edhe krijimin e KLP-së, strukturave të tjera të reja të drejtësisë, por mbi të gjitha edhe të SPAK, strukturës hetimore që po pritet të jetë shpata mbi kokën e zyrtarëve të korruptuar. Pasi të ketë ngritur strukturat me njerëzit e PS-së apo të Ramës, atëherë minsioni i prokurorit të përkoshëm e përfundon edhe politikisht edhe ligjërisht.
Mazhoranca
Por mazhoranca e hedh poshtë këtë konspiracion dhe pohon se prokurori i përkohshëm është i nevoijshëm. Pasi KLP që duhet të përzgjedhë kandidaturat nuk është krijuar ende. Pastaj të dyja palët hidhen në llogoret e vjetra se kush e vonoi KLP-në, kush vonoi fillimin e vetingut etj, duke u kthyer në avazin e vjetër, apo në atë që dinë të bëjnë më mirë të dyja.
Se cila palë ka të drejtë, ky është mision i vështirë për të dhënë një vendim. Të gjitha skenaret janë të mundshëm, dhe të gjithë mbeten në kushtet e “paranojës”. Por ajo që është e qartë tashmë është se reforma në drejtësi po tronditet ende pa nisur të zbatohet. Lidhur me zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm, ligji i ri për drejtësinë bën një ndryshim shumë të fortë për ta shkëputur këtë proces nga thonjtë e politikës dhe ka krijuar mekanizma teknikë. Megjithë këtë, edhe ky prokuror po zgjidhet sipas formulës së vjetër. Por jo vetëm cështja e prokurorit…
Reforma në drejtësi
Duhet theksuar se reforma në drejtësi u pa në publik si zgjidhja e një morie problemesh me të cilat përballen qytetarët. Do të pastronte drejtësinë, do të luftonte korrupsionin, krimin e shtresave të larta të pushtetit, do të çlironte nga praktika e abzumit administratën. Këto janë të ekzagjeruara, por ama organet e reja pritej të paktën të shkatërronin institucionin e mosndëshkimit të korrupsionit në shkallët e larta të politikës dhe oligarkisë bashkëpunuese me të.
Kjo krijoi një lloj shprese mes njerëzve të thjeshtë që ndjehen të skllavëruar nga pushteti dhe shteti i korruptuar. Sa më e madhe shpresa dhe pritshmëritë, aq më i madh është edhe zhgënjimi. Dhe duket se zhgënjimi po vjen ende pa u ndezuar motorrët e drejtësisë së re. Kjo pasi, kësaj makine të re, dikush kërkon ti caktojë motorrin sipas preferencës së tij, dikush shoferin, dikush gomat, dikush ngjyrën e dikush markën e karburantit.
Në këto kushte duhet ta dimë se jemi vetëm një hap larg nga zgjënjimi i madh.
Për këtë arsye, klasa politike nuk ka sot përgjegjësinë vetëm për të ngritur mekanizmin e një drejtësie të pavarur, por ka përgjegjësinë të mos çojë në zhgjënjimin e fundit ata shqiptarë që kishin gjetur deri diku një çengel për të varur shpresën, në kushtet kur nuk duan apo ende nuk kanë gjetur mundësinë të marrin arratinë. Dhe përgjegjësia historike këtu i takon së pari mazhorancës.
Për Lajm-Shqip
Mentor KIKIA