Mandatet e djegura dhe alibia e Bashës!
Pas të shtunës, e hëna duket si dita e dytë më e lumtur e Lulzim Bashës.
Të shtunën e protestës u ekzaltua. Deri në atë farë feje, sa tha se kryeministri ra.
Dhe se Ramën askush nuk e njeh më si shefin e qeverisë. Ndërsa të hënën, një tjetër lëvizje nga kampi opozitar.
Basha me të tijtë ishin thuajse në unanimitet të plotë për djegien e mandateve.
Ndërsa për aletatët, duket se karta u rrotullua disa herë dhe më pas “fundi i lumtur”.
Edhe ata u bashkuan me Bashën. Mbase duke marrë ndonjë garanci, se do jenë pjesë e listave për deputetë.
A do e mbajë Basha fjalën me kryetarët e partive politike? Eshtë ende shpejt të thuhet.
Por gjithsesi edhe ata pranuan verdiktin e Bashës për të djegur mandatet.
Bëhet fjalë për ato mandate që në fakt nuk janë as të Bashës, as të Monikës.
Dhe as të partive të opozitës apo maxhorancës qofshin.
Ato janë mandate të popullit.
Pavarësisht se në listë i ka vënë vetë kryetari pa pyetur askënd nga strukturat.
Ato janë votuar nga shqiptarët dhe duhet të firmosin individualisht ata për heqjen e mandateve.
Megjithatë, mandatet tashmë janë djegur dhe kjo është “fitorja” e dytë e Bashës. Por, në pritje të teknikaliteteve për këtë, le të kthehemi edhe njëherë tek protesta.
Ishte apo jo protesta e 16 shkurtit, një uragan antiRama.
Dy kahet e politikës janë në llogoret e tyre. Rama, në përgjigje të përgatitjes për protestën e madhe kundër tij në Tiranë.
Ai zgjodhi Vlorën të demostronte forcën e tij. Dhe sipas analistëve të politikës u duk se ishte aty-aty me numër pjesëmarrjeje.
Por cili ka qenë roli i ndërkombëtarëve? Këta të fundit, me shpejtësi reaguan.
Kjo, duke mos mbështetur protesta të dhunshme. Sapo u ça për herë të parë kordoni policor, ShBA, BE dhe OSBE reaguan.
Këta, duke u bërë apel krerëre të opozitës të vetëpërmbahen.
Dhe të heqin dorë nga nxitja e dhunës, duke bërë gjithçka për shmangien e saj.
Kjo ka qenë edhe “masa” e parë për të mos përkrahur sjelljen politike të opozitës.
Kjo, në raport me protestuesit që filluan të shkatërrojnë selinë e kryeministrisë.
Madje, e detyruan edhe policinë të përdorë gazin lotsjellës. A ka gabuar Rama në qeverisje? Po dhe po!
Për mendimin tim, po. Ka gabuar dhe madje ka shumë kusure në qeverisje. Kjo, që nga emrat në kabinetin qeveritar, që nga reformat, koncesionet e shumë të tilla.
Por, a jam unë dakord me ndërrimin e pushtetit në tavolinë. Jo dhe jo! Pushteti merret me zgjedhje.
Një nga ekspertët më të mirë të Partisë Demokratike, gjatë një bisede miqësore më tregoi.
Më tha se opozitës i është ofruar çfarë ka dashur në komisionin për reformën zgjedhore.
Ky ekspert ndoshta mund të jetë aspak pro Bashës si lider.
Por nganjëherë detyrohesh të bësh kompromise të çuditshme në jetë. Dhe ky ekspert është një prej tyre. Megjithatë, Basha nuk është dakord me reformën zgjedhore.
Mungesa e besimit të popullit ndaj tij e bën humbës në zgjedhjet lokale.
Ndaj një alibi do i bënte mirë Bashës. Ai mendon më përpara të justifikohet për humbjen, sesa të mendojë për fitoren.
Basha e ka më të lehtë të punojë për humbje, sesa fitore. Por, djegia e mandateve a do i sjellë fitore të vërtetë Bashës. Kjo do të shihet më vonë!
Nga Zilie Feci
19.02.2019