Këngëtarja Linda Halimi ka kërkuar falje për atë që kishte thënë ditë më parë që “shqiptarët janë popull i çuditshëm”, duke thënë se nuk e ka ditur se ka prekur në sedër gjithë shqiptarët me një thënie të pa qëllimtë. “Ndonëse s’kam dashur të tregoj publikisht qëllimin pse i kam shkruar ato fjalë, duke e lënë si diçka të parëndësishme, tani po e ndiej si obligim të tregoj historinë që fshihet pas atij statusi”, ka shkruar Linda. Këngëtarja ka thënë se për një muaj rresht disa psikopatë janë duke e bezdisur familjen e saj. “Gati një muaj rresht, disa psikopatë i bezdisin të gjithë familjarët e mi me telefonata dhe kërcënime e fyerje të rënda, deri në momentin që unë në kulmin e nervozizmit dhe bezdisjes shkrova fjalë të rënda dhe ofenduese (jashtë karakterit tim), ku gjeneralizova të gjithë shqiptarët. Kërkoj publikisht falje me shumë respekt e përulje për ofendimin e hidhur e të pamenduar që e kam bërë”, ka shkruar Linda. Linda ka thënë se nuk ka mundur të jetë e tolerueshme kur për këtë bëhet shënjestër familja e saj, por ajo është krenare për publikun e saj kosovar dhe shqiptar. “Fatkeqësisht, ata psikopatë qëlluan shqipfolës dhe unë humba kontrollin kur i përmblodha të gjithë në një thes. Unë jam krenare, e them publikisht, që jam kosovare-shqiptare dhe këtë gjë s’e kam mohuar kurrë as s’e mohoj, mirëpo vjen një moment kur gjithçka bëhet e tepërt. Zgjidhjet që kam bërë në jetën time private nuk e mohojnë krenarinë që jam shqiptare. Unë do të vazhdoj të promovoj talentin tim të vlerësuar nga bashkëkombësit e mi, edhe nëpër botë me shumë krenari dhe dinjitet, ashtu siç dhe e kam dëshmuar në Kroaci duke kënduar SHQIP”, ka shkruar Linda, duke kërkuar falje publike në profilin e saj.
10.08.25012
Burimi: Gazeta Mapo