Lojtaret e kombëtares presin kryeministrin Berisha
Ndeshja me Norvegjinë është shumë përcaktuese për fatin e kësaj fushate kualifikuese të kuqezinjve, ndaj interesi i të gjithëve është maksimal. Këtë e tregojnë më së miri edhe kërkesat për bileta, shumë prej të cilave janë “pronësuar” pa dalë në treg nga politikanët. Një rast i tillë, në kulmin e fushatës së ethshme elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, nuk mund të lihej pa u shfrytëzuar nga liderët e ndryshëm. I pari që e ka bërë këtë hap ka qenë kryeministri Sali Berisha, që mesditën e së martës ka zbarkuar në rezidencën kuqezi në Durrës, ku ka takuar lojtarët dhe stafin drejtues të kombëtares. Ai ka nënvizuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje në planin kualifikues për në “Botërorin 2014”, ndaj ka thënë se pret rezultat pozitiv në ndeshjen me Norvegjinë. “Ju garantoj se do të përpiqemi t’u mbështesim edhe më shumë, ju e meritoni plotësisht këtë. Keni dëshmuar talentin, aftësinë e duhur. Futbolli është një sport me një dinamizëm të paimagjinueshëm. Nuk jam një shikues i rregullt i futbollit, por e ruaj këtë për kulme. Kur pashë spanjollët në Europianin e kaluar thashë paskan arritur qiellin, kur pashë gjermanët në finalen e Ligës së Kampioneve ishin më larg se qielli – tha Berisha. – Sytë e shqiptarëve kudo që jetojnë e punojnë do të jenë në stadiumin “Qemal Stafa” më 7 qershor, ndaj presim fitoren, edhe pse loja është lojë dhe s’ka asgjë të sigurt. Gjakftohtësia është kryesore, emocionet nuk duhet të errësojnë mprehtësinë e lojtarëve në fushë”- tha ai.
Situata me biletat Si asnjëherë tjetër, nga 900 biletat që kanë në tërësi tribuna qendrore, A dhe B, rreth 700 janë të prenotuara nga administrata shtetërore dhe politikanë. “Arsyeja kryesore se përse nuk kanë dalë biletat në treg, është se kemi dashur të mbrojmë publikun dhe tifozët nga tregu i zi. Shkurtimi i kohës së daljes së biletave në treg kufizon mundësinë për blerje dhe rishitje apo falsifikime të mundshme. Mendoj se do të jemi në gjendje të vëmë në shitje gjysmën e vendeve të stadiumit, ndërsa pjesa tjetër është e prenotuar”, – deklaroi Gazmend Malo, drejtor i marketingut në Federatën Shqiptare të Futbollit. Pritej që nga dita e martë të dilte në treg një pjesë e mbetur dhe e parezervuar e biletave, të cilat kanë si element sigurie një shirit holograme, nr e serisë dhe vulën e Federatës Shqiptare të Futbollit. “Kemi kërkesa të shumta, në krahasim me ndeshjet e tjera, nga politikanë dhe anëtarë të lartë të qeverisë e administratës. Pjesa më e madhe e tribunës do të jetë e mbushur me njerëz të këtyre rangjeve të larta”, – ka shtuar Malo.
Ndërkohë, tifozët kuqezinj kan shprehur nëpërmjet rrjeteve sociale pakënaqësinë e tyre për mospasjen e një bilete për këtë ndeshje. “Ndenjëm nga ora 07.00 e mëngjesit pranë sporteleve të biletave, u shtypëm nga njerëzit, u lagëm nga shiu, u poshtëruam nga rojet e sigurisë, por prapë dëshira dhe zemra për kombëtaren na bëri të durojmë. Në 13:00 sportelet u hapën, por përgjigjia ishte: bileta ka vetëm për mbrapa porte…! Pas 10 minutash sportelet u mbyllën sërish. Jemi përsëri këtu, duke u lagur në shi. Nëse nuk pajisemi me bileta do të sulmojmë FSHF-në. 10.000 bileta i kanë marrë partitë politike për fushatë. Kombëtarja nuk është fushatë, por është e tifozëve që lagen nëe shi dhe në breshër, që vijnë nga Kosova, Maqedonia, Presheva e deri nga vendet më të largëta të botës,” – shkruhet në “fanpage” e tifozëve të kombëtares prej mbi 40 mijë të regjistruarish, “Albania Team”.
04.06.2013
Burimi: Panorama-Sport