Marrëdhëniet e ndërsjella midis shëndetit dhe seksualitetit janë bërë tashmë mjaft të njohura dhe për ta pranuar këtë janë dashur shekuj.
Prej kohësh shoqëria e ndante trupin nga shpirti. Por që një orgazëm të influencojë për shërimin e migrenës kjo është diçka e re. Dhjetë vitet e fundit janë bërë shumë studime epidemiologjike, biologjike ose psikologjike në të gjithë botën ç’ka dëshmon për rëndësinë e veçantë të seksit për një ekuilibër mendor e fizik. “Ocytine”, kjo lëndë që shkakton ndjesinë e kënaqësisë gjatë orgazmës, është po ajo që favorizon dhe një lidhje të ngushte mes nënës dhe fëmijës gjatë dhënies së gjirit. Minjve poligame u ishte injektuar “ocytine” në tru dhe u konstatua se ata u kthyen në monogamë. Por çfarë është në fakt një marrëdhënie harmonike dashurie?
Për doktoreshën Chevret Measson “bëhet fjalë për një marrëdhënie midis dy qenieve që zhvillohen në raport kompliciteti, sensualiteti dhe seksualiteti. Nëse një çift reziston, ekuilibri midis tyre dhe çka i afron ata, me kohë ndryshon, modifikohet. Në fillim është seksualiteti që mbizotëron dhe pastaj, pas të pesëdhjetave, është dashuria, dhembshuria, përkëdhelja.” “Në fakt, – thotë doktor Sylvain Mimoun, – pulsionet seksuale që ndjejmë në moshën 20-vjeçare, nuk janë të njëjtat me moshën 50-vjeçare, edhe nëse këto marrëdhënie seksuale mund të jenë harmonike edhe më vonë. E rëndësishme është nëse njeri tregon vëmendje mbi tjetrin. Me kalimin e viteve, bëhemi më të kujdesshëm për cilësinë e marrëdhënieve seksuale se sa për sasinë e tyre, pra për më shumë shkëmbime intensive dashurie. Dhe është kjo harmoni në marrëdhëniet mes tyre, që sjell një gjendje të mirë në mendje dhe në trup”.
Ndikimi i seksualitetit në shëndet
Po t’u besojmë rezultateve të studimeve të fundit, këto marrëdhënie influencojnë dhe mbi shëndetin në disa fusha specifike: në ato të sistemit nervor, ndaj prostatës, sistemit kardiovaskular, të jetëgjatësisë, etj. Sipas një botimi në revistën e njohur amerikane “National Academy of Sciences”, përqindja e vdekshmërisë së çifteve të lumtura dhe harmonike është më e paket se sa ata që janë të divorcuar, të ve apo beqarë. Studiuesit nuk habiten për këtë, pasi stresi e dobëson organizmin, ndërsa ndjenja dashurore e forcon atë. Tek ata që kanë pasur një jetë seksuale të kënaqshme, ka pasur më pak raste diabeti, hipertensioni apo depresioni dhe sëmundje kardio-vaskulare. Madje, seksi shëron dhe dhimbjen e kokës, migrenën, siç pohojnë studiuesit amerikanë të universitetit “Rutgers University” të New Jersey, të cilët theksojnë se efekti i orgazmës është identik me atë të dy aspirinave, pasi është truri ai që prodhon endorfinat me shumicë në atë moment.
Si lind dëshira seksuale
Sipas doktor Sylvain Mimoun, “dëshira lind në nivelin cerebral, në pjesën e emocioneve të trurit, në zonën limbike”. Në përgjigje të atyre që quhen “stimuj” (vizuale apo të prekjes, etj) sistemi limbik reagon në mënyra të ndryshme, duke shkaktuar një ndjenjë kënaqësie përmes sekretimit të endorfinës dhe dopaminës (hormonet e motivimit). Nervat që ndodhen përgjatë kolonës vertebrale marrin pjesë në stimulimin e hormoneve. Ato dërgojnë “stimuj në tru dhe deri poshtë kurrizit, atje ku fijet nervore ndahen në dy pjesë: sistemet simpatike dhe parasimpatike. Ky i fundit i çliron të gjitha tensionet e zonës se barkut duke lejuar që gjaku me shumicë të shkojë drejt organeve gjenitale.
Komunikimi në çift
Diskutimet janë pjesë normale e një marrëdhënieje. Të gjithë njerëzit janë të vetëm, kështu që është normale që ndonjëherë të ndani mendime të ndryshme. Çiftet që diskutojnë të qetë nuk kanë pse të shqetësohen nëse nuk bien gjithmonë dakord. Diskutimi i mirë është një mundësi për të ndarë ndjenjat dhe forcuar lidhjen tuaj, duke arritur në një vendim të përbashkët. Mund të jetë një eksperiencë që u dhuron të dyve më shumë besim në marrëdhënien që keni krijuar dhe u afron më shumë me njëri-tjetrin. Komunikimi i mirë është thelbësor për një lidhje të fortë. Është mënyra e vetme për t’i thënë partnerit se kush jeni, çfarë dëshironi dhe pse silleni në një mënyrë ose një tjetër. Të folurit është mënyra se si lejoni tjetrin të hyjë në botën tuaj private. Të komunikosh më mirë do të thotë të thuash hapur dhe sinqerisht atë çfarë ndjeni në të vërtetë. Do të thotë gjithashtu të dëgjosh partnerin pa e gjykuar.
Koha në një marrëdhënie
Rëndësia e gjërave mund të matet nga sasia e kohës që jeni të gatshëm të shpenzoni për partnerin tuaj. Kur një çift është në fillimet e lidhjes se tij instinktivisht të dy partnerët kanë si prioritet lidhjen. Por me kalimin e kohës dhe jeta bëhet me e ndërlikuar mes punës dhe fëmijëve, koha që kalojnë bashkë partnerët nuk është më e para dhe lidhja vendoset në plan të dytë. Lidhjet e forta krijohen vetëm nëse e pëlqejnë vërtet njëri-tjetrin. Do të jetë më romantike të flisni për dashurinë, madje është e rëndësishme të kujtoni se dashuria është një emocion që vjen e shkon. Nëse sinqerisht keni ndjenjën e simpatisë ndaj njëri-tjetrit, nëse jeni dakord me mendimet e njëri-tjetrit, ndani të njëjtat ëndrra për jetën, atëherë ndenja e dashurisë nuk do të jetë kurrë larg jush. Është thelbësore t’i thoni partnerit se edhe ju e pëlqeni atë. Fjalët e ngrohta të kurajës dhe mbështetjes krijojnë besim dhe respekt.
Bisedat dhe komplimentet
Për ta bërë të ndihet edhe më mirë njeriun e zemrës shtoni numrin e komplimenteve. Të njëjtën gjë duhet të merrni edhe nga partneri juaj. Por këtë duhet ta fitoni. Nëse nuk doni veten tuaj është e vështirë të besohet se mund t’u dashurojë dikush tjetër. Respekti ndaj vetes është shumë i rëndësishëm në një lidhje të fortë. Nëse e pëlqeni vërtet veten tuaj, veç defekteve dhe dobësive që keni, do të ndiheni të sigurt. Kur ndiheni i sigurt dhe me besim në vete, do të pëlqeni të rrini me partnerin për gëzimin që sjell në jetë tuaj dhe jo sepse keni nevojë për ta që të mbijetoni. Nëse keni pasur një eksperiencë negative në të shkuarën është e nevojshme të bisedoni për këtë me partnerin. Ai do t’u qëndrojë pranë dhe do t’u bëjë të harroni atë periudhë të vetes suaj, por gjithsesi mos harroni që edhe në këtë rast të vlerësoni veten tuaj. Nevoja fizike për ngrohtësi nuk ndryshon asnjëherë, kjo është e rëndësishme.
17.05.2013
Burimi: ikub.al