Masa të forta sigurie nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan për ndeshjen e nesërme Skëndërbeu – Partizani i Beogradit. Këto kanë për qëllim sigurimin e rendit dhe qetësisë, për zhvillimin sa më normal, para, gjatë dhe deri në përfundim të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit nëpërmjet ekipeve përfaqësuese “Skëndërbeu” – “Partizani i Beogradit”, e cila do të zhvillohet më datë 19.10.2017, në orën 21:05, në Stadiumin “Elbasan Arena.” Policia e Elbasanit bën me dije se duke filluar nga ora 17:00, datë 19.10.2017 , nuk do të lejohet parkimi i mjeteve përreth dhe para sheshit të stadiumit “Elbasan Arena”, nga Kryqëzimi i Bulevardit “Qemal Stafa” me rrugën “Kamber Sejdini” deri në dalje në unazë . Ndërsa nga kryqëzimi i Bulevardit “Qemal Stafa ” deri në dalje në unazë do të jetë për parkimin e mjeteve të tifozëve vendas.
Gjithashtu , do të bllokohet rruga “Kamber Sejdini” nga Kryqëzimi i Bulevardit “Qemal Stafa” deri tek Kryqëzimi i Tapetave , nga bulevardi “Aqif Pasha”, nga Stadiumi deri te Kryqëzimi i Shatërvanit, nuk do të lejohet parkimi dhe lëvizja e mjeteve. Për të mos krijuar kaos në qarkullim , sipas të njëjtit burim, lëvizja e mjeteve do të bëhet nëpërmjet Unazës së qytetit. Ndërkohë, aksi rrugor, nga Kryqëzimi i Tapetave, ish-Konservim, deri në dalje në unazë për në “5 Maj”, në drejtim të Spitalit, do të shfrytëzohet për emergjencat që mund të lindin gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti.
Lidhur me ndeshjen, do të angazhohen 221 punonjës policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, Komisaraitet, Stacionet Policore vartëse të saj, Forcat e Posaçme Shqiponja.
Kreu i uniformave blu në Elbasan, urdhëron që të gjithë sportdashësit, që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete: sende të forta, shishe (të çfarëdolloji), fishekzjarre, monedha apo metale (të cfarëdolloji) , çelësa të ndryshëm, apo banderola me mbishkrime nxitëse dhe raciste, në të kundërt nuk do të lejohen të futen në stadium. Në përfundim të këtyre masave me karakter organizativ dhe sigurues, jepet porosi se në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit dhe njoftohen administratorët e bizneseve, që zhvillojnë aktivitet tregtar përreth dhe në afërsi të Stadiumit, se nga ora 17:00 e deri në përfundim të ndeshjes , të tregohen mirëkuptues duke mbyllur aktivitetet e tyre.
Policia vendore përfundon urdhëresën duke falenderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe mediat për bashkëpunimin!
18.10.2017
Për Lajm-Shqip
Alfrida Danushi