Disa misionarë të një shoqate fetare në Tiranë janë paraqitur përpara hetuesve për të dhënë deklarimet e tyre rreth Albert Zekaj.
32-vjeçari nga Kopliku vrau dhe hodhi në kanal mikun e tij Kreshnik Beqiraj.
Zekaj ishte strehuar që prej muajit gusht në shoqatën fetare.
Të pestë misionarët, dy djem dhe tre vajza kanë shprehur habinë e tyre për atë që ka ndodhur.
Ata nuk kishin dyshuar për asnjë çast se po strehonin një vrasës.
Ja çfarë deklaroi njëri prej tyre:
“Jemi tronditur kur e dëgjuam lajmin se Alberti mund të kishte vrarë një njeri. Ai erdhi tek shoqata jonë në muajin gusht të vitit të kaluar dhe kërkoi ndihmë. I kemi mundësuar strehim, ushqim dhe veshje sa herë që ka pasur nevojë. Madje i kemi siguruar edhe punë me kohë të pjesshme, kur kemi patur mundësi. Ai dukej i qetë dhe i dëgjuar. Ishte fjalëpak, por kurr nuk kemi pasur ndonjë dyshim se ai mund të ishte person problematik, e aq më tepër një vrasës”.
Masakroi shokun, vrasësi u strehua nga shoqata fetare…
Më tej kanë treguar:
“Ai na kishte thënë se kishte pak komunikim me familjen e tij dhe shfaqej si nevojtar, prandaj e kemi ndihmuar. Asnjëherë, askush prej nesh, nuk ka patur dyshim që ai të kishte kryer një krim. Jemi vërtetë të tronditur që kemi ndihmuar një person të tillë! ”.
Albert Zekaj kishte jetuar me qera së bashku me mikun e tij Kreshnik Beqiraj në Fier.
Në apartamentin e tyre janë gjetur gjurmë gjaku. Kreshnik Beqiraj, 36 vjeçar nga Fieri është zhdukur mbrëmjen e 22 Qershorit të 2017.
Viktima dhe Zekaj ishin njohur në Belgjikë në një kamp kthimi.
Familjarët e Kreshnikut thonë se Alberti ka qëndruar në shtëpinë me qera deri në Gusht të 2017-ës. Më pas ishte nisur drejt Tiranës.
Në dhjetor të vitit 2017, daja i të ndjerit ka bërë një denoncim, për shkak se Kreshniku nuk po gjendej.
Më pas edhe vëllai i Kreshnikut, Donjet Beqiraj është kthyer nga emigrimi dhe ka nisur të bashkëpunojë me policinë dhe prokurorinë e Fierit.
I vendosur përpara provave së fundmi, Kreshnik Beqiraj ka pranuar autorësinë e krimit.

Klajdi Thaçi
25.03.2018