Gjoba 50-fish më të larta për të gjitha institucionet arsimore të palicencuara. Pas shumë diskutimeve, dje në Komisionin Parlamentar të Medias dhe Edukimit u vendos që nëse konstatohet një shkelje e tillë, masa e gjobës të jetë jo 10 000-100 000 lekë sa ishte propozuar nga MASH, por 500 000 – 1 000 000 lekë. Ishin deputetët e opozitës ata që kërkuan këtë ndryshim në nenin 70 të projektligjit, si dhe inspektimin për të evidentuar këto subjekte. “Janë rreth 544 institucione private të arsimit parauniversitar, dhe 38 prej tyre janë të palicencuara”, tha deputetja Ledi Shamku.
Zv.ministri Halit Shamata pranoi se ky fenomen është prezent. “Janë 402 institucione private të arsimit parauniversitar të licencuara. Nuk përjashtohet mundësia të ekzistojnë edhe të tilla që e ushtrojnë aktivitetin e tyre pa licencë, por ligji na jep fuqi që të penalizojmë ato institucione që nuk e kanë”, tha Shamata. Kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj, shtoi se me të tilla shifra niveli i informalitetit është shumë i lartë. “I bie që një e katërta e arsimit parauniversitar është pa cilësi. Këto janë minuse për arsimin. Duhet të ketë edhe një sanksion më të lartë financiar, duke mos nisur nga 10 mijë lekë, por nga një milion”, tha Leskaj. Ajo shtoi se me vendosjen e këtyre sanksioneve gjithkush që do të marrë përsipër të hapë një institucion arsimor të palicencuar, do të marrë parasysh pasojat. Më i ashpër ishte Mark Marku. “Një shkollë pa licencë paraqitet si problem edhe për trafikimin e organeve. Në këtë rast kostoja është shumë e lartë, prandaj tarifa duhet të jetë 50 milionë deri në 100 milionë të vjetër”, tha Marku. Gjatë mbledhjes së djeshme deputetët kanë kërkuar që çmimet e teksteve shkollore të miratohen përmes një procedure të hapur dhe transparente. “Shitja dhe shpërndarja e teksteve të bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera shitjeje pranë shkollave nga subjekte të licencuara dhe me çmime të vendosura nga botuesit e të vlerësuara dhe të miratuara nga MASH në procesin e certifikimit të teksteve”, tha deputeti i Fatmor Toçi.
Debatet ne komision
Ledi Shamku: Janë rreth 500 institucione private të arsimit parauniversitar, dhe 38 prej tyre janë të palicensuara.
Halit Shamata: 402 institucione private të arsimit parauniversitar të licencuara. Por, ligji na jep fuqi që të penalizojmë ato institucione që nuk kanë licencë.
Valentina Leskaj: Nëse është kështu si thoni ju, atëherë niveli i informalitetit është shumë i lartë dhe i bie që një e katërta e arsimit parauniversitar është pas cilësi. Këto janë minuse për arsimin.
Ledi Shamku: Edhe nëse këto shkolla pa licencë do të mbyllen, ajo që më shqetëson mua është se ku do të shkojnë këta nxënës pas mbylljes së aktivitetit të saj?
Agim Leka: Institucionet pa licencë duhet të mbyllen.
Valentina Leskaj: Duhet të ketë edhe një sanksion më të lartë financiar, duke mos nisur nga 10 mijë lekë, por nga një milion (të rinj).
Mark Marku: Një shkollë pa licencë paraqitet si problem edhe për trafikimin e organeve. Në këtë rast kostoja është shumë e lartë, prandaj tarifa duhet të jetë 50 milionë deri në 100 milionë të vjetër.
Halit Shamata: Qeveria ka sjellë propozimin nga 500 mijë deri në 1 milion.
Valentina Leskaj: Prindërit shqiptarë sakrifikojnë nga buka e gojës për të ccuar fëmijët në një arsim që rezulton fallco. Rritja e gjobës do të ndikojë shumë edhe për parandalimin. Një individ kur sheh një gjobë të lartë do të mendohet mirë përpara se ta hapë. Prandaj them se kjo do të shërbejë edhe për parandalimin.
Gerti Bogdani: Gjobat shumë të mëdhaja kanë riskun që mos paguhen. Nuk jam dakord me paralelizmin që bën zoti Marku. Kjo gjobë është e pa zbatueshme. Gjoba e propozuar nga ministria e Arsimit më duken më pranë realitetit. U përmend këtu trafiku i organeve. Nëse do të diskutonim në këtë nivel bisede atëehrë do sillnim prapë Karla Del Ponten në Shqipëri.
Valentina Leskaj: Po nuk po diskutojmë trafik organesh këtu
Gerti Bogdani: U diskutua nga kolegët. Mendoj se për të ndihmuar prindërit Ministria e Arsimit mund të publikojë online listën e shkollave të licencuara.
Adriana Gjonaj: Mendoj që kufiri minimal ose dyshemeja të jetë ajo që ka propozuar Ministria e Arsimit ndërsa maksimali të jetë deri në 10 milionë. Duhen ndarë arsimi parashkollor me arsimin parauniversitar.
Valentina Leskaj: Për këtë duhet vlerësimi i ekspertëve të ministrisë.Propozimi i Fatmir Toçit për tekstet:
Shitja dhe shpërndarja e teksteve bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera shitjeje pranë shkollave nga subjekte të licencuara dhe me çmime të vendosura nga botuesit e të vlerësuara dhe të miratuara nga MASH në procesin e certifikimit të teksteve.
15.06.2012
Burimi: Gazeta Panorama