Mblidhet KQZ, debate PS-PD për komisionerët në Shkodër
TIRANË – Mblidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti ka ngritur problemin e KZAZ-ve 2,3,4,5,6,7 në qarkun e Shkodrës. Sipas tij, “në këtë moment PS ende nuk ka paraqitur emrat, propozimet për anëtarë për komisionet e qendrave të votimit të këtyre kzaz-ve”.
Kosovrasti ka theksuar i shqetësuar se “njerëzit nuk janë emëruar e jo më trajnuar”. Sipas tij, materialet, njerëzit tanë janë atje. “Është e qëllimshme dhe nuk besoj mos jetë kështu. Një një basition të PD-së krijohen tensione të kota. Kërkoj që kjo histori të marrë fund”, tha Kosovrasti.
Ndërsa përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj ka theksuar se “për 10-15 minuta, çështja është e zgjidhur”. Ai ka shtuar se “nuk ka asnjë qëllim në këtë drejtim; është thjesht çështje rakordimi”.
“Edhe PD njësoj ka vepruar. Nuk është se PD ka vepruar shpejt dhe në kohë”, është kundërpërgjigjur Genci Gjonçaj. Pak më vonë, Gjonçaj pas një telefonate u shpreh se ata që mungojnë janë anëtarët e PD. “Anëtarët e PD nuk janë dhe po punohet në një krah. Sapo u lidha me kryetarin e kzaz 44”, tha Gjonçaj. Pak më vonë, Kosovrasti pohon se sapo foli me kryetarin e komisionit dhe tha se “PS edhe tani nuk i ka çuar propozimet dhe anëtarët e komisionit nuk mblidhen, se nuk ka ardhur PS të sjellë propozimet”. Ndërsa Gjonçaj i është përgjigjur: “A marrim ti kryetarin, unë nënkryetarin në telefon? E zgjidhim të dy tani”.
Problematike janë paraqitur disa kzaz në Durrës, Peqin, Tiranë, Fier, Cërrik nuk ka filluar shpërndarja e materialeve zgjedhore, nuk janë mblehdur komisionerët, ka humbur vula etj. Në të tjerat procesi ka filluar.
VËZHGUESIT DHE MEDIAT E AKREDITUARA
Janë miratuar sot nga KQZ vëzhgues të televizionit “Fokus” dhe “Klan’. Dhe në total u raportua se janë 18 media, 29 organizata lokale joqeveritare, 8467 të akredituar si vëzhgues dhe nga media, vendas, 11 organizata ndërkombëtare, numri i vëzhguesve ndërkombëtare bashkë me mediat është 792, dhe totali i gjithë vëzhguesve është 9259.
DEBAT PËR QENDRËN E VOTIMIT NË THUMANË
U diskutua ndryshimi i qendrës së votimit në Thumanë; një ish-shkollë, e cila siç u raportua “pa dyer dhe dritare”. Por në të njëjtin objekt ka një ambient, që shërben për qendër shëndetësore dhe qendra e votimit është rënë dakord që të vendoset në këtë qendër shëndetësore. Ky ambient është i vogël; 16-18 m katrorë. Por autoritetet lokale e kanë pranuar si më të mirën e mundshëm. Anëtari i KQZ, Hysen Osmanaj tha se ndryshimi i qendrës së votimit është shkelje e papërgjegjshme.
22.06.2013
Burimi: Shqiptarja.com