Memaliaj në fakt është një vendbanim shumë i bukur dhe tepër interesant, por ngadalë po udhëton drejt ‘vdekjes’. Pozicioni i qytetit, një terren të rrafshtë, tërësisht fushor. Shtrirë “më nge” ndanë lumit të bekuar të Vjosës.
Të ngjashme mund të lexoni:
Në çdo qytet tjetër të botës ka dy përmasa: Poshtë Toka dhe lart Qielli. Në Memaliaj përmasat janë “tredimesionale”, sepse nuk mund të lihet mënjanë Nëntoka.
Nëntoka, ajo sekreti i lindjes, ekzistencës dhe mbijetesës. Por, edhe misteri i “vdekjes” së ngadaltë. Pragu i sakrificës dhe caku entuziamit, tani janë harruar krejt.
Dikur, qytet me gjallëri dhe zhurmë.
Dikur, qytet me mëngjes që të nis në punë thellë në nën nëntokë.
Dikur, qytet që të pret në mbremje dhe të argëtonte mbi tokë.
Dikur, qytet me kinema dhe me lulishte.
Dikur, qytet me restorante dhe me qendër kulturore.
Dikur, qytet me spital dhe me bibliotekë.
Dikur, qytet me shkolla dhe me kopshte plot me femijë.
Dikur, me njerës, me foshnja, me femijë, me burra, me gra me pleq e plaka.
Dikur, me polici dhe komitet.
Dikur, me NFP dhe me MAPO.
Dikur, qytet me minierë me 6 mijë minatorë.
Dikur, me fabrikë tullash.
Dikur, qytet me autobuza urbanë dhe me stacione.
Dikur, qytet me PTT dhe me kabina telefonike.
Dikur, me fabrikë pasurimi të fosforiteve.
Dikur, qytet me ndërmarje pyjore.
Dikur, qytet me ofi&inë mekanike.
Dikur, qytet me ndërmarje të ujrave dhe bonifikimit.
Dikur, qytet me park automobilistik.
Dikur, qytet me letrarë dhe disident letrarë.
Dikur, qytet me këngë, humor, poezi e prozë.
Dikur, shumë gjëra këtu kishin të njëjtin emër: Qyteti i Minatorëve. Pallati i Kulturës Minatori.
Sheshi qëndror Minatori. Monumenti Minatori. Lulishte Minatori. Birrari Minatori. Restorant Minatori. Hotel Minatori. Ekipi i Futbollit Minatori. Kinoklubi Minatori. Rruga Minatori. Rrethi i letrarëve Minatori. Konvikti Minatori….
Vetëm materniteti, më duket, se nuk e kishte emrin Minatori.
Unë që po shkruaj këto “gjëra” për këtë ish-qytet, në vitin 1984 kam “intervistuar” shqiptarit të 3 miliontë.
“Intervista”, thjesht të qarat e një foshnje. Quhej Gëzim Bega. Ishte fëmija i 5-të në Begaj.
Babai, s’do shumë mend, minator. Nëna nuk më kujtohet. Tani ai është 34 vjeç. E kërkoj tek ata të paktit që lëvizin në rrugë. E kanë harruar. Vetëm një plak thotë se ka nja 15-vjet ikur në Greqi. Ikur si të gjithë, mendova.
Nja 10 a 12 mijë njerës, këtu u rritën. Si, Gëzim Bega, me gëzime dhe brenga. Këtu hodhën hapat e para. Këtu shkruan shkronjat dhe fjalët e para të gjuhës amtare. Këtu kanë ato vendet ku luanin. Këtu kanë thurur ëndërrat për jetën dhe të ardhmen. Këtu dëgjuan ato përrallat me personazhe pozitive dhe përfundim të moralshëm. Këtu kanë marrë po-ne dhe jo-në e dashurisë.
Por, sot duket qartë, fare qartë, se çdo gjë ka marr fund, Memaliaj mund të quhet qyteti që udhëton ngadalë drejt ‘vdekjes’
Sot sillem në rrugët dhe kryqëzimet e të vetmit ish-qytet në botë, ku sipër tij kryqëzohen legjendat e krimeve të dy kohëve. Kohës që i mblodhi këtu njerzit nga ana e anës. Kohës që i degdisi ata mbrapa Diellit edhe përpara Hënës.
Sot ish-qyteti të kall datën. As i gjallë, as i vdekur.
Tani bujtësi këtu gjendet përballë disa dilemave dhe kodeve të pa zbërthyeshme.
Si u ndërlikuan situatat?! Si ndodhi që qyteti mbeti jashtë vëmendjes!?
Aty ishte, aty është, dhe aty do jetë. Po pluhuri dhe hiri, se dashuritë, historitë dhe njerëzillëkuikën në caku e durimi njerëzor.
Sot, në këtë qytet gjith&ka është në gjendje “shock-u”. Sot, Memaliajn e kanë braktisur të gjithë.
Sot, nuk ka minatorë, nuk prodhohet qymyr gruri, nuk pasurohen forforitet e Gusmarit dhe Fushbardhës, nuk prodhohen më tulla.
Sot, ky vendbanim ka humbur identitetit. Qytet, apo fshat!? As qytet, as fshat!
A mund të ketë jete një qytet që nuk ka punë?
A mund të ketë qytet njerëz dhe pa zhurmë?
Nuk mund të ketë jete një qytet që nuk ka punë!
Nuk mund të ketë qytet njerëz dhe pa zhurmë!
Por nuk ka as fshat, pa zëra, pa zile, pa këmborë, pa cicërima…
Memaliajt sot është një “kufomë”. Një rrënojë njerëzore. Një ish-qytet që udhëton i vetmuar, i harruar, i trishtuar drejt tretjes së vetvetes.
Për Lajm-shqip
Engjëll Serjani