Të gjithë maturantët që do t’iu nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore do të përballen këtë vit me rregulla më të rrepta. Të paktën këtë parashikon Rregullorja e sapomiratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kjo rregullore ka filluar të shpërndahet në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Sipas drejtorit të Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, këtë vit janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për një proces që mundëson një vlerësim korrekt për të gjithë maturantët. Është hartuar një komision i posaçëm që bën kontrollin dhe penalizmin e mësuesve dhe maturantëve në rast manipulimi të provimeve. Rregullorja sanksionon me përjashtim dhe mosnjohje të rezultatit në rastet kur një maturant nuk qëndron në vendin që i është caktuar, merr, jep informacion, kopje ose komunikon me shokët e pranishëm si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve. Po ashtu ndëshkohen edhe veprimet e tjera si përdorimi i lapsit apo stilolapsit me ngjyra, dëmtimi i testit apo heqja e kodit të sekretimit. Gjatë procesit të vlerësimit, nëse vërtetohet që maturanti ka kopjuar, atij automatikisht i hiqet e drejta e njohjes së provimit. Përgjegjësia e mbarëvajtjes së provimeve të Maturës Shtetërore iu kalon edhe administratorëve, të cilët janë të trajnuar para se të futen në provim. Sipas Vejsiut, administratorët do të përballen me ulje në detyrë, heqje të kualifikimit, paralajmërim për largim nga puna por edhe largim nga puna. Rregullorja e procesit të Maturës Shtetërore parashikon jo më shumë se 150 maturantë në qendrat ku do të zhvillohen provimet e detyrueshme dhe ato me zgjedhje. Ndërsa mjediset ku do të zhvillohen provimet do të kenë jo më shumë se 15 maturantë, të cilët do t’i ketë nën vëzhgim një administrator i vetëm provimi. Pas përvojës së hidhur të viteve të kaluara, ku maturantët kanë shfrytëzuar telefonat celularë për të marrë dhe për të dhënë përgjigjet e sakta të testit, këtë vit vijnë gjurmuesit dhe detektivët. “Shpeshherë kemi dëgjuar për shmangie të rregullave të procesit të provimeve. Matura shtetërore vlerësohet por ka dhe një pikë jo të fortë, që është administrimi. Për çdo administrator kemi pasur vërejtjet përkatëse”, pohon drejtori i AP, Vejsiu. Këtë fakt e ka pohuar edhe raporti më i fundit i Inspektoratit Kombëtar të Provimeve. Fatmir Vejsiu bën me dije se këtë vit do të aplikohen për herë të parë zhurmuesit në ambientet ku do të kryhet provimi. “Kemi kapur nxënës duke kopjuar dhe i kemi përzënë. Qëllimi ynë nuk është të penalizojmë. Ndaj kemi filluar bisedimet me kompanitë e huaja për të bërë të mundur bllokimin e valëve gjatë provimit të maturës, për të evituar në këtë mënyrë kopjimin nga ana e kandidatëve”, theksoi Vejsiu. Po ashtu këtë vit për herë të parë do të përdoren edhe detektorët, me anë të të cilëve do të bëhet kontrolli i maturantëve para se të futen në provim. Vejsiu ka pohuar se pavarësisht kostos së lartë që ata kanë, do të realizohen në masën 100 për qind, pasi i shërbejnë cilësisë së arsimit. Hapi i radhës në realizimin e procesit të Maturës Shtetërore është shpallja e formularit A1 dhe A1Z më datë 20 shkurt si dhe udhëzuesi i plotësimit të tij. Siç është bërë e ditur tashmë, edhe ky formular mund të plotësohet në rrugë elektronike.
Rregullorja
Përjashtim dhe mosnjohje të rezultatit kur një maturant nuk qëndron në vendin e caktuar, merr, jep informacion, kopje ose komunikon me shokët dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpall më 20 shkurt formularin A1 dhe A1Z, udhëzimin e plotësimit si dhe tabelën e indeksit të profilit apo degëve. Dy formularët plotësohen deri më 10 mars.
12.01.2013
Burmi: Gazeta Shekulli